1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Luftë kulturash në bankat e shkollës

18 Maj 2019

Këshilli kombëtar në Vjenë vendosi ndalimi e përdorimit të shamisë së kokës në shkollat fillore - pa asnjë shkas. Kjo tregon, se si qeveria e djathtë austriake drejton opinionin publik, mendon Norbert Mappes-Niediek.

Norbert Mappes-Niediek
Fotografi: Privat

Askush në Austri nuk mendon, që vajzat përpara pubertetit duhet të mbajnë shaminë e kokës: as qeveria, aq më pak opozita, e po ashtu nuk ka as edhe ndonjë imam që ta argumentojë këtë publikisht. Komuniteti islam, në Austri një organizatë e së drejtës publike, është qartazi kundër kësaj. Ndonëse për këtë çështje faktikisht ekziston konsensus, kjo është bërë tema më e nxehtë e muajit në vend. Në rrjetet sociale gëlojnë diskutimet rreth kësaj teme e po ashtu ajo ka dominuar edhe në debatin parlamentar. Por kjo vëmendje e madhe nuk reflekton detyrimisht relevancën e temës. Ajo vetëm sa dëshmon rafinesën e jashtëzakonshme, me të cilën qeveria e djathtë austriake përpiqet të drejtojë opinionin publik.

Të enjten Këshilli Kombëtar në Vjenë vendosi përkundër votave të opozitës socialdemokrate "SPÖ" dhe të liberalëve "Neos", që të ndalohet përdorimi i shamisë së kokës nga vajzat në shkollën fillore. Në rast kundërvajtjeje prindërit i kërcënon një gjobë prej 440 Eurosh. Shkas për një nismë të tillë nuk ka pasur. Nga disa lande federale si në Kernten apo Burgenland nuk ka asnjë rast të tillë. Ndërsa në Tirol ligji prek vetëm 19 vajza. Por qëllimi me një nismë të tillë ligjore u arrit: mobilizimi i elektoratit kundër Islamit në vend, që opozita të dalë si e dështuar dhe që të polarizohet pjesa liberale e opinionit.

Islami nënkuptohet, por nuk përmendet

Fillimisht zëvendëskancelari Heinz-Christian Strache nga FPÖ-ja e djathtë, nismëtari i ligjit, dhe kancelari nga ÖVP-ja  Sebastian Kurz insistonin madje për një ndryshim kushtetues. Ndryshe nga Gjermania, në Austri  gjithçka që parlamenti e vendos në nivel kushtetues, del jashtë kompetencave të Gjykatës Kushtetuese. Por meqënëse socialdemokratët dhe liberalët votuan kundër, nuk u arrit shumica e nevojshme e dy të tretave. Kësisoj nisma rezultoi në një ligj të thjeshtë. Kjo ngriti një problem, që mbetet i pazgjidhur dhe për të cilin priten edhe më tej debate sipas të njëjtit model.

Për ta bërë nismën imune ndaj gjykatave, duhej që në formulim "Islami" ndonëse nënkuptohet, të mos përmendej në mënyrë eksplicite. Ndaj është formuluar në mënyrë përgjithësuese që ndalohet "përdorimi i veshjeve që theksojnë botëkuptim apo religjon" e që "kanë të bëjnë me mbulimin e kokës". Ky formulim në fakt nuk prek kippën e hebrejve, që u përjashtua shprehimisht nga ndalimi i "mbulimit" në një konstatim të komisionit përkatës parlamentar, por ai përfshin turbanin dhe sikhs.

Pra e menduar në mënyrë të rafinuar: Çfarë konstaton një komision, nuk mund ta kontestojë gjykata. Një rrezik mund t'i kanoset ligjit të ri nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strazburg. Sipas juridiksionit të saj, vendet mund të ndalojnë shaminë e kokës, vetëm duke respektuar "neutralitetin" kundrejt të gjitha religjoneve. Por Austria është larg kësaj norme, sepse nëpër klasa është e detyrueshme vendosja e kryqit.

Pretekste bajate si argument

Me këtë siguri të përkohshme ligjore iu hap rruga sulmeve në adresë të bastionit të kritikëve liberalë. Shamia e kokës nënkupton "segregacion gjinor", konstaton qeveria - një argument delikat ky në një vend, ku fëmijët në zona rurale nëpër shkolla edhe sot e kësaj dite për raste të veçanta janë të detyruar të paraqiten me veshje tradicionale: Drindl për vajza dhe pantallona lëkure për djemtë, pra vlen ta theksojmë këtë. Rudolf Taschner nga ÖVP, një i djathtë i shquar, e ka quajtur shaminë e kokës si "simbol i shtypjes së grave dhe vajzave" duke premtuar, se "do të luftojë me të gjithë forcën për iluminizmin".

I njëjti deputet angazhohet për detyrimin e lëndës së fesë për të gjithë, edhe për ata që nuk kanë konfesion. Ministrit të Arsimit Heinz Faßmann, në të vërtetë një njeri i shkencës që është i çliruar prej komplekseve ideologjike, i del një detyrë tjetër, që të mendojë argumenta liberale për "luftën kundër islamit politik", një objektiv i shpallur ky prej qeverisë.

Shkolla? Jo kaq e rëndësishme!

Lidhur me pasojat e ligjit praktikisht nëpër shkolla as që diskutohet në Austri. Me sa duket ato s'kanë rëndësi. Kritikët tërheqin vëmendjen, se vajzat e vogla jo patjetër detyrohen prej baballarëve që të përdorin shaminë e kokës, por ato e bëjnë këtë thjeshtë sepse preferojnë të imitojnë nënën apo tezen e hallën. Ka ankesë edhe për faktin, se ligji vlen vetëm në shkollë - gjë që mund të çojë në largimin e fëmijëve nga shkolla dhe tërheqjen e tyre në gjirin e familjes, ngjashëm sikurse ndodh me fëmijët e sekteve. Prindërit konservatorë kjo masë mund t'i nxisë drejt grupeve radikale, kritikon sociologu gjerman në Vjenë, Kenan Güngör. Tek fëmijët, që nuk bëjnë dallimin mes qëndrimit religjoz të prindërve dhe identitetit të tyre, mund të krijohet përshtypja, se ata janë të padëshiruar.

Por këto vërejtje nuk e stepin qeverinë e Vjenës, që së fundi i ka shkurtuar me 80 milionë Euro fondet e masave për integrimin. Përkundrazi: për aq kohë sa ekziston mendimi se lufta e kulturave nëpër bankat e shkollës përfundon me fitore, ajo e vazhdon këtë luftë me mbështetjen e shumicës. Zëvendëskancelari Strache pas këtij suksesi të madh ka anoncuar nisma të tjera. Qëllimi i parë është shtrirja e ndalimit të shamisë së kokës deri në moshën 14 vjeç.

 

Norbert Mappes-Niediek jeton në Grac të Austrisë dhe është korrespondent i disa gazetave gjermane për Europën Juglindore.