1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Evropa Lindore nuk është më "toka e panjohur" - Festivali ndërkombëtar i Letërsisë në Berlin

18 Shtator 2010

Rreth 200 autorë nga vende të ndryshme të botës, ndër ta edhe katër shqiptarë, marrin pjesë në Festivalin e sivjetëm të Letërsisë në Berlin.

Logo Festivalit të Berlinit

Kush mund ta dijë më mirë se lektorja e shtëpisë botuese "Suhrkamp" Katharina Raabe se përse publiku gjerman, nuk e ka aq të lehtë të hyjë në botën e autorëve të Lindjes? Në një artikull të publikuar në prag të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë në Berlin, Raabe kujton një anekdotë të shkrimtarit të njohur ukrainas Juri Andrukoviç, botuesja franceze e të cilit i kishte sugjeruar të ndërronte emrin nëse donte të bënte karrierë në letërsinë botërore. Raabe e përdor këtë anekdotë për të nxjerrë në pah se vështirësitë e depërtimit në tregun perëndimor nuk kanë të bëjnë vetëm me emrin, por më tepër me shkallën e kompleksitetit që mund të kenë tekstet e shkrimtarëve lindorë për lexuesin komod perëndimor.

Lektorja e shtëpisë botuese "Suhrkamp" Katharina RaabeFotografi: Jürgen Bauer

Evropa Lindore nuk është më "toka e panjohur"

"Evropa lindore nuk është më 'toka e panjohur', thotë Raabe, e cila ka përzgjedhur një pjesë të mirë të shkrimtarëve të rubrikës 'Fokus Osteuropa' të festivalit të letërsisë në Berlin. "Njëzet vjet pas fundit të ndarjes së Evropës shumë letrarë evropianolindorë kanë zënë vend në letërsinë botërore." Imre Kertész, Péter Nádas, Vladimir Sorokin ose Andrzej Stasiuk janë vetëm disa nga emrat që përmend lektorja.

Evropa lindore zë vend të rëndësishëm në panairet gjermane. Pamje nga panairi i LajpcigutFotografi: DW / Cöllen

Ata kanë mundur t'u prezantohen lexuesve gjermanë, falë edhe donacioneve zemërgjera të Fondacionit Robert-Bosch dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. "Tani ka ardhur koha që të bëhet një përmbledhje e temave të mëdha të Lindjes, e trashëgimisë së pashërueshme të Evropës Lindore dhe të shihet, se cilat janë tendencat letrare në të ardhmen." Raabe thotë se shumëçka mund të ketë ndryshuar në Evropën Lindore, por një gjë ka mbetur, roli i shkrimtarit, si kërkues i së vërtetës.

Letërsi nga Shqipëria e Kosova

Në edicionin e dhjetë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë në Berlin nuk mungojnë as autorët shqiptarë. Një mbrëmje letrare i kushtohet Anilda Ibrahimit. 38-vjeçarja nga Vlora do të lexojë (24 shtator) nga romani i saj më i fundit botuar fillimisht në italisht në vitin 2008 'Rosso come una sposa' (E kuqe si një nuse). Libri pritet të botohet në gjermanisht në mars të vitit të ardhshëm dhe rrëfen historinë e një familjeje nga Labëria përgjatë tri brezave. Të ftuar janë edhe Mimoza Ahmeti e Ali Podrimja, të cilët do të recitojnë vargjet e tyre në Natën e Poetëve (20 shtator). Ndërsa shkrimtari nga Kosova Beqë Cufaj në kuadër të rubrikës "Reflections" do të diskutojë me dy kolegët e tij nga Kroacia e Serbia Dubravka Ugresiç dhe Borka Paviçeviç për të ardhmen kulturore të ish-Jugosllavisë (19 shtator).

Beqë Cufaj, Mimoza Ahmeti, Ali Podrimja, Anilda Ibrahimi, janë katër autorët shqiptarë që marrin pjesë në Literaturfestival Berlin 2010Fotografi: Sieckmeyer/Manowic/privat/Bruneau

Goytisolo hap festivalin

Gjithsej 200 autorë prezantohen në festivalin ndërkombëtar të letërsisë në Berlin e ata vijnë nga e gjithë bota. Fjalën hapëse më 15 shtator e mbajti Juan Goytisolo. Shkrimtari dhe gazetari spanjoll e ka trajtuar gjerë e gjatë periudhën e tranzicionit të vendeve ish-komuniste, sidomos në romanin "Saga e familjes Marks". Në intervistën imagjinare me Karl Marksin ai mundohet ta konfrontojë atë me pasojat e komunizmit në Evropë, pasi Marksi me të shoqen shikojnë në televizor pamjet e anijeve me refugjatët shqiptarë në fillim të viteve 90-të. Por këtë radhë, Goytisolo ia kushtoi fjalën hapëse një transformimi tjetër, atij të Berlinit.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora