1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europeo: Edicion javor me reportazhe nga Europa

16:40

This browser does not support the video element.

17 Dhjetor 2025

Dronë nga Gjermania, suedezët skeptikë ndaj IA në timon, biznes me gjininë e foshnjave në Qipro, lajmi i kancerit godet të gjithë familjen.

Në edicionin e kësaj jave:

Dronë nga Gjermania - Si në Mynih zhvillohen teknologjitë e së ardhmes

Në luftimet në Ukrainë ata janë të kudogjendur. Dronët madje mund të jenë madje vendimtarë në luftë. Tani kërcënimi nga Rusia po e nxit edhe Gjermaninë të veprojë. Bundeswehri do të mbështetet në të ardhmen tek dronët sulmues. Gjermania synon të bëhet qendër botërore për teknologjinë e dronëve ushtarakë, qendra e këtyre inovacioneve aktualisht është në Mynih, në Universitetin e Bundeswehrit, nga ku dalë disa startup-e të njohura. 

Inteligjenca Artificiale në timon? Suedezët ende janë skeptikë

Mirë se vini tek e ardhmja! Einride, një startup suedez, ka një vit që operon kamionë elektrikë autonomë. Jo njeriu, por inteligjenca artificiale e kontrollon kamionin duke përdorur kamera, lazer dhe radar. Por për shkak se suedezët ende janë skeptikë ndaj inteligjencës artificiale pas timonit, e ardhmja do të duhet të presë. Pavarësisht progresit teknologjik, dalja në rrugët publike është ende e kufizuar dhe automjetet monitorohen nga njerëzit.

Biznes me gjininë e foshnjave - Në Qipron Veriore lulëzon një praktikë e ndaluar

Fëmija i shumëpritur ka ardhur në jetë, prindërit të lumtur e nuk ka rëndësi, nëse është vajzë apo djalë. Por ka çifte, që  gjininë nuk duan t'ia lënë në dorë rastësisë biologjike, por ta zgjedhin vetë. Mijëra çifte dhe gra shkojnë në Qipron Veriore çdo vit për trajtime mjekësore për gjininë e dëshiruar. Madje në këtë vend të vogël, është zhvilluar një industri milionëshe rreth përzgjedhjes së gjinisë së foshnjave, një praktikë e ndaluar në BE. Procedurat janë mjaft të diskutueshme nga ana etike, sepse embrionet e gjinisë së padëshiruar thjesht flaken. 

Si të ndihmohen fëmijët kur nëna goditet nga kanceri

Kur vjen ai lajm e godet familjen si rrufe. Diagnoza e kancerit tek një prind është veçanërisht e rëndë për fëmijët,  shpesh një përvojë traumatike. Shumë fëmijë fajësojnë veten dhe jo rrallë, normaliteti i një jetës fëmijërore  merr fund. 50.000 fëmijë në Gjermani jetojnë me një prind që vuan nga kanceri. Enno dhe Sabrina tregojnë se si përballen me sëmundjen dhe çfarë e mban familjen e tyre të fortë.