Evropa feston ne Dublin zgjerimin
1 Maj 2004Ne Evrope u hap sot një kapitull i ri që i dha fund ndarjes. BE-ja pranoi zyrtarisht 10 vende të reja antare nga Lindja. Këtej e tutje BE-ja do të ketë 25 shtete anëtare dhe rreth 450 milionë qytetarë.
Këmbanat e katedrales St-Patrick shënuan fillimin e festimit të zgjerimit të BE-së në kryeqytetin irlandez. Qielli u përflak prej fishekzareve dhe efekteve me drita, ngjyrat e të cilave sillnin flamujt e vendeve të Bashkimit evropian.
Në ceremoninë e zhvilluar në Dublin kryeministri i Irlandës Berti Ahren deklaroi para të gjithë kryetarëve të qeverive dhe të shteteve nga 25 vendet e BE-së: "Unë u zgjas dorën e miqësisë dhe u uroj mirëseardhjen popujve të Evropës, të cilët bashkohen sot me BE-në. Ky ishte rezultat i përzgjedhjes suaj demokratike dhe i përpjekjeve tuaja për këtë ditë."
I pranishëm në ceremoni ishte edhe Presidenti i Komisionit Evropian Romano Prodi, i cili e vlerësoi zgjerimin e BE-së si një nga arritjet më të rëndësishme: "Kjo ështe një ditë historike dhe jam shumë i gezuar që jam sot mes jush në Dublin për të festuar me kete rast arritjen me të rëndësishme të periudhës sime legjislative në postin e presidentit të Komisionit Evropian. Për shumë vite me radhë ne kemi projektuar vizionin e sotëm të zgjerimit të BE-së me 10 vende të reja anëtare nga Evropa qendrore, lindore dhe zona e Mesdheut."
Para se të shkonte për në Irlandë, kancelari gjerman Gerhard Schrëder mori pjesë në një ceremoni festive që u zhvillua në qytetin kufitar Zittau, ku takohen me njëri-tjetrin kufiri gjerman, ai polak dhe ai çek. Në këtë ceremoni përveç kancelarit Gerhard Schrëder morën pjesë edhe homologët e tij Vladimir Spidla nga Çekia dhe Leshek Miller nga Polonia. Duke marrë fjalën Schrëder tha: "Ky është një shans unikal historik, për ta shmangur një herë e përgjithmonë ndarjen e Evropës. Me dhënien fund të ndarjes Evropa shndërrohet në një zonë, në të cilën do të mbizotërojë paqja dhe mirëqenia e përhershme. Ky shans historik për Evropën ka vlera të paçmueshme."
Festimet nëpër rrugët e Dublinit që filluan që mbrëmë do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme. Si rrallë herë tjetër në kryeqytetin irlandez vihet re një prani e madhe policësh dhe ushtarësh. Rreth 5000 policë dhe 2.500 ushtarë janë përqëndruar dhe janë në gatishmëri në Dublin për të garantuar që ceremonitë festive të kalojnë të qeta.