1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Skandale plot e socialdemokratët rumunë nuk çajnë kokë

3 Shkurt 2019

Socialdemokratët rumunë janë një fenomen më vete. Sado t'u shtohen skandalet politike, pushteti i tyre nuk lëviz, ata vazhdojnë të kenë sukses në Rumani. Por për t'u imituar nuk janë, mendon Norbert Mappes-Niediek.

Rumänien Parlamentsgebäude in Bukarest
Parlamenti rumunFotografi: picture-alliance/dpa/R. Ghement

Si homolegëve të tjerë në botë edhe krerëve qeverisës në Rumani ua sjellin çdo mëngjes vlerësimet më kryesore nga shtypi botëror. Kaq shumë raportim negativ sa ata ka vetëm Donald Trump dhe autokrati venezuelas, Nicolas Maduro.

Por vetëm kaq, se të gjitha kritikat për ta sikur i shpëlan shiu. Me një fytyrë pokeri, kreu i socialdemokratëve, Liviu Dragnea e hedh pas vetes të gjithë zemërimin e përgjithshëm. Dënimi i tij personal për manipulim zgjedhor dhe nxitje për keqpërdorimin e detyrës bëri që Dragnea të humbasë postin e kreut të qeverisë. Por jo pushtetin. Megjithatë ai nuk shqetësohet aspak, edhe kur të gjithë në vend e jashtë vendit, kryeministren Viorica Dancila e shohin si të zgjedhurën dhe vartësen e tij. As kritikat e presidentit Klaus Iohannis nuk e shqetësojnë. Pas fitores së ndjeshme të partisë së tij socialdemokrate në zgjedhje, Dragnea sharroi edhe karrigen e drejtueses së guximshme të autoritetit antikorrupsion.

Fuqia e baronëve

Prej kësaj kohe, partia e tij përpiqet që të largojë me ndërhyrje, amnisti të çuditshme dhe poste gjykatësish shkëlqesitë e korruptuara nga shënjeshtra e drejtësisë. Si një bandë që i ikën policisë. Dragnea as nuk shpenzon shumë energji që të fshehë qëllimet e tij: E në fund të fundit përse? Nëse bëhet fjalë për korrupsion, partia e tij nuk ka se ç'të humbasë më në imazh. Ish-kryeministri e kreu i partisë, Adrian Nastase përfundoi në burg. Të gjithë e dinë se "baronët", siç i thërrasin në provincë politikanët e kësaj partie, e kanë në darën e tyre lindjen dhe jugun rumun. Protestat disajavore të rumunëve para dy vitesh Dragnea dhe partia e tij i lanë të kalojnë, po ashtu si paralajmërimet dhe kritikat nga Brukseli.

Të gjitha këto dihen - problemi është se Dragnea dhe partia e tij kanë sukses. Asnjë vend tjetër në rajon nuk u shërua më shpejt nga kriza financiare si Rumania. Rrogat rriten dhe papunësia është e ulët, edhe falë emigrimit të vazhdueshëm. Në vend është kristalizuar një shtresë e mesme. Rrugët po përmirësohen gjithnjë e më shumë, po ashtu edhe hekurudha. Sistemi shkollor, madje edhe sistemi shëndetësor i goditur keq nga emigrimi po e rimarrin veten. Kanë kaluar kohët e ashpra të kursimeve, kur dhjetëra mijëra vetë humbën punën në administratën publike, kur tvsh-ja bëri që të shtrenjtohet me 5% çdo produkt, kur një duzinë spitalesh u mbyllën, kur mjekët pas shkurtimit të pagave që edhe ashtu ishin të ulta, u larguan nga vendi. Me kurime radikal si në kohën e ish-presidentit Trajan Basescu nuk fitohet asnjë vazo me lule në Rumani, jo më të fitohen zgjedhje. Kjo në një kohë që socialdemokratët rumunë nuk qeverisin aspak si socialistë. Sindikatat ata i shfuqizuan në heshtje.

Shumë anëtarë, rezultate zgjedhore, të mirëorganizuar

Partia socialdemokrate qeveris me dorë të fortë, dhe qeveriset vetë po ashtu, kush nuk është besnik, largohet. Me strukturën e saj drejtuese kjo parti dallon mjaft nga partitë e tjera simotra në pjesën tjetër të Europës. Por me sukses. Me më shumë se një gjysmë milioni anëtarë, ajo është partia më e madhe. Rezultatet zgjedhore kapën kuotën 46%. Në një kohë që socialdemokratët rumunë nuk kanë ndjekur kursin e populizmit të djathtë, si kolegët e tyre sllovakë.

Në radhët e tyre nuk marshojnë vetëm baronë të korruptuar, por edhe shumë të angazhuar, që duan vërtet të bëjnë diçka në vend, Në grupin e tyre parlamentar gjen ithtarë të angazhuar për të drejtat e njeriut dhe interesat e pakicave. Por programet dhe konceptet nuk janë për PSD-në rumune - ajo është një makineri pushteti. Bindjet, vlerat, pikëpamjet nuk janë puna e tyre; kjo parti nuk është bërë për një sistem pluralist. Ajo bën politikë majtas, por edhe djathtas. Klaviaturën e nacionalizmit ajo e zotëron po aq mirë sa Viktor Orban në Hungarinë fqinje, por ajo nuk e ka të nevojshme të luajë kaq shumë me të. Nëse i duhet, ajo arrin të bëjë mobilizim pa asnjë droje kundër pakicës hungareze në vend, kundër një presidenti rumun me rrënjë gjermane apo kundër të ashtuquajturve "burokratë të Brukselit".

Norbert-Mappes-Niediek Fotografi: L. Spuma

PSD: Jo imitim në Europë

E kuptueshme kjo përzierje mes vetëkënaqësisë dhe indiferencës është nga historia. Edhe partia e saj paraardhëse, KP nuk ishte e majtë apo e djathtë. Ajo ishte thjesht pushteti. As "Fronti i Shpëtimit Kombëtar", që e qeverisi Rumaninë pas rënies së regjimit të Çausheskut nuk e kuptonte veten si një avangardë që do të bashkonte brenda vetes të gjitha kundërshtitë. Askush nuk habitej, kur krerë drejtues të regjimit të vjetër pas vitit 1990 dolën fashistë. Kjo parti nuk është përballur me kohën e komunizmit, që në Rumani kishte një fytyrë të djathtë, nacionaliste dhe socialkonservatore.

Por deri këtu suksesi - se jashtë Rumanisë ai nuk gjen vend. Që kjo parti të marrë marrë mësime...nuk bëhet fjalë, e aq më pak nga partitë simotra europiane që po humbasin gjithnjë e më shumë identitetin. Por nëse nuk duan që të dëmtohen edhe nga suksesi i "shokëve" rumunë, socialdemokratët e Europës duhet ta thonë megjithatë si qëndron puna. Që kohë më parë për socialdemokratët gjermanë nuk ishte e lehtë të shpjegonin, se pse e refuzonin një bashkëpunim me partinë E Majta dhe paraardhësen, PDS në Gjermani, në një kohë që nuk kishin asnjë problem që të uleshin në një grup parlamentar në Parlamentin Europian me socialdemokratët rumunë apo bullgarë të paprekur nga asnjë fije turpi apo pendese. Angela Merkel mund t'ia dalë të mbajë një Viktor Orban, por Andrea Nahles nuk e mban dot një Liviu Dragnea.

 

Norbert Mappes-Niediek jeton në Graz, Austri dhe është korrespondent për Europën Juglindore i disa gazetave gjermane.