Evropa do të jetë vend i pasigurtë për racistët!
20 Prill 2007
Bisedime të ashpra u zhvilluan në lidhje me normat e përbashkëta, diskutime pati për masën minimale të dënimeve. Por po aq e rëndësishme sa ishte ajo që u arrit në këtë drejtim nga këndvështrimi juridik, është sinjali politik që duan të japin ministrat e drejtësisë të vendeve të BE-së me vendimin e tyre në rastet me dënimet për vepra me motive raciste që nisen prej armiqësisë ndaj të huajve.
Ministrja gjermane e drejtësisë, Brigitte Zypries, kryeson raundin e ministrave të drejtësisë të BE-së, sepse Gjermania është presidente e radhës e BE-së. Ajo e bëri të qartë që në fillim të këtij takimi: 'Unë besoj se në tërësi është e rëndësishme që ne të bëjmë të qartë se në Evropë nuk duam gjëra të tilla. Ne i mbrojmë njerëzit për shkak të rracës apo prejardhjes së tyre dhe nuk lejojmë as që të diskriminohen dhe as që ndaj tyre të ushtrohet dhunë."
Vendimi i BE-së në lidhje me masat penale kundër racizimit dhe armiqësisë ndaj të huajve parashikon dënime deri në tre vjet heqje lirie. Dënime të tilla pritet të aplikohen në rastet kur dikush bën thirrje publike për dhunë dhe urrejtje nisur prej rracës, ngjyrës së lëkurës apo prejardhjes së dikujt, ose mohon, zbut apo miraton rastet e konsideruara prej Gjykatës Penale Ndërkombëtare si raste gjenocidi, krimesh lufte apo krimesh kundër njerëzimit, kur këto mund të çojnë në akte urrjetjeje dhe dhune.
Komisari i BE-së për drejtësinë, Franco Frattini, i cili i lëvdoi përpjekjet e palës gjermane në këtë drejtim tha: 'Ato që pritet të dënohen do të jenë veprimet kriminale dhe jo idetë.'
Vendimi i përbashkët i ministrave të drejtësisë të BE-së në këtë drejtim u zvarrit për shkak të dëshirës së vendeve baltike që në ligj të merreshin parasysh edhe krimet staliniste. Një e gjë e tillë nuk u bë. Por në vend të kësaj komisioni i BE-së do të organizojë mbledhje publike në lidhje me krimet e shekullit të 20-të në Evropë.
Në kuadrin ligjor që miratuan ministrat nuk u përfshinë çështje të ndalimit të simboleve konkrete, si psh. të kryqi të thyer. Në këtë drejtim u përpiluan formulime të përgjithshme, sepse Britania e Madhe dhe vendet skandinave kishin frikë se përmes këtij ligji mund të kërcënohej liria e mendimit, e cila në këto vende ka një gamë të gjërë interpretimi.
Për këtë vendimi i BE-së u lë vend të mjaftueshëm vendeve anëtare në interpretimin e kësaj norme në legjislacionin kombëtar. Sipas shpjegimeve të ministres Zypries për Gjermaninë kjo normë do të thotë zgjerimin e paragrafit që ka të bëjë me mohimin e krimeve të nazistëve, edhe me ato raste, kur këto krime nuk janë kryer prej nazistëve.
Komisari i BE-së për drejtësinë, Franco Frattini, e përshëndeti vendimin në lidhje me njësimin e standardeve për përndjekjen penale të veprave me sfond racist apo të nisura prej armiqësisë ndaj të huajve me fjalët: Evropa nuk do të jetë më një vend i sigurt për racistët.