1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Jepu të mirëve dhe merrua të këqinjve?

6 Maj 2018

Projektbuxheti i Komisionit Europian perceptohet si anomali në ato vende lindore të BE-së, që perceptohen si shtetet e Vishegradit. E megjithatë Europa Lindore e Qendrore po ruan qetësinë, mendon Boris Kálnoky.

Boris Kalnoky
Fotografi: privat

Në kulmin e protestave masive greke kundër kursit të kursimeve në vitin 2011, një greke e re e pyetur, pse është e zemëruar, tha: do të humbas pensionin. Mendova se mos e dëgjova gabimisht, sepse protestuesja ishte vetëm 36 vjeç. Por ishte e saktë. Protestuesja merrte një pension jetimësh katërshifror, sepse babai i saj nuk jetonte më, ajo ishte beqare dhe nuk punonte. Ajo as nuk mendonte të martohej me të dashurin e saj, sepse do të humbiste pensionin. Prej meje ajo priste solidaritet dhe nga BE-ja një dekret për borxhe pa kursime.

Unë jam nga Hungaria dhe nuk mund ta kuptoja, se si njerëzit që kanë kaq shumë mund të ankohen po kaq shumë. Ose se si një shtet që nuk ka para, mund të jetë kaq zemërgjerë. Jo vetëm tek ne në Hungari, por edhe në vende të tjera lindore fitohej atëherë mesatarisht afro 500 euro në muaj. E shteti nuk ishte aq i zhytur në borxhe. Kryeministri i atëhershëm i Sllovakisë kur diskutohej në Bruksel për paketat e ndryshme të shpëtimit për Greqinë tha, se nuk mund t'ua shpjegonte njerëzve në vendin e tij, pse ata që fitojnë më pak e kanë shumë më pak asistencë sociale se grekët duhet t'u japin atyre ndihma.

Fillimisht vlerat, pastaj paratë

Një gjë pak a shumë të tillë planifikon Komisioni Europian tani: ai kërkon që vendeve si Hungaria, Sllovakia, Polonia, që janë relativisht të varfra, por me ekonomi solide t'u marrë para për t'ua dhënë vendeve më të pasura, por më të papërgjegjshme si Greqia, Italia apo Spanja. Kjo është anomalia e idesë bazë europiane, që përputhshmëria ekonomike ndikon edhe në përputhshmërinë e vlerave të shoqërisë. Tani kjo kthehet me kokë poshtë: fillimisht vlerat, pastaj paratë.

Në vend që të mbështeten vendet me prodhimin e brendshëm bruto më të ulët, duhet që në të ardhmen mjetet financiare të shpërndahen në bazë të „standardeve të shtetit ligjor" dhe "solidaritetit" në krizën e refugjatëve. Guy Verhofstadt, kreu i liberalëve në Parlamentin Europian mori turr në twitter: „Nuk ka para pa respektimin e vlerave europiane! Dhe përmendte disa herë, kryeministrin Orban me emër, si një nga ata që është i orientuar kundër planit të reformave. Orban u kundërpërgjigj në intervistën e tij javore në radio: „Ruani qetësinë! Pa miratimin e Hungarisë nuk do të ketë buxhet."

Një mjet presioni kundër të suksesshmëve

Polonia, Hungaria dhe vendet e tjera të bllokut lindor kanë arritur shumë që nga anëtarësimi në BE. Pjesërisht edhe falë fondeve nga BE-ja, por sidomos, ashtu si edhe Gjermania, të paktën qeveritë aktuale përpiqen të bëjnë ekonomi me ato që kanë. Në Hungari borxhet shtetërore janë ulur nga viti 2010 nga 82% në 70%. Sllovakia dhe sidomos Çekia janë shumë pranë mesatares europiane. Nga viti 2012 ekonomitë europianolindore po rriten në mënyrë më dinamike se mesatarja e BE-së. Në një të ardhme këto vende nuk do të jenë më lypëse, por paguese neto në BE:

Kështu fondet e ndihmës në një plan afatmesëm do ta humbisnin rëndësinë. Edhe kjo duhet thënë, se askush në rajon nuk do në mënyrë të vazhdueshme të pranojë para nga gjermanët apo të tjerë, ndryshe nga vendet me diell të Mesdheut. Kështu debati në vendet europianoqendrore zhvillohet më i relaksuar. Ai kuptohet si një përpjekje e BE-së për të zbutur krizën e vazhdueshme në eurozonë, duke u pompuar më shumë para dorëlëshuarve në vendet jugore. Dhe këtë si një përpjekje presioni ndaj vendeve si Hungaria dhe Polonia. Sepse, siç thuhet, këto vende shkelin vlerat e BE dhe rrezikojnë unitetin e të gjithë unionit. Ndërsa nga këndvështrimi hungarez apo polak kjo shihet ndryshe: Sepse këto vende guxojnë të shtrojnë pyetjen se sa kuptim ka të lejosh të hyjnë kaq shumë migrantë në Europë? A ka kuptim t'i shpërndash ata gjithkund? A ka kuptim t'u marrësh shteteve kombëtare edhe më shumë sovranitet?

Më pak fonde të BE mund të jenë edhe një avantazh

Qeveria liberale e majtë e Hungarisë në vitet 2002-2010 e rrënoi gati vendin me politikën ekonomike që ndoqi, por përsëriste megjithatë si një lutje retorikën europiane për më shumë solidaritet, më shumë Europë. Kështu që i bie që KE e shpërblen keqkonomisjen e atëhershme me propozimet e tanishme. Ndërsa qeveria e Orban mjaft e arsyeshme në çështjet ekonomike po ndëshkohet me tërheqjen e fondeve.

Por gjithsesi- gjithmonë thuhet se gjella është shumë më i nxehtë kur gatuhet se sa kur përtypet. Në fund do të kemi një kompromis. Si shumë hungarezë edhe unë dëshiroj që BE, siç e parashikon, le të na i heqë fondet. Por kjo do të ulte në mënyrë dramatike mundësitë e saj të influencës, do të reduktonte vërtet korrupsionin problematik, do të detyronte ekonominë të bëhej më inovative dhe efikase dhe në tërësi do të përshpejtonte procesin e emancipimit të europianoqendrorëve brenda BE. Nganjëherë vërtet më pak do të thotë më shumë.

 

Boris Kálnoky, lindur në vitin 1961, raporton si korrespondent nga Budapesti për gazetën "Die Welt" dhe mediat e tjera gjermane. Ai është autor i librit "Vendi i të parëve" (Droemer 2011), ku ai fillon të kërkojë gjurmët e paraardhësve të tij, mes të tjerësh edhe të ish-ministrit të Jashtëm të perandorisë austro-hungareze, Gustav Kálnoky.