Facebooku del në bursë
18 Maj 2012Të hënën e kaluar (14.05.12), themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg kishte ditëlindjen. Në moshën vetëm 28 vjeçare ai do të shkruajë të premten histori dhe do ta nxjerrë në bursë rrjetin social. I themeluar jo më larg se tetë vjet më parë, Facebooku bën pjesë sot në dhjetë markat më të njohura të botës dhe është në një radhë me McDonalds ose Coca-Colan - kjo e fundit e themeluar 100 vjet më parë.
Një nga daljet më të mëdha në bursë në histori
Dhe shpresat janë të mëdha: dalja në bursë mund të sjellë deri 15 miliardë dollarë. "Facebook-u mund të arrijë gjithçka. Komuniteti i investuesve i njeh shifrat gjigante të përdoruesve dhe shanset e rritjes", thotë tregtari i Wall Street-it, Louis Sulsenti. Do të shohim një nga daljet më të mëdha në bursë të të gjitha kohërave. Si krahasim: dalja më e madhe deri tani në bursë e Google-s solli diçka më shumë se 1,7 miliardë euro.
Por dalja në bursë e Facebook-ut i ndan mendimet e njerëzve të botës së financave. 900 milionë vetë e përdorin Facebook-un në të gjithë botën, një shifër sa tre herë popullata e SHBA. 900 milionë herë të dhëna specifike për njerëzit, për interesat, preferencat dhe rrjedhën e jetës së tyre- gjithmonë aktuale dhe të përkthyeshme në para: mbi tre miliardë dollarë arriti të fitojë rrjeti social vitin e kaluar vetëm përmes reklamës.
Pika me rëndësi kritike: përdorimi portativ
E ardhmja e biznesit në internet, sipas analistëve ndodhet në fushën e përdorimit portativ përmes celularit ose aparateve të tjera- këtu Facebookut i mungon modeli i biznesit. Po të marrim vetëm muajin mars: në këtë muaj përdoruesit e përdorën rrjetin social 100 minuta më gjatë në mjete portative se në kompjuterin e tyre. "Përdorimi më i gjatë përmes aparateve portative ul kuotën e fitimit të faqes në internet, meqenëse reklamë ka vetëm në faqen joportative," thotë analisti i teknologjisë informative, Scott Kessler nga Standard&Poor's. Për të ardhmen nevojitet një koncept, që të sigurojë para edhe nga përdoruesit në aparate portative. Megjithë numrin e madh të përdoruesve, prej një kohe të gjatë aktiviteti i përdoruesve ka rënë. Analistët e quajnë këtë Trend Sharing Fatigue, lodhje për të ndarë gjithçka gjithmonë me të gjithë rrjetin. Në prag të daljes në bursë, gati çdo ekspert i IT ka një ide, e cila garanton suksesin afatgjatë: Facebooku duhet të bëhet më i zhdërvjellët, për shembull të operojë si kompani multimediale, të integrojë më mirë lojërat, videot dhe filmat dhe të shtrihet edhe në fushën e telekomunikacionit.
I gjithë pushteti shefit
Mark Zuckerbergu i kushton në filmin e tij 30 minutësh për rrugën drejt së ardhmes katër minuta vizioneve të së ardhmes: Facebooku duhet të bëhet platformë qendrore për aplikacionet portative dhe për programet kompjuterike sociale. Vetë presidenti kokëfortë i bordit konsiderohet si faktor kritik: me 57 përqind ai do të zotërojë kaq shumë të drejtë vote dhe fuqi vendosëse sa asnjë bos tjetër në një firmë të orientuar në bursë. "Eshtë ai që e kontrollon Facebookun dhe duket të jetë një person që nuk konsultohet me të tjerët për vendimet e tij", thonë analistët.
Autor: Miriam Braun/Auron Dodi
Redaktoi: Esat Ahmeti