130510 Tusk Interview
14 Maj 2010Parimi kryesor i Evropës është solidariteti. Veçanërisht në kohë krizash si tani bëhet e qartë se sa i rëndësishëm dhe atraktiv është ky model- thotë Donald Tusk duke pasur parasysh krizën më të fundit financiare në Greqi.
"Sa më e vështirë, sa më e dhimbshme përvoja, sa më shumë skeptikë që të kemi përreth vetes, aq më lart duam ta mbajmë flamurin e Evropës dhe të përsërisim me zë të lartë që Evropa është një shpikje fenomenale."
Tusku theksoi që BE-ja ka nevojë për më shumë integrim. BE-ja duhet të mendojë për një të ardhme të saj në fushën e energjisë dhe që t'u përmbahet rregullave të solidaritetit. Presidenti polak foli edhe për zgjerimin e BE-së me shtete të tjera. Por mundësia e zgjerimit duhet të orientohet jo vetëm te Brukseli, por edhe te kandidatët vetë.
"Ne vetë, evropianët e tjerë dhe kandidatët duhet të pyesim herë pas here veten: a e mbështesni ju sistemin tonë të vlerave? A doni të bëheni pjesë e bashkësisë, ku secili mbështet tjetrin, ku solidariteti dhe liria nuk janë fjalë boshe? Këtë pyetje duhet t'ua bëjmë turqve, ukrainasve. Por ne kemi edhe shembuj më të afërt, në kuptimin e mundësive reale, siç janë Kroacia dhe Serbia. Evropa nuk duhet të mbyllet në asnjë mënyrë."
Donald Tusku u ngrit njëkohësisht edhe kundër stigmatizimit të Greqisë për shkak të krizës financiare. Ai tërhoqi vëmendjen se edhe shtete të tjera, të cilat bëjnë pjesë në "bërthamën e fortë të Evropës" nuk u përmbahen rregullave të vendosura të buxhetit. Hyrjen e Polonisë në zonën e Euros Tusku e paraqiti të varur nga plotësimi i të ashtuquajturave kritere të Mastrihtit vetë në Poloni. Këto kritere përcaktojnë ndër të tjera deficitin e lejueshëm buxhetor.
Përballë presidencës së planifikuar të BE-së nga ana e Polonisë vitin e ardhshëm, Tusku përmendi si pikërëndesa: sigurinë energjetike, mbrojtjen dhe "politikën e mençur" përballë shteteve lindore të BE-së.
Pyetjes për pasojat e aksidentit me avion, në të cilën vdiqën presidenti i Polonisë, Lech Kaczynski dhe politikanë të tjerë të rangut të lartë, Tusku iu përgjigj se tragjedia "tronditi zemrat, por jo stabilitetin e vendit":
"Ne përpiqemi që të nxjerrim nga tragjedia përfundime pozitive për të ardhmen e vendit, edhe përfundime politike, përsa u përket marrëdhënieve polako-ruse. Këto marrëdhënie janë çelësi për marrëdhënie më të mira midis BE-së dhe Rusisë. Përpjekjet për raporte më të mira u përshpejtuan nga tragjedia. Ndoshta ne duhet ta shohim si testament të atyre që vdiqën: plotësimi i këtij testamenti do të thotë të nxisësh mirëkuptimin midis popujve."
Autor: Marin Antosiewicz/Auron Dodi
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora