Eurozona ndoshta pa Greqinë?
14 Maj 2012Në mars, bota për Athinën dukej ende në rregull. Paketa e dytë e ndihmave, me vëllimin prej 130 miliardë eurosh u miratua nga BE. Një falje historike e borxheve u realizua. Agjencitë e klasifikimit, që e patën përshpejtuar rrënimin e Greqisë e ngritën sërish nivelin e besueshmërisë për të.
Por qetësia e blerë shtrenjtë nuk zgjati shumë. Me zgjedhjet parlamentare të 6 majit grekët i vunë politikanët e tyre para një detyre në dukje të pazgjidhshme. Ata duhet të formojnë një qeveri, e cila t'i anullojë direktivat për kursim të BE dhe të FMN dhe njëkohësisht të mos e braktisë euron e dashur. Dakordimet për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve janë në provë.
E shtënë paralajmëruese për Athinën
Ndihma të tjera për Greqinë do të vijnë vetëm kur Greqia ta vazhdojë kursin e kursimit, bënë të qartë donatorët. Një të shtënë paralajmëruese lëshoi fondi i shpëtimit EFSF në drejtim të Athinës, kur vendosi ta mos ia përcjellë hë për hë Greqisë njërën nga pesë miliardë eurot e premtuara.
Para fundit të qershorit grekëve u duhen 30 miliardë euro të tjera, për të ruajtur aftësinë paguese. Një falimentim do ta zhyste vendin e Evropës Juglindore në një kaos ekonomik. Qeveria nuk do të ishte në gjendje t'u paguante nëpunësve të saj rrogat, furnizimi me ujë dhe me gaz do të ndërpriteshin, sipërmarrjet do të rrëshkisnin në falimentim. Athinës do t'i duhej të ndërpriste edhe shërbimin e borxheve. Nga kjo do të prekeshin në radhë të parë bankat greke, sepse janë ato që përgjigjen në radhë të parë për shumicën e huave greke.
Eurozona është e përgatitur
Ndërkohë janë gjithnjë e më pak politikanë që kanë frikë se një falimentim i Greqisë do të infektonte vende të tjera. Kështu, eksperti liberal për buxhetin, Otto Fricke i tha gazetës "Saarbrücker Zeitung": "Fantazma e një falimentimi të pakoordinuar e ka humbur efektin frikësues, sepse shtetet evropiane muajt e fundit nuk kanë bërë gjë tjetër veç përgatitjes për një rast të tillë."
Po kaq e vogël duhet të jetë gatishmëria e vendeve të tjera për t'i shpëtuar grekët sërish nga kaosi, në të cilin, sipas mendimit të përhapur ata janë zhytur vetë.
Duarlidhur megjithatë shtete të tjera të eurozonës nuk do të rrinin. Me shumë gjasa ato do të përpiqeshin me anë të shiringe financiare të fuqishme për bankat greke që t'ia ëmbëlsonin Greqisë daljen nga eurozona.
Dhrahmia e vjetër dhe e re
Hapi tjetër logjik për Athinën do të ishte rifutja në qarkullim e monedhës së tjetër vendase, dhrahmisë. Dhrahmia e re do të duhej të zhvlerësohej me deri në 50% përballë euros, thonë ekspertët. Vërtet që me këtë hap, me një të rënë të lapsit produktet greke të eksportit do të fitonin aftësinë konkuruese, por kjo nuk do ta lehtësonte gjendjen për grekët, i thotë eksperti i ekonomisë, Jürgen Mathes DW. Sepse detyrimet që Greqia i ka Evropës mbeten edhe më tej në euro, të cila në këtë rast do të duhej të paguheshin me dhrahminë e "butë".
Ka ekonomistë që madje e shpresojnë një stuhi që të pastrojë qiellin për eurozonën. Sepse që ishte një hap i përshpejtuar deri i gabuar që grekëve iu dha që në vitin 2000 bileta për në eurozonë, për këtë janë të mendimit të gjithë ekspertët. Ekonomisti amerikan, Keneth Rogoff thotë se Greqia ka realisht statusin e një vendi në zhvillim. Revistës "Spiegel" ai i tha: "Teza, që euroja do ta zhdukte me shpejtësi prapambetjen e Greqisë, ka qënë një çmenduri."
Autor: Zhan Danhong/ Auron Dodi
Redaktoi: Elert Ajazaj