1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eurorajoni - zgjidhja e problemit të Veriut të Kosovës? Ekspertët hedhin ide

22 Tetor 2011

Ekspertët diskutojnë zgjidhje të mundshme për çështjen e Veriut të Kosovës. Gjendja aktuale nuk lejon zgjidhje përfundimtare, thonë ata, duke hedhur idenë e një eurorajoni për Veriun e Kosovës, me një status të posaçëm.

Eksperti nga Beogradi Dushan Janjiç
Eksperti nga Beogradi Dushan JanjiçFotografi: Zulfija Jakupi

Veriu i Kosovës ka mbetur nyja e pazgjidhur në rajon, me potencial për shpërthimin e dhunës. Pas eskalimit të situatës atje në korrik të këtij viti dhe ndërprerjes së dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, gjendja ka mbetur e ngrirë. Komisioni Evropian në prezantimin e raportit të progresit për vitin 2011 i tërhoqi vëmendjen si Prishtinës ashtu edhe Beogradit për kompromis.

Prishtina duhet të zhvillojë një plan të qartë për veriun, dhe të integrojë të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, jo vetëm ata në jug të vendit, kërkoi Komisioni Evropian. Ndërsa Serbia, e cila mori premtimin për statusin e kandidatit, duhet të gjejë një zgjidhje për Kosovën deri në dhjetor, kohë kur vendoset për statusin kandidat. Dialogu duhet të fillojë, ndryshe nuk miratohet rekomandimi i Komisionit Evropian nga BE. Këto janë sinjalet e qarta të Brukselit për të dy vendet aspirante.

Plani Ahtisari plus ofron mundësinë e zgjidhjeve të përkohshme

Thembra e Akilit për Kosovën është Veriu. Ndërkohë që KFOR-i nisi të enjten me heqjen e barrikadave serbe nga veriu, ekspertët diskutojnë mbi zgjidhje të mundshme për këtë rajon. Disa ekspertë nga Kosova kërkojnë statusin e posaçëm të një rajoni evropian, për Veriun, gjë që duhej bërë në bashkëpunim me institucionet evropiane. Behlul Beqajnga "Lëvizja evropiane e Kosovës" thotë për se "përmes këtij statusi të posaçëm eurorajonal, kjo pjesë do të kishte lidhje të veçanta me pjesën tjetër të Kosovës, SErbisë, dhe natyrisht BE-së."

Rreziku i dhunës në Veri mbetetFotografi: AP

Edhe eskperti nga Beogradi, Dusan Janjiç e përkrah një zgjidhje interim për Veriun e Kosovës. Nuk mund të arrihet menjëherë në një zgjidhje përfundimtare, kjo nuk është realiste thekson ai. Madje nuk mund të arrihet as në rrugë paqësore. Një zgjidhje e mundshme e përkohshme vjen sipas Janjiç nga plani Ahtisari plus, i cili përmban një decentralizim më të dukshëm emë tepër kompetenca për Veriun e Kosovës. Sipas Janjiç, plani Ahtisari plus nuk do t'i kënaqë të gjitha palët. "Aty është i nevojshëm një opcion shtesë, plotësues për decentralizimin dhe mbrojtjen e minoriteteve" i tha Janjic në një intervistë Deutsche Welles.

Union komunash në një Eurorajon

Sipas tij ky plan i modifikuar do t'i korrespondonte nocionit të një eurorajoni. "Ky rajon do të funksionote si një llon uioni i përbërë nga komunat, dhe ai do të kishte të drejtën të bashkëpunonte vetë drejtpërdrejt me komunat në Malin e Zi, Serbi, e Shqipërinë veriore. Por zbatimi i kësaj do të kërkonte miratimin e BE-së dhe një financim të qartë përmes fondeve për projekte bashkëpunimi të këtij eurorajoni."

Janjiç beson se përmes shkrirjes rajonale dhe bashkëpunimit, ekonomia do të rritej më shpejt dhe do të tejkalohet më shpejt ekonomia informale. Kjo lulëzon sidomos në sektorët e furnizimit me energji dhe artikuj ushqimorë. Krijimi i një eurorajoni do të kishte edhe efekt përtej rajonal. Sepse pikërisht në sektorin e energjisë dhe furnizimit me energji, vende me probleme si Bosnja, Shqipëria, Mali i Zi do të përfitonin mjaft, është i mendimit eskperti nga Beogradi Dushan Janjiç.

Autor: DW/Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti