NATO kërkon me anije speciale sabotuesit në Detin Baltik
Përgjatë Detit Baltik janë shtuar aktet e sabotazhit, për të cilat fajësohen anijet e të ashtuquajturës flota ruse në hije. Në shënjestër ndodhet infrastruktura kritike perëndimore, kabllot nën det dhe tubacionet. Nganjëherë ato kryhen me një metodë të vjetër: Kabllot e të dhënave që lidhin vendet e NATO-s dëmtohen përmes zvarritjes së spirancave në tabanin e detit me manovra të qëllimshme. NATO po përpiqet tani të identifikojë përgjegjësit me anije të posaçme.
Pse janë urdhëruar të largohen qindra rusë nga Letonia?
Rreth 500 qytetarë rusë që jetojnë në Letoni janë urdhëruar të largohen nga ky vend, sepse nuk i plotësojnë kërkesat e qëndrimit. Sipas një ligji të vendosur pas sulmit rus ndaj Ukrainës, qytetarët rusë në Letoni duhet të kalojnë testin e gjuhës letoneze. Nëse nuk e kalojnë provimin, ata nuk lejohen më të jetojnë në Letoni. Rusishtja është gjuhë amtare për 37 përqind të banorëve në vendin baltik. Shumë prej tyre, edhe Galina Nikolaeva, nuk e kanë përdorur kurrë gjuhën letoneze.
Poloni: Qira me çmim të arsyeshëm në këmbim të rinovimit
A do të investonit mijëra euro në një apartament që nuk ju përket? Shumë polakë janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Problemet e strehimit në Poloni, si në shumë vende të tjera eu ropiane kanë sjellë një model të ri banimi: qira e lirë në këmbim të rinovimit. Kushdo që rinovon një apartament që ka nevojë për punime mund ta gëzojë një qira me çmime të reduktuara. Shumë polakë e shohin këtë si një situatë përfituese për të dyja palët, edhe të rinj si Alexandra.
Stacioni kërkimor më i lartë i Europës
Daniela Bissig dhe Erich Furrer jetojnë dhe punojnë si kujdestarë në stacionin kërkimor më të lartë në Europë, në Jungfraujoch në Zvicër. Në 3,500 metra mbi nivelin e detit, ata kujdesen për studiesit që vijnë nga e gjithë bota, monitorojnë eksperimentet, vëzhgojnë motin dhe mirëmbajnë infrastrukturën në stacion - të gjitha këto mes borës së përhershme. Ne do t'ju tregojmë jetën e përditshme të një çifti , ku asgjë nuk është e zakonshme, por e përcaktuar herë pas here nga moti ekstrem.
