1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evitohet sulmi terrorist ndaj një avioni gjerman

Michael Reissenberger21 Nëntor 2006

Gazeta "Die Welt" shkruan se pas këtyre planeve qëndron një grup islamist. Nga qarqe të organeve të sigurisë gazeta mëson se sulmi ishte planifikuar ndaj nja avioni të kompanisë izraelite El Al, i cili fluturon prej aeroportit të Frankfurtit mbi Majn.

Fotografi: AP

Edhe pas zbulimeve më të reja, qeveria federale mbetet në vlerësimet e veta të mëparshme, sa i përket rrezikut nga sulmet terroriste. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane, Stefan Kaller deklaroi të hënën: "Kemi pasur edhe përpjekje të tjera për sulme në Gjermani. Ju kujtoj vetëm valixhet me bomba. Pra, nuk kemi të bëjmë me ndonjë rrezikim abstrakt, por jemi duke jetuar me këtë rrezik, me të cilin duhet të përballemi. Gjithnjë duhet të llogarisim me ekzistencën e njerëzve dhe grupeve, të cilët planifikojnë sulme konkrete."

Zëdhënësi Kaller aksionin e fundit të forcave të sigurisë e cilëson si një sukses të rëndësishëm: "Ky rast inkurajon edhe më shumë për faktin se forcat tona të sigurisë duket se janë shumë të kujdesshme dhe janë shumë afër strukturave të rrezikshme. Të paktën deri tani ato kanë pasur sukses që këto struktura t'i zbulojnë me kohë", pohon ai.

Prokuroria federale deri tani nuk ka bërë ndonjë bujë të madhe rreth këtij rasti. Nuk flitet për ndonjë aksion të shkallës së gjërë. Deri tani nuk janë dhënë informacione të zgjeruara lidhur me qëllimet e atentatorëve, prejadhjen e tyre apo dhe aeroportin e rrezikuar. Prokurori Frank Vallenta shpjegon se gjashë të dyshuarit në verë kanë vendosur kontakte me një person, i cili kishte mundësinë e futjes në zonat e sigurisë në një aeroport. Ky person ishte i gatshëm që për një shumë të caktuar parash të fusë kontrabandë një valixhe apo një cantë me lëndë shpërthyese në një avion. Autoritetet pohojnë se plani ishte në fazën fillestare. Ata ende nuk ishin dakorduar as për sasinë e parave që duhej paguar personit të caktuar për ndihmë.

Prokuroria federale nuk ka kumtuar deri tani se për cilën organizatë terroriste është fjala. Në nëntë banesat e bastisura deri tani janë kërkuar edhe dokumente të cilat mund të shpjegojnë përkatësinë ndonjë grupi të përsonave të dyshuar. Nuk përjashtohet mundësia që personat e dyshuar të ketë vepruar si grup më vete, që do të thotë se ata ende kanë kërkuar edhe financierë. Të bie në sy se në kumtesën e prokurorisë nuk thuhet asgjë për mënyrën se si personi ndërmjetësues do të duhej të fuste në avion lëndët shpërthyese. Kjo për faktin se vetë marrëveshja për kryerjen e një krimi është e dënueshme. Të bie në sy poashtu që prokuroria federale i ka liruar të gjashtë të dyshuarit pas një bisede të shkurtër informative.