1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fëmijë të varfër në një shoqëri konsumi

Daniel Scheschkewitz27 Gusht 2007

Realisht fëmijët e varfër në Gjermani nuk vuajnë nga uria apo mungesa e strehimit. Në një shoqëri konsumi veçse varfëria relative krahasuar me ata që kanë mirëqenie kthehet në problem.

Fëmijë para vitrinës së lodraveFotografi: DW-TV

Gerhard Mylner (Gerhard Müllner) është drejtori i një organizate kishtare ku më së shumti punojnë pedagogë dhe punonjës socialë. Në të njëjtën kohë ai drejton edhe kopshtin e fëmijëve në rrugën Esher, e njohur si rrugë e varfër: "Shpesh shohim se fëmijët nuk hanë gjellë të ngrohtë në drekë, por prindërit u japin një euro ose një euro e gjysëm për të blerë ndonjë ëmbëlsirë apo patatina. Është më shumë një mungesë se sa uri."

Organizata ndihmon që fëmijët në nevojë të mos kenë nevojë të paguajnë shumën 30 euro në muaj për ushqim, ose së paku të paguajnë gjysmën e çmimit. Nga kjo përftion edhe Aishe Bastyrk, djali tetëvjeçar i së cilës, Denis dhe vajza 11-vjeçare, Jasmin shkojnë për drekë në mensën e organiaztës humanitare. Nëna kurde është prej kohësh e papunë, ajo duhet t'ja dalë mbanë me 600 euro në muaj asistencë papunësie dhe 500 euro që bashkëshorti i fiton si kamarerier në një restorant turk.

Pavarësisht asistencës së fëmijëve, paratë nuk mjaftojnë: "Unë kam qarë tek zoti Myler, disa herë. Ai më ka ndihmuar. Nuk mund të ndërmarr asgjë me fëmijët, nuk mund të shkoj as në kinema. Çdo gjë kushton. Djali im ka dëshirë të shkojë në kinema, por unë nuk mundem. Unë nuk mund të shpenzoj as 3.50 për fëmijët e mi që të shkojmë në MacDonalds. Kemi shumë borxhe dhe duhet që t'i shlyejmë."

Në këtë gjendje Aishe Bastyrk ra pas humbjes së vendit të punës si shitëse. Për Aishen është i vështirë edhe përballimi i shpenzimeve të shkollës: "Më duhej së fundi që për 40 euro të blija libra, por pastaj u harxhuan shpejt 80 euro se u shtuan lapsat e fletoret për vajzën. Më vonë duhej të paguaja edhe për djalin librat, ikën 100 euro."

Një varfëri me të cilën nuk luftojnë vetëm emigrantët në Gjermani, siç thekson sociologu dhe njohës i temës së varfërisë në Gjermani, Kristian Buttervege (Christian Butterwege): "1,9 milionë fëmijë jetojnë në Gjermani në të ashtuquajturat familje të Hartc IV, pra familje që jetojnë nga ndihma e shtetit, ndihmë që nuk është kushedi sa e madhe. 347 Euro jepen në muaj për të rriturit, fëmijet deri në 15 vjeç duhet të jetojnë me 208 euro në muaj. Kjo do të thotë që në këto kushte jetojnë 1,9 milionë fëmijë nga 11,4 milionë gjithsej."

Në disa rajonë madje jetojnë më shumë fëmijë në kushte të vështira sociale. Në Gërlitc, një qytet në ish Republikën demokratike gjermane në kufi me Poloninë, 44.1% e fëmijëve duhet të jetojnë me 208 euro në muaj. Për plotësimin e dëshirave të fëmijëve nuk mbetet më asnjë euro.

Aishe Bastyrk në këtë vit nuk festoi as ditëlindjen e vajzës:
"Vajza pati në datën 18 ditëlindjen. Nuk kisha para t'ja festoja. Kam vuajtur shumë për këtë. Pyesja veten si t'ja bëj që t'ja them vajzës. Pastaj e mora mënjanë dhe fola si me një të rritur. Ajo nuk reagoi keq, kur i thashë: shpirt, unë mund të përgatis vetëm një ëmbëlsirë më shumë nuk mundem. Ajo tha: Mami, unë jam e lumtur që ti je këtu, kjo është ftesa ime."

Sociologu Buttervege vëren: Për fëmijët dhe të rinjtë është veçanërisht e vështirë dhe ndrydhëse varfëria, pra të jenë relativisht të varfër në një shoqëri konsumi, ku ekziston një presion i madh ndah kësaj kategorie. Mes të rinjve bëhet fjalë kush ka celularin më të shtrenjtë, aparatet më moderne eletronike. Duhet që të jesh brenda klikës, pra t'i kesh simbolet, sepse edhe imazhi i dikujt varet nga fuqia e blerjes."

Edhe po qe se nuk mundesh? Aishe tregon për fëmijët e saj: "Ata e dinë, fëmijët e mi, se çfarë është varfëria, sepse ata e dinë që unë jam e papunë, që nuk kam shumë para edhe babai po ashtu. Për ata është shumë e vështirë, por ata janë fëmijë të fortë, ata do ta përballojnë...Patjetër."