1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Euro 2016: 31 lojtarë me origjinë shqiptare

Bahri Cani14 Qershor 2016

Përfaqësuesja e Shqipërisë ndodhet testit ndoshta edhe vendimtar për vazhdimin e garave. Vazhdojnë spekulimet për Shaqirin dhe lojtarët e tjerë me origjinë shqiptare. Mustafi titullar edhe kundër Polonisë?

UEFA EURO 2016 Schweiz - Albanien Granit Xhaka und Taulant Xhaka
Fotografi: Reuters/D. Staples

Kombëtarja e Shqipërisë humbi në ndeshjen e parë të Kampionitit Evropian, por dyert ende janë të hapura për vazhdimin e garave. Në ndeshjen e së mërkurës me Francën kuqezinjtë do ta kenë shumë vështirë. Por bilanci i deritanishëm dëshmon se Shqipëria di t'i kundërvihet francezëve, pasi Shqipëria nuk ka humbur në dy ndeshjet e fundit. Kombëtarja shqiptare është nisur ndërkohë për në Marsielle, ku me francezët do të ketë sfidën e dytë në Euro 2016. Ndeshja zhvillohet në orën 21:00 - në ‘Stade Velodrome”, Marsielle. Në formacion nuk do të jetë kapiteni Lorik Cana, për shkak të përjashtimit në ndeshjen kundër Zvicrës. Në formacion priten edhe disa ndryshime të tjera taktike.

Fotografi: picture alliance/CITYPRESS 24

Lojtarët me origjinë shqiptare

Në dallim nga kombëtarja shqitpare, në ekipin e Zvicrës nuk pritet ndonjë ndryshim i madh. Ndaj pritet që sërish në formacion të jenë pesë lojtarë me origjinë shqiptare: Granit Xhaka, Shaqiri, Xhemaili, Behrami dhe Mehmedi. Zvicra - e cila në radhët e veta ka të nominuar gjashtë lojtarë me origjinë shqiptare - me një fitore kundër Rumanisë do të siguronte kualifikimin ndër 16 ekipet që vazhdojnë garat në këtë KE. Nëse llogariten së bashku - 23 lojtarë të Shqipërisë, gjashtë në radhët e Zvicrës, një në Gjermani (Shkodran Mustafi) dhe një arbëresh me origjinë në Itali (Antonio Candreva), rezulton se në këtë Kampionat ka 31 lojtarë me origjinë shqiptare.

Shaqiri dhe paraqitja e mundshme për Kosovën

Ndryshe nga vëllezërit Xhaka (babai i tyre Ragip Xhaka pohon se Taulanti do t'i mbetet besnik Shqipërisë, ndërsa Graniti Zvicrës), ylli i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, e ka lënë të hapur mundësinë që një ditë të luajë për përfaqësuesen e Kosovës. Mediat zvicerane raportojnë se Shaqiri nuk ka dhënë përgjigje definitive për të ardhmen e tij sa i përket kombëtareve. “Bluewin” dhe “20min”, sjellin një intervistë ku Shaqiri, në pyetjen nëse ka marrë ndonjë qëndrim të qartë për mbetjen në Zvicër, përgjigjet me kundërpyetje: Si do të përgjigjeshit ju nëse trajneri i Kosovës ju thërret dhe ju thotë se ju jeni kapiteni i ardhshëm i Kosovës? Por Shaqiri shton se ende nuk ka marrë ndonjë ftesë të tillë dhe se aktualisht është i fokusuar në tërësi tek Euro 2016, ku "do të japë gjithçka për ekipin e Zvicrës", siç ka bërë gjithmonë.

Xherdan Shaqiri në ndeshjen Shqipëri-Zvicër, Euro 2016Fotografi: Reuters/C. Recine

Mustafi në qendër të vëmendjes

Mediat gjermane pohojnë se mbrojtësi mesfushor (me origjinë shqiptare) Shkodran Mustafi, do të jetë titullar edhe në ndeshjen e dytë të përfaqësues gjermane, kundër Polonisë. Ai u fut në ndeshjen kundër Ukrainës si zëvendësues i Mats Hummels (i cili ndërkohë është i gatshëm për lojë), por me golin e shënuar dhe lojën e sigurt në mbrojtje, ai ka tërhequr vëmendjen e gjithë sportdashësve në Gjermani. Ishte ky goli i parë i Mustafit për Gjermaninë, ku ndërkohë ka 11 paraqitje. I mundur është edhe formacioni ku Mustafi të luajë së bashku me Boateng dhe Hummels në mbrojtje, por trajneri Joachim Löw, është i njohur për marrjen e vendimeve në momentin e fundit, në mënyrë që kundërshtari të mos mund të përgatisë kundërpërgjigjet e tij taktike. Joachim Löw pas ndeshjes me Ukrainën e ka vlerësuar Mustafin për kontributin në lojë.