Europa ime: Qielli, Toka, Identiteti
29 Maj 2017Kongresi i Kishës Evangjelike njihet si një ngjarje spirituale që feston forcën e dashurisë, rolin paqësor të fesë dhe frymën ekumenike. Dhe vërtet, etja për shëlbim është e gjithëgjendshme nëpër botë. Përsa i përket sferës shpirtërore, ka një marrëveshje të habitshme mes gjithë sistemeve të besimit gjatë historisë njerëzore: Qëllimi i tyre përfundimtar mbetet unio mystica, shkrirja e çdo gjëje me gjithçka, rilidhja me origjinën, përjetësia e shpirtit.
Por këtë vit Kongresi Kishtar po shfaq një notë të theksuar politike. Protagonistët e tij duket se kanë rënë dakord lidhur me çështjet e ngutshme të kohës sonë: Refugjatët dhe migracioni, marrdhëniet me islamin, uniteti i Evropës. Dhe këto janë më tepër të natyrës laike sesa qiellore.
Në thelb, konfliktet e sotme janë rezultat i zhvillimit teknologjik – i lehtësimit të skajshëm të udhëtimit dhe shpikjes së komunikimit virtual, që lejojnë kontakte gjithnjë e më të dendura mes njerëzve dhe kulturave.
Kush jam unë? Kush je ti?
Ky zhvillim vjen bashkë me ideologjinë e vet, të mbështetur nga një shtresë endacakësh modernë në rritje: Biznesmenë, diplomatë, konsulentë, korrierë, zbulues, ndërmjetës, botëshëtitës, kapërcyes kufijsh, urandërtues. Por, sado i rëndësishëm roli, sado i fuqishëm zëri i tyre: Ata janë dhe mbeten një pakicë.
Pjesa më e madhe e banorëve të tokës janë sedentarë dhe i qëndrojnë besnikë vendit të lindjes për gjithë jetën. Dhe këta njerëz janë të trembur nga ky zhvillim. Bota po bëhet një vend i ngushtë dhe i zhurmshëm, po kërcënohen hapësirat e mbrojtura, oborret shtëpiake. Ethshëm po shtrohet pyetja: Kush jam unë, kush je ti, dhe ç'marrëdhënie do të kemi me njëri-tjetrin?
Me rrënjët thellë në tokë
Është fjala për gjëra fare konkrete: vlerat, shijen, trashëgiminë, mënyrën e jetesës. Nuk ka lidhje me qiellin dhe botën e përtejshme, por me identitetin njerëzor këtu në tokë. Me parimin e egos, me parimin e un-it. Me atë nevojë ekzistenciale të njeriut për të qenë unikal përmbi dhe. Me pyetjen: Përse ja vlen të jetohet?
Kush beson se dallimet kulturore mund të balancohen, madje eliminohen me anë të komunikimit, bën një gabim fatal. Sado të përparojnë teknologjitë e lëvizjes e të komunikimit, njeriu mbetet një pjellë e tokës, me nevojën e pashlyeshme për të qenë i rrënjosur thellë në të.
Sipas mitit, në fillim ishte Gaia, Toka Nënë. Pastaj, meqenëse ndjehej e vetmuar, ajo krijoi Uranosin, Qiellin, që ta mbështillte dhe t'i bënte shoqëri.
Bota me shumë katunde
Identiteti i njeriut kushtëzohet nga vendi ku lind dhe rritet. Çdo rrip i kësaj toke ka karakterin e bukurinë e vet, ka një traditë të lashtë, të ngritur nga brezat nëpër shekuj – atë që quhet genius loci. Peisazhi, klima, kuzhina, zakonet dhe feja përherë shkojnë së bashku.
Historia ka njohur gjithmonë vende që shpallen të hapura: Vende të takimit, të shkëmbimit, të qëndrimit të përkohshëm, porte të lira, panaire, metropole tregtare. E prapë bota jonë është një grumbull "katundesh”, dhe ashtu do të mbetet, përsa kohë që fëmijët nuk rriten në anije kozmike. Njeriut i qan zemra për fshatin e tij, për strehën e vendlindjes e vatrën familiare, pa të cilat jeta është e pamundur. Në sagat e legjendat, heroi në fund kthehet në shtëpi, ku plaket dhe u tregon nipërve aventurat e rinisë në vende të huaja.
Identiteti kërkon kurajo
Mbetet pyetja e marrdhënieve ndërmjet katundeve të botës. Sipas mendimit tim është njësoj si me marrdhëniet mes individëve. Se ç'është një marrdhënie konstruktive, për këtë kemi rënë dakord prej kohësh: Vetëm individë me personalitet dhe identitet të qartë, me nivel pak a shumë të barabartë dhe me respekt për kufijtë e njëri-tjetrit janë të aftë të ndërtojnë një marrdhënie të shëndoshë, ku ruhet drejtpeshimi mes marrjes dhe dhënies. Në fund të këtij udhëtimit të përbashkët, secili nga partnerët ka pësuar zhvillim e rritje. Aty ku këto kushte mungojnë, marrdhënia bëhet destruktive dhe herët a vonë do të prishet.
Duke u kthyer në debatin e tanishëm politik: Gjermania ende ka vështirësi të madhe përsa i përket identitetit të saj, ç'ka është e kuptueshme po të nisemi nga historia e Luftës së Dytë. Por gjermanët e sotshëm kanë plotësisht të drejtë të jenë krenarë për fshatin e tyre, që është bërë ndërkaq një nga më të rregulltit, më të pastrit dhe më të drejtët në botë. Atyre që vijnë nga jashtë dhe sjellin me vete gjëra të mira, si zell, dituri, aftësi, ambicie, fantazi, humor, ose se paku miqësi, mirënjohje dhe gatishmëri për t'u përshtatur, Gjermania ka diçka jashtëzakonischt të vyer për t'u ofruar: hapësirë për shpalosje, një mundësi reale për të realizuar potencialin individual.
Prandaj ata që s'janë të interesuar për këtë lloj shkëmbimi s'kanë vend në Gjermani.