Europa ime: Lepuj të shtangur prej gjarpërit
3 Dhjetor 2016Së shpejti ky vit merr fund. A duhet ta quaj atë si një vit negativ revolucionar? Një vit ndryshimesh rrënjësore për Anglinë, për Shtetet e Bashkuara, për BE-në, për botën. Bota do të jetë ndryshe pa britanikët në BE dhe pa një president në Shtëpinë e Bardhë. E kam fjalën me një president që do të preferonte të qeveriste nga pallati i tij, nga kulla e tij shumë personale me fron të zbukuruar me ar. Me një president, i cili para se të ngjitet në kalin e pushtetit, para se të bëjë betimin e ka futur botën në tmerr, frikë dhe llahtarë.
Çfarë mund të ndodhë më tepër si ngjarje e papritur politike para se ky vit të përfundojë. Fatmirësisht, zgjedhjet presidenciale në Francë janë vitin e ardhshëm! Edhe Gjermania zgjedh në vitin 2017 Dhe këto zgjedhje i presin të gjithë të tensionuar.
Unë kam qenë shumë në udhëtime këtë vit. Nga Greqia në Shtetet e Bashkuara. Nga Anglia në Rumani. Dhe përsëri jam kthyer në Gjermani: në Berlin, ku është shtëpia ime. BE-ja është edhe shtëpia ime. Unë nuk jam turiste. Unë jam një person që punon, që ka punë në botë. Në shumë vende brenda dhe jashtë BE-së. Që e di kuptimin e jetës në liri, pra edhe të lirisë së lëvizjes.
Qoftë në vend apo edhe jashtë kontinentit, mua më duhej të mendoja sërish për Evropën, për BE-në dhe për pasojat e lajmeve gjithnjë e më alarmante. Pyetjet nuk marrin fund. Çfarë do të ndodhë me BE-në pas referendumit për Brexit-in? A do të ndjekin vende të tjera shembullin e britanikëve? Apo ato do të bashkohen më tepër? A do të ketë një reformë të BE-së? A do të ketë një rrëshqitje drejt spektrit politik të djathtë në Evropë dhe në botë? A mund Evropa të ruajë dhe t’i mbrojë vlerat e saj? Apo do të shpërbëhet Evropa? A do të kufizohet liria jonë? A do të jetë në rrezik jeta e fëmijëve tanë?
Dhe sa përgjegjësi mban mbi vete secili? Sa i lirë është dikush që të ndikojë rrjedhën e gjërave, të pozicionohet, të riorganizohet? Sa përgjegjësi duhet t’u lëmë ne qytetarët institucioneve të BE-së? Për sa siguri dhe kontroll kemi me të vërtetë nevojë? Sa frikë duhet të kemi para globalizimit, para CETA-s dhe TTIP-it?
Unë nuk jam e vetmja që shtron këto pyetje. Në Bournville, në periferi të Birminghamit, hyj në bisedë me pronarin e një dyqani mishi. Unë jam gjithmonë kurioze për të parë se si jetojnë njerëzit në një vend, gjellët që hanë. Si mendojnë ata. Çfarë dëshironi më pyet pronari. Fillimisht dua të shikoj pak përreth. We don´t charge for that – thotë ai. Ne të dy qeshin. Pas kësaj e pyes: Çfarë mendon ai për BE-në? Ne nuk jemi më aty, thotë ai, unë jam shumë i kënaqur. Pse, dua të di. Ne do ta bëjmë më mirë vetëm. BE-ja dëshiron që të na tregojë se si duhet të jetojmë. Ne nuk e duam këtë.
Në Clifton dua të shoh urën varur dhe hyj rastësisht në dyqanin e një tregtari antikuitetesh që është politikisht i informuar. Përgjigja është e ngjashme. Jashtë! BE-ja kujdeset shumë për xhingërima dhe neglizhon gjërat e domosdoshme.
Të rinj që kanë kaluar me një bursë Erasmusi një vit jashtë vendit reagojnë ndryshe. Por edhe kamerierja e ri në Lido në Bristol thotë: unë jam klasë punëtore dhe kam frikë se do të humbas disa të drejta. Të drejtat e njeriut. Punësimi në Evropë ka marrë fund! Jo, ajo nuk e donte aspak Brexit-in.
Hyj në bisedë me shumë njerëz. Në rrugë, në autobus, në taksi, në kafene, në dyqan, tek shitësi i frutave, apo duke udhëtuar me tren. Në Angli ka mjaft që besojnë se mund të përballen më mirë vetëm me këto dhe të tjera probleme ekzistenciale se brenda BE-së. Të tilla ka më shumë se sa do të besosh. Dhe ky qëndrim nuk është i habitshëm. E habitshme është se pse këto qëndrime nuk janë marrë më parë seriozisht. I habitshëm është qëndrimi larg realitet dhe ethet e normimit si në organet e BE-së edhe në qeveritë përkatëse.
Jo vetëm që ka një hendek në rritje në mes të pasurve dhe të varfërve. Por ka edhe një hendek në rritje ndërmjet përfaqësuesve politikë dhe qytetarëve. Përfaqësuesit duket se shpesh mbeten robër të hartimit abstrakt të realitetit dhe e kanë humbur kontaktin me njerëzit jetën e të cilëve duan ta formësojnë.
Gjatë udhëtimit tim disamuajor në SHBA kam dëgjuar nga miqtë dhe kolegët e mi, nga profesorë në universitete dhe shumë intelektualë, se ata nuk njohin askënd që do të zgjidhte Trumpin. Ata habiteshin që unë kisha kaq shumë për t’u treguar për njerëzit në vendin e tyre. Në Nju-Jork nuk ka thuajse asnjë që do të angazhohej për Trumpin, thoshin ata.
Rrugës dhe në jetën e përditshme kam takuar vetëm votues të Trumpit. Gra të forta dhe njerëz miqësorë që përhapnin lajme nga më absurdet për Hillaryn dhe Obaman. Dhe nuk kishin as dyshimin më të vogël, se duhej të shpëtonin vendin dhe të zgjidhnin Donald Trumpin.
Kohët e fundit dëgjova gjatë një debati me titull Fundi i bashkësisë? Mundësitë dhe rreziqet e fleksibilitetit në BE, politikanë dhe shkencëtarë gjermanë, polakë dhe francezë. Shpresova se do të dëgjoja propozime për zgjidhje. E gjitha mbeti abstrakte dhe teorike. Edhe më vonë pasi kishin pirë një gotë verë, nuk pati asnjë lidhje me ndonjë propozim konkret për realizimin e teorive. Vetëm frika se Brexit-i mund të gjejë imitues në Evropë u bë më e qartë. Sikur teoricienët dhe përfaqësuesit e politikës të ishin të pafuqishëm, si lepuj të vegjël të shtangur prej gjarpërit.