1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Evropa ka humbur një nga shtyllat e saj"

22 Janar 2024

Politikanë gjermanë e evropianë i bënë homazhe Wolfgang Schäuble-s, në një ceremoni shtetërore të përmortshme në Bundestag. Presidenti francez Macron e nderoi Schäublen në një fjalim kryesisht në gjermanisht.

Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Përfaqësues të politikës i dhanë lamtumirën Wolfgang Schäuble-s në një ceremoni shtetërore të përmortshme në Bundestag.

Fotografi: Christian Ditsch/epd-bild/picture alliance

Në një fjalim të mbajtur kryesisht në gjermanisht, presidenti francez Emmanuel Macron bëri homazhe për Wolfgang Schäuble-n. "Gjermania ka humbur një burrë shteti. Evropa ka humbur një shtyllë. Franca ka humbur një mik."

Për gjysmë shekulli këtu mund të dëgjonim zërin e "këtij gjermani”, deklaroi Macroni gjatë fjalës së tij nga foltorja e Bundestagut. Fakti që Schäuble dëshironte që një francez të fliste në funeralin e tij flet shumë për besimin mes këtyre vendeve, historinë dhe të ardhmen e tyre, tha presidenti francez.

Macroni citoi Schäublen me fjalët: "Vetëm kur Gjermania dhe Franca veprojnë në të njëjtin drejtim mund të zgjidhen çështje të vështira". Presidenti francez përfundoi me fjalët: "Rroftë Evropa! Rroftë miqësia gjermano-franceze".

Macroni u prit në fund me duartrokitje të gjata në këmbë nga të pranishmit.

Fotografi: John Macdougall/AFP/Getty Images

Kreu i CDU-së Merz i bën homazhe mikut të tij

Kryetari i partisë konservatore CDU, Friedrich Merz gjithashtu theksoi në fjalën e tij përkushtimin e Schäubles për Evropën, por edhe meritat e tij për ribashkimin e Gjermanisë dhe për caktimin e Berlinit si kryeqytet federal. Por trashëgimia e tij e vërtetë politike është angazhimi i tij ndaj parlamentarizmit, tha Merz.

"Ne përulemi përpara një burri shteti të vërtetë të vendit tonë, një burrë shteti evropian, një demokrati luftarak, një personaliteti domethënës në historinë e fundit të vendit tonë”, tha kryetari i CDU-së Friedrich Merz në fjalën e tij përkujtimore të mbajtur në seancën plenare të Bundestagut.

"Ai mund të ishte shumë i ashpër për një përmbajtje dhe kjo i solli – për shembull gjatë krizës financiare – jo vetëm miq të rinj”, tha Merz për Schäublen, i cili ishte ndër paraardhësit e tij si drejtues partie dhe i grupit parlamentar. "Por trajtimi që u bënte të tjerëve ishte gjithmonë korrekt, ai ishte gjithmonë i gatshëm të dëgjonte bashkëbiseduesin e tij me respekt dhe ishte gjithmonë i gatshëm të bënte kompromise në interes të Evropës”. Gjatë 30 viteve të fundit, mes tij dhe Schäuble-s qe zhvilluar një "miqësi e thellë dhe në besim" shtoi Merz.

Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Merkeli e çmon lart ministrin në tri kabinete të saj

Në bisedë me kanalin televiz gjerman, ZDF, ish-kancelarja Angela Merkel tha se për të Wolfgang Schäuble mbetet një "mbështetës i zjarrtë i ribashkimit gjerman". Në kabinetet ku bënte pjesë, ai ishte "një spirancë stabiliteti, qetësie dhe mprehtësie intelektuale". Merkeli tha se jo gjithmonë "kemi qenë të një mendimi, por kemi bërë gjithnjë një rrugë të përbashkët, kjo e përcakton më së miri raportin tonë". Përsa i përket raportit njerëzor, Merkeli tha se Schäuble dinte të bënte humor, ironi, nganjëherë edhe jemi ndarë, "por për mua në pikëpamje intelektuale ai ka qenë gjithmonë pasurues".

"Te Wolfgang Schäuble mendimet e ndryshme nuk ishin gjithmonë grindje, por ishin nganjëherë mosmarrëveshje: ai ishte në gjendje të të dëgjonte me vëmendje, ai ishte në gjendje të ndryshonte mendimin që kishte, dhe ne e kemi stimuluar reciprokisht njëri-tjetrin, kjo ishte ajo që unë e konsideroja fantastike te ai", tha Merkel.

Ish-Presidenti gjerman Horst Köhler, ish-kancelarja Angela Merkel, Ish-Presidenti gjerman Christan Wulff, Ish-Presidenti gjerman Joachim GauckFotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Bas nderon "një parlamentar të jashtëzakonshëm"

Ceremonia shtetërora u hap me fjalimin e Presidentes së Bundestagut, Bärbel Bas, e cili shprehu falenderimin ndaj Schäubles për shërbimet e tij ndaj Gjermanisë dhe Evropës. "Gjermania ka humbur një demokrat dhe burrë shteti të madh, Evropa ka humbur një mendimtar pararojë dhe Franca ka humbur një mik të veçantë”, tha Bärbel Bas, politikane socialdemokrate.

Schäuble ishte një "parlamentar i jashtëzakonshëm" gjatë më shumë se 50 viteve të tij në Bundestag, tha Bas.

Fotografi: Markus Schreiber/AP Photo/picture alliance

Një nderim i veçantë për Schäuble-n

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe paraardhësit e tij Joachim Gauck, Christian Wulff dhe Wolfgang Köhler gjithashtu morën pjesë në haraçin e varrimit. Kancelari Federal Olaf Scholz (SPD) ishte gjithashtu në mesin e pjesëmarrësve, siç ishte edhe paraardhësja e tij Angela Merkel (CDU).

Presidenti gjerman Steinmeier e urdhëroi këtë ceremoni shtetërore zyrtare menjëherë pasi Schäuble ndërroi jetë. Baza për vendime të tilla është një rregullore e vitit 1966, sipas së cilës ceremoni të tilla shtetërore, si funeralet shtetërore, u rezervohen "personaliteteve të jetës publike" që "i kanë bërë shërbime të shquara popullit gjerman". Sipas Bundestagut, akti shtetëror është "shprehja e vlerësimit më të lartë të ngjarjeve apo njerëzve nga përfaqësuesit më të lartë të komunitetit”.

Wolfgang Schäuble ishte 51 vjet me radhë deputet në Bundestag. Ai ndërroi jetë në 26.12. në moshën 81 vjeçare dhe u dërgua në banesën e fundit në 5 janar, në qytetin e tij Offenburg.

aud (zdf/tg)

 

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë