Falimenton “Elinika Gramata”
21 Shtator 2010
Libri me sa duket nuk është si kinemaja, që sipas traditës jo vetëm i reziston krizës por edhe lulëzon gjatë saj. Kriza e thellë e borxhit, që po zhyt vendin në recesion të thellë dhe shton përditë “ushtrinë” e të papunëve, duket se i tregon fort dhëmbët e saj edhe librit. “Deri Krishtlindjet e kaluara mendonim se kriza nuk e kishte përfshirë librin.
Kriza është këtu, është prezente
"Që në maj, qershor dhe korrik gjërat po bëhen dramatike, ka një rënie drastike” i thotë DW pronari i Shtëpisë Botuese “Agra”, Stavros Pecopullos, që sivjet gati do të përgjysmojë titujt e rinj të librave që përvit ishin mbi 60. “Vështirësitë janë të mëdha, nuk ia dalim me pagesat mujore, porositë po vështirësohen dhe librashitësit marrin vetëm librat që mund të tërheqin publikun, librat e vështira na mbeten në raft” thotë Pecopullos duke parë herë pas here në drejtim të dy nënpunësve të kioskës në krahë si për tu shfajësuar për problemet, që në fakt nuk janë vetëm të tijat. “Fnac u mbyll, ishin tre dyqane të mëdha. Ishte një skemë shumë e mirë se tërhiqte një larmi të madhe titujsh” thotë për kompaninë e famshme franceze me një gamë të madhe produktesh që nga kompjuterat, librat dhe deri te cd-të, që për 5 vjet nuk mundi të hapë më shumë se 3 dyqane në Athinë dhe kriza i la planet e saj për 10 dyqane të reja dhe 25 milionë euro investime vetëm në letër.
Por kriza kaloi dhe nga kryqëzimi i rrugëve Skufa dhe Demokritu dhe i vuri drynin librarisë se shtëpisë botuese “Potamos” (Lumi në shqip), ashtu siç bëri dhe me agjencinë e shpërndarjes së librit “To katarti” (Direku në shqip), por edhe me “Vatren”, të vetmen librari të librit shqip në qendër të Athinës. “Shitet”, “Jepet me qira” ishin lajmerimet e afishuara në vitrinën e librarisë, në rrugën Patisiu 25, si dhe një lajmërim me një telefon për legalizim dokumentash që personeli, në rolin e sekserit, merrte përsipër në përpjekjet e tij të dëshpëruara për të mbajtur hapur vatren e librit. “Kriza preku edhe librin. Kohët e fundit nuk shkelte njeri në librari dhe komshiu u detyrua ta mbyllë” thotë me keqardhje dhe me ankthin e krizës të dukshëm në sytë e tij rrobaqepësi Lefter Anagnosti në dyqanin e tij përbri.
Është pikërisht ky ankth që dëshmon më shumë se çdo statistikë përmasat e vërteta të krizës dhe i bën fjalët e Panajotis Kristaqis, pronarit të “Librarisë Kristaqis”, në rrugën Ipokratus, të tingëllojnë besueshëm, me gjithë biznesin e sukseshëm të shitjes me shumicë të trashëguar nga i ati me rreth 70.000 tituj librash në vit. “Numrat nuk tregojnë asgjë. Tani shikoni një lëvizje për shkak të librit shkollor. Nga 70.000 tituj që qarkullojmë do të kemi një rënie 25-30%...”.
Kriza është e kudondodhur
Në të gjithë lartësinë e piramidës së tregut grek të librit me rreth 10.000 tituj librash të rinj çdo vit, që nga libraritë e vogla dhe deri te Qendra Kombëtare e Librit që reduktoi buxhetin, ndërpreu subvencionimin e Qendrës Evropiane të Përkthimit dhe kaloi një mini krizë me dorëheqjen e zëvendëspresidentit të saj shkrimtarit Petros Tacopullos, që nuk e donte veten në rolin e “Mbikqyrësit të Keq”, sikurse deklaroi, për të aprovuar lirimin e 9 punonjësve. Erdhi koha të shohim libraritë dhe shtëpitë botuese të ulin qepenat si bizneset dhe dyqanet e tjera të shitjes? “Po, natyrisht, rasti më i fundit është mbyllja e shtëpisë botuese Elinika Gramata (Letrat Greke), i një shëpie botuese historike, që u ngrit më 1957 dhe u mbyll brenda një nate, siç themi në Greqi” i thotë DW Magda Kllavdianu, korrektore letrare.
Sipas të dhënave më të fundit, vetëm brenda vitit 2010 janë mbyllur 80 librari në të gjithë Greqinë. Borxhet duket se u marrin frymën ashtu si bizneseve edhe shtëpive botuese që “80% të aktivit të tyre e kanë detyrime ndaj bankave dhe furnitorëve”. Fitimet e 2009-es janë përgjysmuar për Shtëpinë Botuese “Livanis”, kurse për shtëpinë tjetër botuese “Qedhros” kanë rënë 44%. Por kriza nuk po i bën më të urtë botuesit, siç thotë Kllavdianu. “Për fat të keq kriza u erdhi në ndihmë shumë botuesve që të lirojnë pa dëmshpërblyer financiarisht punonjësit, të paguajnë më pak dhe sidomos me vonesa të mëdha”.
“Elinika Gramata” me mbylljen e tyre lanë në rrugë 95 punonjës, midis tyre edhe poetin shqiptar Luan Xhuli, që reportazhi për fat të keq nuk mundi ta evidentojë. Por preku edhe një shqiptar tjetër, shkrimtarin e shquar Ismail Kadare, pasi para tre vjetësh shtëpia botuese në fjalë kishte marrë të drejtat e botimit të veprës së tij dhe para pesë muajsh qarkulloi në greqish romanin e tij “Aksidenti”. Mbetet kështu pezull kontrata me autorin, por jo vepra e tij korpusi kryesor i së cilës ishte përkthyer nga shtëpia tjetër botuese “I 21-të”. “Ne vazhdojmë të kemi të drejtat e botimit të pjesës më të madhe të veprave të Kadaresë që janë botuar në Greqi”, i thotë DW bashkëbotuesi me vëllanë e tij Janin, Kostas Nikollopullos, si për t'i dërguar një mesazh autorit që të mos e shqetësojë fati i librave të tij në tregun grek. “Pas një periudhe rënieje të vogël, të post viteve 90-të, shitja e librave të Kadaresë shënon përsëri rritje” thotë Nikollopullos dhe sqaron se të dy vëllezërit kanë përkthyer 17 vepra të fqinjit të famshëm.
Me librin shqip ka lidhur aktivitetin e tij botues edhe Aleksandros Desillas me Shtëpinë e tij Botuese “ALDE”, me seli në Korfuz dhe një librari në Athinë dhe për tri javë dhe me një kioskë në Festivalin e 39të të Librit para mjedisit të Pallatit të Zhapës. Desillas ka një merak, që në fakt nuk i zbeh entusiazmin e tij për letërsinë shqipe: “Shkrimtarët shqiptarë përgjithësisht nuk shiten shumë në Greqi. Kongoli është përkthyer 3 herë në Greqi, është nga shkrimtarët më të rëndësishëm në Shqipëri, por lexohet më pak se të huajt e tjerë që nuk kanë nivelin e vlerave të tij” thotë Desillas i cili ka gati për botim “Kryqin e Harresës” të Flutura Açkës.
Është mbrëmje vonë dhe në kioskat e Festivalit të 39-të të librit ka pak njerëz. Për shkak të orëve të vona, për shkak të krizës, mendova me vete. Pa dashur të pajtohem me thënien që dëgjova se “grekët modernë përgjithësisht lexojnë pak”. Si për ta fshehur dhe nga Aristoteli i lashtë, pasi shumë afër festivalit të librit vitet e fundit arkeologjia solli në dritë liceun e tij të famshëm.
Autor: Niko Anagnosti
Redaktoi: Aida Cama