Facebook & Co - si mund të sillemi në rrjetet sociale?
7 Korrik 2011Në kursin "Menaxhim i dijeve me teknikat web 2.0" të Shkollës Popullore të Hamburgut pjesëmarrësit duan të mësojnë më shumë për përdorimin e rrjeteve sociale. Si shumica e pjesëmarrësve, edhe Suzanne Roth nuk di shumë për rrjetet sociale. Ajo që ka mësuar ajo deri tani nga shtypi, e bën shumë skeptike.
Megjithatë ajo nuk dëshiron të mbetet jashtë zhvillimeve. Drejtuesi i kursit, Alexander Tscheulin jep këshilla për qendrimin e duhur ndaj shërbimeve online. "Në fakt, gjithçka është fare e thjeshtë", thotë ai. Më parë duhet të mendohesh, përpara se të vendosësh diçka në rrjet.
Kod sjelljeje edhe në internet
Për të shmangur shkeljen në dërrasë të kalbur, ekzistojnë këshilla për sjelljen e duhur me mediet sociale. Sjelljet e mira që respektojnë etiketën kërkohen tani sërish edhe në internet. Këtë e tregon edhe shtimi i kërkesave për kurse që tregojnë se si duhet të sillesh në rrjetet sociale.
Ka rëndësi që të kuptohen disa rregulla dhe forma në komunikimin e rrjeteve online, thotë Tscheulin: "Sepse ky komunikim është i ndryshëm, më i shpejtë. Duhet edhe të vendosësh: kur telefonoj më mirë me dikë dhe kur flas në chatt me dikë."
Ndershmëria është tendenca
Nëse zgjedh rrjete sociale për të këmbyer mendime, për t'u prezantuar, këtu i duhet kushtuar vëmendje stilit të sjelljes dhe mirësjelljes, janë të një mendimi ekspertët. Vetëm sepse nuk ndodhesh përballë tjetrit, kjo nuk të jep të drejtën t'i flasësh me "ti" partnerit të biznesit.
"Një mënyrë korrekte të drejtuari dhe një përshëndetje miqësore kur ndahesh duhet të jenë pjesë e natyrshme e kërkesës për kontakt", thuhet në një kod prej 12 pikash të mbikqyrësve të etiketës.
Përveç kësaj, edhe në rrjetet sociale ndershmëria pritet mirë. Kjo nis që kur ngre profilin online. Kështu mendon edhe Alexander Tscheulin, edhe vetë një përdorues entuziast i medieve sociale. Kur regjistrohesh, duhet të përdorësh emrin e vërtetë. "Kjo është edhe tendenca në rrjet, të jesh autentik dhe të shfaqesh si ai që je". Personazhe të sajuara nuk do të ndihmonin askënd.
Ndaj profesionin nga jeta private
Tscheulin vetë është regjistruar në Facebook, Xing, Linkedin dhe në Twitter. Kjo në një kohë që ai i ndan qartë kontaktet profesionale nga ato private. Megjithatë, mund të jesh fare mirë me shefin mik në Facebook, mendon ai, pa qenë e nevojshme që ai të shohë fotografitë private ose çdo njoftim të statusit tënd. Truke të vogla e mundësojnë këtë.
"Në Facebook ekzistojnë lista ose grupe të caktuara, për të cilat mund të përcaktosh të drejta të veçanta", shpjegon Tscheulin. Kështu nuk ke pse e fyen shefin dhe të mos ia pranosh ftesën në FB. Por ai që nuk dëshiron të miqësohet në asnjë mënyrë me shefin në Facebook është mirë të flasë personalisht me të dhe t'i shpjegojë me mirësjellje se Facebookun e përdor vërtet vetëm privatisht.
Kujdesi për miqësitë
Me shefin ose pa shefin në rrethin e miqve digjitalë në Facebook, fotografi, që të tregojnë të dehur ose gati lakuriq në plazh mirë është të mos i vësh fare në Facebook. Edhe sferën private të të tjerëve duhet ta respektosh. Askush nuk dëshiron që pa e pyetur të shohë papritur në internet fotografi ku ka dalë. Kjo në një kohë kur edhe për rrjetet sociale vlen e drejta për fotografinë tënde. Pikërisht në rastin e fotografive, miku mund të kthehet shpejt në armik. E rëndësishme është edhe të mos e humbasësh vështrimin e përgjithshëm e të harrosh se me kë je shok në Facebook. "Cilësia e ndërveprimit në Facebook ngrihet dhe bie me shokët që ke. Prandaj duhet ta dish se me kë je i miqësuar."
Autor: Janine Albrecht/ Auron Dodi
Redaktoi: Bahri Cani