Europa ime: Të bashkohesh me tjetrin përmes gjuhës
26 Nëntor 2017Dashurinë për gjuhën dhe gjuhët e shoh si një trashëgimi të familjes. Kur stërgjyshja ime gatuante një supë të mirë, thoshte - supa ime flet shtatë gjuhë. Ajo e shikonte si një gjë shumë të rëndësishme zotërimin e një gjuhe. Çfarë e përbën njeriun, pyeste ajo. Gjuha. Gjuha e tij e brendshme, do të thoja unë sot.
Madje stërgjyshja ime kishte dëshirë të përmendte një proverb. Sipas tij njeriu ka brenda vetes aq persona sa gjuhë flet. E lindur në perandorinë austro-hungareze, një lloj Bashkimi Europian i parakohshëm, çertifikatën e lindjes ajo e kishte në gjuhën gjermane, rumune, hungareze dhe latinisht. Ajo vetë fliste disa gjuhë. Disa i kishte mësuar në ambientin përreth, të tjera gjatë qëndrimeve të saj jashtë. Të jetoje në një vend pa e folur gjuhën e atij vendi do të ishte për të e papranueshme, e papërfytyrueshme, e pa dinjitet. E unë e ndaj këtë qëndrim me të.
Një supë që flet shtatë gjuhë
Në këto vite që jetoj në Berlin, kam vënë re se si Berlini është kthyer në një metropol kozmopolit. Njerëz nga e gjithë bota gjejnë fatin e tyre aty, gjejnë shanset e punës, plotësimin e jetës e madje një vatër të re. Disa kanë ardhur me dëshirë në Gjermani, madje pa njohuri të gjuhës. Të tjerë janë refugjatë. Një pjesë e të ardhurve jeton në një ambient ndërkombëtar, profesionalisht të lartë, ata kuptohen me njëri-tjetrin në anglisht. Për ta njohuritë e gjuhës gjermane nuk janë parësore për të mbijetuar, e ata mendojnë gabimisht se nuk është nevoja ta mësojnë atë.
Ka edhe një kategori tjetër, njerëz që jetojnë në një shoqëri paralele, të izoluar nga kufijtë kulturore dhe mungesa e njohurive të gjuhës së vendit ku kanë ardhur. Sidomos gratë dhe të rinjtë e këtij grupimi vuajnë disavantazhet e kësaj situate. Dhe dihet që vetëizolimi të çon në mungesë vetëbesimi gjë që nënkupton edhe humbje të lirisë. Me tepër se kaq, njeriu asnjëherë nuk arrin tek vetëvendosja.
Stërgjyshja ime me supën e saj që fliste shtatë gjuhë, e kishte kuptuar këtë. Edhe fëmijët e mi e kuptuan intuitivisht. Pas javëve të para në shkollë, ata donin të më përgjigjeshin vetëm në gjermanisht, donin që të ishin aktivë që në fillim, të ishin pjesëmarrës, pjesë e së tërës. Jo pjesë e një getoje.
Të gjesh gjuhën do të thotë të gjesh veten
Si autore në fillim u zhgënjeva. Erdha me shumëgjuhësinë dhe shpejt m‘u duk se po e humbisja atë. Gjermanishtja ime ishte fillestare. Nuk mjaftonte për të shkruar. Në të njëjtën kohë frika nga humbja e identitetit pas ndërrimit të gjuhëve më linte pa frymë. Deri në gjendje shoku. Kush jam unë pa gjuhën e nënës. Kush jam unë në gjuhën e re? A jam vërtet dikush? Në këtë gjendje të shpërbërjes së brendshme pasonte ndjesia e pavlefshmërisë. E varfërimit shpirtëror.
Por unë rebelova kundër këtyre ndjesive. U përballa me fatin dhe e rifitova gjuhën time të brendshme, u përshtata me gjuhën gjermane. U identifikova me të. Rifitova besimin. E përshtata gjuhën me nevojat e mia. E rifreskova me përvojën e ndjesitë e reja. Kur pas disa librave të shkruar në rumanisht, publikova për herë të parë në gjermanisht librin „Arratia e babait", nyja u zgjidh përfundimisht.
Sot dimë shumë për vështirësitë e bukuritë e përvojës së migrantit. Madje refugjatët dhe migrantët kanë në dispozicion edhe ndihmë psikologjike. Jo vetëm unë, por edhe Berlini, e ky vend e dinë tani se sa e rëndësishme është gjuha e vendit ku jeton për të vazhduar jetën e re. Shpresohet që ata që vijnë ta pranojnë këtë ndihmë. Të kuptojnë, se zotërimi i shprehisë në përgjithësi dhe i gjuhës së re në veçanti janë çelësi për respektin ndaj vetes dhe me këtë edhe për respektin e njohjen e të tjerëve. Gjuha është çelësi për suksesin dhe lumturinë. Dhe çelësi për të gjetur veten, identitetin tënd të vërtetë.