1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: E shkuara ballkanike jeton

Christian Schwarz-Schilling
31 Mars 2019

Dy ngjarje këtë muaj janë kthyer në kujtesë nga shekulli i kaluar, shkruan Christian Schwarz-Schilling duke i cilësuar ato si akte turpi : Vendimi për Radovan Karaxhiqin dhe një shfaqje çetnikësh në Vishegrad.

DW Interview Jasmina Rose mit Christian Schwarz-Schilling
Fotografi: DW

Vendimi përfundimtar i Tribunalit të Hagës për krime lufte e shpalli përfundimisht fajtor udhëheqësin e serbëve Radovan Karaxhiq për krime të njerëzimit në Bosnje-Hercegovinë dhe veçanërisht për gjenocidin në Srebrenicë. Dënimi i tij i gjatë u shndërrua në burgim të përjetshëm. Për krimet veçanërisht të rënda, vrasjen e planifikuar të disa mijëra njerëzve të pafajshëm as nuk mund të mendohej një masë tjetër dënimi. Prandaj është edhe më e çuditshme, që politikanë që mbajnë përgjegjësi sot në Bosnje-Hercegovinë e kritikojnë këtë vendim të Hagës, minimizojnë apo madje mohojnë krimet e luftës apo shkeljet e mëdha të së drejtës së njeriut, që çuan në krimet më të rënda pas Luftës së Dytë Botërore në Europë.

Mohimi i përhershëm

Presidenti i sotëm i shtetit të Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, përfaqësues i Republikës Srpska dhe përfaqësues i "popullit konstitutues" serb, cili në vitin 2008 tha "ka pasur gjenocid në Srebrenicë", e mohon këtë sot, dhe pretendon, se ai nuk ka ndodhur kurrë. Me këtë gënjeshtër Dodik e ngarkon veten me faj të rëndë. Edhe në Gjermani ka pasur një situatë të njëjtë me ndjekjen e krimeve të Holokaustit në proceset për krime lufte ne Nuremberg: vërtet që autorët  u dënuan me vdekje apo me burgime të gjata, por megjithatë ka pasur qytetarë apo politikanë, që e mohonin vrasjen në kampet e përqëndrimit. Si reagim ndaj kësaj, Bundestagu institucioni më i lartë i Republikës Federale miratoi një ligj, që e penalizon mohimin e Holokaustit. Pse nuk bëhet kjo edhe në Bosnje-Hercegovinë? Nëse ka politikanë që e pengojnë me votën e tyre këtë në parlament, atëherë është detyrë e përfaqësuesit të lartë, që vëzhgon procesin e paqes në Bosnje-Hercegvoinë të nxjerrë një ligj që e mbron shtetin ligjor.

Çetnikët në Drin

Një tjetër ngjarje këtë muaj të bën sërish të menduar. Në gjysmën e parë të muajit mars pati një shfaqje të pabesueshme të çetnikëve në Vishegradin boshnjak në Drin. Disa qindra çetnikë erdhën të veshur në uniforma të zeza dhe këlthisnin këngët e tyre të vjetra "do të ketë ferr sërish dhe një Drin të përgjakur", këtu po vijnë çetnikët nga malet". Në vitin 1943 pikërisht në këtë rajon, çetnikët filluan krimet e tyre më të rënda bashkë me Wehrmachtin gjerman, nazistët. Kryekomandanti, Drazha Mihailoviq i drejtonte këto banda terrori dhe vrau mijëra vetë. Në vitin 1946 ai u dënua në Beograd nga një gjykatë me vdekje. Ky provokim në mars të vitit 2019 i kushtohej nderimit të tij. E siç shkroi me të drejtë gazeta gjerman, "taz": "50 vite më vonë, në vitin 1993 ngjarjet u përsëritën, ekstremistë serbë mësynë qytetet Foça, Vishegrad dhe vranë mijëra boshnjakë, i çuan gratë në kampe përdhunimi, në një hotel 3 km larg Vishegradit dhe i hodhën burrat e tyre të lidhur në Drin."#

3000 vetë gjetën vdekjen. Që të himnizosh këto ngjarje si festime fitoresh, kjo tejkalon përfytyrimin e çdo demokrati. E përfytyroni dot sikur në Gjermani disa qindra të afërm të ish-SS-ve të mblidheshin me uniformat  e tyre e të këndonin këngë për Hitlerin dhe të përkujtonin kreun e SS-ve, Heinrich Himmler? E papërfytyrueshme! Siç merret vesh prokuroria boshnjake ka filluar hetimet. Por ato duhet të çojnë shpejt në një rezultat, e të fillohen proceudrat përkatëse gjyqësore. Besoj, se Bosnje-Hercegovina, nëse do ta mbrojë demokracinë e saj, duhet të miratojë shpejt ligjet që mungojnë në parlament. Jo vetëm mohimi i gjenocidit në Srebrenicë duhet të futet si vepër penale, por edhe anëtarësia ose bashkëpunimi i dukshëm me shoqata fashiste. E nëse miratimi i ligjeve të tilla dështon nga vetoja e njërit "popujve konstitutes", atëherë duhet të veprojë Përfaqësuesi i Lartë". Asgjë nuk është më e rëndësishme në Bosnje-Hercegovinë se mbijetesa e demokracisë. 

Historiani i madh dhe politologu Karl Popper në librin e tij të shkruar pas Luftës së Dytë Botërore në emigracion. "Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj" nënvizon, se "demokracia është një fushë beteje e paçmuar për çdo reformë të arsyeshme, sepse i lejon reformat pa përdorimin e dhunës. Por nëse ruajtja e demokracisë nuk bëhet si rregulli kryesor i parë i çdo beteje në këtë fushë, atëherë tendencat e fshehura antidemokratike që gjithmonë ekzistojnë, mund të çojnë deri në shkatërrimin e demokracisë. Aty ku mungon vetëdija për parime të tilla, aty duhet të luftohet për zhvillimin e saj: politika e kundërt mund të jetë katastrofike: ajo mund të bëjë që të humbasë lufta më e rëndësishme, lufta për vetë demokracinë.

 

Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë ministër gjerman për Postën dhe Telekomunikacionin. Në shenjë proteste kundër qëndrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjes ai dha dorëheqjen. Nga vitit 2006-2007 ai shërbeu si Përfaqësues i Lartë në Bosnje-Hercegovinë dhe i ngarkuar i BE për Bosnje-Hercegovinën.