1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eurovizioni për fëmijë - një festival vetëm për Europën lindore?

7 Dhjetor 2011

Një spektakël televiziv përpiqet prej nëntë vitesh t'u ofrojë fëmijëve diçka të re. Eurovision Junior quhet festivali europian i këngës për fëmijë. Këtë vit ai zhvillohet në Armeni.

Logoja e Eurovizionit për fëmijë
Logoja e Eurovizionit për fëmijëFotografi: EBU

Historia e Eurovizionit për fëmijë (JESC- Junior Eurovision Song Contest) filloi gati para një dhjetëvjeçari. Ideja erdhi nga vendet skandinave, të cilat për vite të tëra i kanë zhvilluar me shumë sukses, konkurset rajonale muzikore për fëmijët. Unioni Europian i Radiove, EBU e pëlqeu këtë koncept dhe ngarkoi radion daneze me organizimin e konkurrimit të parë, që u zhvillua në Kopenhagë. Si model u mor Eurovizioni i madh, me traditën e tij 56 vjeçare.

Të gjithë pjesëmarrësit në Eurovizionin për fëmijë vijnë nga shtetet anëtare të EBU-s. Artistët e rini duhet të jenë nga mosha 10 -15 vjeç. Por jo çdo element kopjohet nga festivali i të rriturve, që tërheq vit për vit rreth 120 milionë shikues. Kështu artistët e rinj duhet të këndojnë në gjuhën e nënës, një rregull që në Eurovizioni npër të rritur nuk merret parasysh. Nga ana tjetër pjesëmarrësit duhet të jenë vetë autorët e këngëve të tyre. Megjithëse lejohen të ndihmohen nga kompozitorë profesionistë. Një dallim tjetër mes dy Eurovizioneve: vendi që fiton nuk është automatikisht edhe vendi organizues i festivalit të ardhshëm. Këtë vit finalja zhvillohet në Armeni, që vitin e shkuar ishte edhe fituese e Eurovizionit për të rritur.

Amanda, 14 vjeç, këndon për LetoninëFotografi: EBU

Europa lindore e mbiprezantuar

Nga të 13 vendet që marrin pjesë në festivalin e këtij vit, tetë prej tyre vijnë nga ish-republikat sovjetike (Lituani, Letoni, Moldavi, Armeni, Ukrainë, Bjellorusi, Rusi dhe Gjeorgji), dy tjerë vijnë nga Bullgaria dhe Maqedonia. Ndërsa nga vendet perëndimore janë të prezantuara vetëm tre shtete. Holanda, Belgjika, Suedia. Disa nga vendet pjesëmarrëse të viteve të shkuara kanë refuzuar pjesëmarrjen, me justifikimin se në kohët e krizës ato janë të detyruara të kursejnë. Të pesë shtetet evropianoperëndimore që klasifikohen automatikisht mungojnë në festivalin e këtij viti. Britania e Madhe ka marrë pjesë tre herë në këtë Eurovizon. Spanja katër herë, ndërsa Franca vetëm një herë.

Sietse Bakke, i ngarkuari i EBU-s për Eurovizionin e shpjegon kështu këtë situatë: "Po të krahasosh ofertat televizive në Perëndim dhe Lindje, atëherë vihet re se oferta për spektakle me aspekt dëfrimi është tepër e madhe në Perëndim. Në Lindje, nga ana tjetër kjo industri është ende në zhvillim. Kur EBU iu ofron atyre një format të mirë, atëherë kjo është një arsye e mirë për vendet evropianolindore që të marrin pjesë në këtë spektakël.

Sietse Bakker, EBUFotografi: DW

Jo rekord kuotash

Gjermania dhe Italia deri më tani nuk kanë treguar interes. Një televizion publik gjerman, NDR sqaron se ky format nuk zgjon interes për publikun gjerman. Por gjuha e shifrave të thotë diçka tjetër. 60% e spektatorëve të Eurovizionit të këtij viti për të rriturit, në Gjermani ishin të rinj nga mosha 14-29 vjeç. Që ky lloj festivali nuk do të zgjonte interes, këtë e kundërshtojnë vende si Belgjika apo Holanda. Aty ky festival gëzon një popullaritet të madh. Els Van den Abeele drejtuese e delegacionit belg në këtë festival thotë:

"Eurovizioni për fëmijë në vendet tona, si Belgjika dhe Holanda është shumë i dashur, prandaj nuk e kuptoj pse disa vende perëndimore nuk marrin pjesë në të. Në Belgjikë për shembull CD-ja me këngët belge konkuruese për këtë festival ka qenë CD-ja më e shitur këtë vit."

Mision i rëndësishëm

Pavarësisht nëse koncepti për festivalin e këngës për fëmijë është i dashur apo jo për shikuesit, duhen kujtuar edhe detyrimet që kanë mediat publike kundrejt qytetarëve, thekson Rade Spasovski, drejtues i delegacionit maqedonas në Eurovizionin për fëmijë dhe drejtor i televizionit publik MKRT në Shkup:

"Maqedonia e mbështet këtë konkurrim. Madje është politika jonë redaksionale që të nxisim talentet e reja dhe t'u japim atyre mundësinë që të prezantohen jashtë vendit. Është e vërtetë që ky festival ndodhet në krizë. Në vitin 2003 ishin 18 vende pjesëmarrëse. Nga viti në vit është ulur numri i pjesëmarrësve, por mendoj se po qe se ekziston vullneti për të vazhduar me këtë festival, atëherë duhet gjenden edhe fondet për të."

Këngëtarët e rinj veçse marrin pjesë me shumë kënaqësi tek ky festival. Erik Rapp është 15 vjeç dhe ai përfaqëson Suedinë. "Deri më tani vetëm e kam parë këtë spektakël dhe kam menduar se do ishte gjë e bukur të merrja pjesë. Për këtë arsye e kam dërguar këngën në konkurrim dhe - ja ku jam. Dhe sigurisht është një gjë e mrekullueshme kur muzika është diçka që i bashkon njerëzit."

Autor: Jakov Leon/Lindita Arapi

Redaktoi: Mimoza Kelmendi