1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa ime: Gjermania duhet të mendohet

Boris Kalnoky
26 Nëntor 2019

Presidenti francez dhe kryeministri i Hungarisë kanë gjetur njëri-tjetrin – si provokatorë në Evropën e konformitetit, mendon Boris Kálnoky.

Emmanuel Macron und Viktor Orban beim EU Gipfel in Sofia
Fotografi: Getty Images/AFP/L. Marin

Me 8 nëntor kryetari i nderit i CSU-së, Edmund Stoiber, mori një dekoratë të lartë nga Presidenti i Hungarisë, János Áder. Pastaj ai u takua me kryeministrin Viktor Orbán për një shkëmbim privat mendimesh. Ishte planifikuar një orë, por zgjati tri orë. Përse biseduan ata? „Kryesisht për politikën evropiane dhe presidentin e Francës Emmanuel Macron", tha Stoiber më pas në bisedë me artikullshkruesin.

„Komenti drastik i Macronit, se Evropa duhet ta shohë veten si fuqi botërore ose do të zhduket", nuk ishte thënë më parë nga askush në këtë formë të mprehtë. Stoiber nuk la të dyshohej se ai ishte dakord me Macronin, megjithëse kancelarja gjermane Angela Merkel e kishte kundërshtuar atë. Dhe ai shtoi se kështu e vlerëson çështjen edhe Orbáni – se NATO nuk është më ajo që ka qenë dikur. Nëse Estonia do të sulmohej nga Rusia, do të duhej të dyshohej fort në plotësimin e klauzolës së mbrojtjes reciproke për shembull. Si konkluzion Europa duhet të bashkohet në politikën e mbrojtjes dhe të bëjë ushtrinë e vet të fuqishme. Orbáni do të ishte me gjithë qejf partner „brenda mundësive të vendit të tij".

Hungaria si pararendëse në kohët e ndryshimeve radikale

Orbáni dhe Macroni kanë folur për këtë hollësisht edhe personalisht, kur presidenti francez priti kryeministrin hungarez me 11 tetor në Paris. Pas kësaj Macroni njoftoi ndër të tjera se bisedoi me Orbánin për të ardhmen e Natos dhe të BE, duke gjetur një bazë shumë të përbashkët. Më parë në shtator Macron në konferencën e ambasadorëve të vendit të tij e kishte quajtur Orbánin „frymëzues" – një kompliment, që Orbáni ia ka bërë vazhdimisht Macronit. Macroni tha tekstualisht: diskursi politik i Orbánit „përmban në vetvete fuqi jetike kulturore dhe civilizuese", Hungaria nën Orbánin është bërë një pararendëse në kohën e ndryshimeve radikale, ndryshe nga vendet e tjera evropiane.

Ndryshe e shohin Macronin në Poloni. Kryeministri i vendit Mateusz Morawiecki e quajti „të rrezikshme" analizën, që Macroni i bëri NATO-s (aleanca ndodhet në „vdekje klinike"). Ai e sulmoi ashpër Macronin: Franca është shumë e kursyer në mbrojtje; a është Franca ndonjë herë e gatshme të përmbushë detyrat e saj? Ai tha se shpreson, që mund të mbështetemi ende te ky vend në Nato.

Ky ton i helmët nuk është rastësor. Kritika më fortë e Macronit, se SHBA nuk do ta vlerësonin ndoshta si rast „të klauzolës së mbrojtjes reciproke" një sulm të Rusisë ndaj njërit prej ish-vendeve të bllokut të Lindjes, e prek në thelb politikën e mbrojtjes së Polonisë. Varshava e sheh Rusinë si një rrezik të vërtetë, konkret për sigurinë e Polonisë dhe mendon për BE po ashtu, si mendon Macroni për NATO-n: Në rast serioz nuk do të ishte mbështetje. Për këtë arsye Polonia vitet e fundit ka investuar shumë energji politike dhe shumë para, për të bërë për vete amerikanët. Qeveria ia arriti që trupat amerikane të stacionohen në Poloni, dhe po krijon lidhje të ngushta me SHBA në politikën e sigurisë. Macroni e konsideron këtë naive. Dhe mbase mund të jetë. Ajo që ndodh të tërheq vëmendjen: Macroni und Orbáni janë bërë dy promotorët intelektualë në debatin për të ardhmen e Europës. Shablonet e së kaluarës – pro apo kundër Europës, më shumë apo më pak integrim evropian, më shumë BE apo më shumë shtet nacional – nuk përshtaten më me mendimet komplekse dhe tejet kontradiktore, që formulojnë ata të dy. Macroni për shembull ka penguar zgjerimin e BE me shtetet e Ballkanit Perëndimor – pra „më pak Europë". Është një vendim, që i hap dyert ndikimit rus, kinez dhe turk në rajon - „Evropa më e dobët".

Fotografi: privat

Grindja për më shumë apo më pak BE

Vendet evropianolindore dhe qendrore të Vishegradit, të konsideruara skeptike në lidhje me BE (Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia) janë nga ana tjetër përkrahësit më të apasionuar të një zgjerimi të ri drejt lindjes – pra „më shumë BE". Për interes thjesht vetjak. Kjo do të rriste ndjeshëm peshën politike të „lindjes" në BE. Macroni dëshiron një ministër evropian të Financave, taksa direkte të BE, politikë të përbashkët ekonomike – „më shumë BE". Orbáni dhe V4 asgjë nga e gjithë kjo – „më pak BE". Të gjithë duan më shumë para nga BE, nga një taksë e re e transaksioneve financiare – „më shumë BE". Macroni dhe V4 e kanë fundosur parimin e kandidatit kryesor në zgjedhjet e BE – „më pak BE". Macroni dhe V4 dëshirojnë një ushtri të vërtetë evropiane – „më shumë BE". Franca për arsye se tradicionalisht do të jetë vetë fuqi dhe mund të pretendojë rolin udhëheqës të një forcë ushtarake evropiane. Polonia është e interesuar pjesërisht, nëse ky do të ishte një element më shumë për t‘iu kundërvënë Rusisë – nëse Nato nuk shpërbëhet nga kjo. Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë u pëlqen ideja, sepse ato janë shumë të vogla për të patur një ushtri të fuqishme.

Me pak fjalë, kur në Gjermani shtrohet në përgjithësi pyetja pro apo kundër BE apo NATO-s, Macron dhe Orbán shtrojnë me kokëfortësi pyetjen për rëndësinë në fusha të caktuara. Më shumë BE aty ku ka kuptim. Jo për hir të BE, por vetëm aty ku i shërben dhe nëse i shërben interesave të veta. Interesat janë të pozicionuara në mënyra të ndryshme, prandaj opzicionet janë pjesërisht kontradiktore. Por gjithmonë bëhet fjalë për interesin vetjak, kombëtar. Gjermania qendron e pavendosur dhe hezituese në mes. Ajo e sheh qartë goditjen shtytëse të Macronit, e njëjta shtytje e politikës franceze ndaj Evropës që prej Charles De Gaulle: për ta penguar Gjermaninë politikisht, për të vjelur potencen e saj ekonomike dhe mundësisht për të penguar që gjermanët të bëhen të vetëdijshëm për pushtetin e tyre dhe të dëshirojnë përsëri të ecin në rrugën e vet në Evropë. Gjermania – kështu besohet në Evropën lindore dhe qendrore – është me të vërtetë e fuqishme. Dhe konfuze lidhur me këtë. Ku të shkojë me gjithë këtë peshë? Majtas, të përqafojë Francën dhe të praktikojë „solidaritetin" evropian? Djathtas dhe të ndjekë me duartrokitjet e evropianolindorëve politikën klasike të pushtetit kombëtar? Macroni dhe Orbáni bëjnë atë, që në Gjermani e urrejnë më së shumti: Të lëshosh ide përçarëse në një botë, që dukej se funksiononte aq qetë dhe bukur. Gjermania, kështu mendojnë në Francë dhe Evropën lindore dhe qendrore, është e dashuruar me statusquonë, por statusquoja nuk mund të shpëtohet. Kjo të detyron të vrasësh mendjen. Kjo mund të të bëjë me dhimbje koke.

 

 

Boris Kálnoky, lindur në vitin 1961, raporton si korrespondent nga Hungaria për gazetën gjermane "Die Welt" dhe media të tjera gjermane.