Familjet RAE në Mitrovicë do të jetojnë si gjithë të tjerët
21 Shkurt 2011
Rifadije Smajli, 30 vjeçare së bashku me familjen e saj, 12 vjet të jetës i kaloi në kampin Çesmin Llug, në veri të Mitrovicës. Ajo këtu ka lindur edhe të shtatë fëmijët e saj, më i vogli prej të cilëve i ka vetëm tre muaj.
“Shumë vështirë kena jetu. Bajshim kazana e korita me i la thminë. U sëmujshin, nëpër pluhur e npër lloq, nëpër barraka e dërrasa. Të tana të zezat...Fëmijët m´u smujshin nga temperatura, m´i kapte gërrqi”, rrëfen Rifadija, e cila në kushte të tilla jetese jetoi me afro 150 familje të tjera të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptas, në kampet Çesmin Llug dhe Osterode.
Jeta e vështirë në kampe po perëndon
Familja e Rifadijes është njëra ndër të 38 familjet e komuniteteve RAE, e cila së fundmi është vendosur në shtëpite e ndërtuara nga donacionet e BE-se. Ajo, pas çdo dite të kaluar në shtëpinë dykatëshe me hapësirë të mjaftueshme për vete dhe familjen e saj, e ndien ndryshimin e jetës krahasuar me barakën në veri.
“Po qysh nuk asht ma mirë?! Vec barna për thmi sa pagujsha...A e din sa pshtim asht për ne? Me të tana të mirat. Fëmijët përditë i laj n´banjo, janë shumë të gëzuar, me të tana të mirat. Unë për veti jam shumë e gëzueshme, shumë...Faleminderit shumë prej të gjithëve, shumë, shumë!”
Projekti për mbylljen e kampeve të romëve Çesmin Llug dhe Osterode në veri të Mitrovicës është një bashkëpunim i Komisionit Evropian dhe USAID-it, i realizuar në partneritet me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe komunën e Mitrovicës, e cila i ndau trojet. Kjartan Bjornson, shef operativ në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë thotë se:
“Ideja kishte për qëllim largimin e tërësishëm të familjeve nga kampet dhe shkatërrimin e tyre, meqenëse 5 milionë të shpenzuara nga ne dhe mbi dy milionë të tjerë nga USAID-i, mjaftojnë për t´i hequr ato përfundimisht. Kampi Çesmin Llug është mbyllur në vjeshtë të vitit 2010, prej ku janë shpërngulur dy të tretat e familjeve dhe të gëzon fakti, se shkalla e plumbit në gjak, me t´u larguar nga kampet e kontaminuara me plumb ka filluar t´iu zvogëlohet. Kanë mbetur edhe 38 familje të tjera në kampin Osterode, të cilat mendojmë t´i tërheqim prej aty në korrik të këtij viti. Pra, jeta në kushte tejet të vështira në kampet e kontaminuara me plumb po përfundon“, thotë Bjornsson.
Dëmtimi i shtëpive të reja
Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në partneritet me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe Komunën e Mitrovicës, para pak kohe ka ndihmuar shpërnguljen e 38 familjeve rome, ashkalinj dhe egjiptase (RAE)nga kampi Osterode në Lagjen e Romëve, në Mitrovicë. Njëri ndër ta është edhe Sebahudin Ramushi, 22 vjeç. Por, tek ai nuk gjejmë entuziazmin e pritur.
„Ka dallim nga jeta në kamp, por shtëpia ka lagështi, uji nga banjoja rrjedh, muret po qërohen”, thotë Sebahudini. Ndërsa, Ilmi Ramadani duke treguar muret e leskerosuara dhe tepihet e lagur nga gypat e banjos, ankohet për ndërmarrjen punëkryese.
„Problemi është se kane punu veç shkel e shko. A po e sheh qysh po qërohen muret? Dera e hyrjes me një shkelmë futet brënda dhe s´ka pikë sigurie. Kanalizimin e kanë hap para hunde dhe verës kur hapet, i vjen era. Oborrin, shih qysh e kanë lanë…!“
Projekti ka një qasje të shumëfishtë, ku krahas ndërtimit të shtëpive dhe riparimit përfshin edhe shërbimet shëndetësore, arsimin, dialogun ndëretnik, ndihmën ligjore, ngritjen e kapaciteteve, këshillimin, etj., thotë Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Sasha Rashiç:
“Mund të them me mburrje se iniciativa e vitit të kaluar së bashku me Komisionin Evropian dhe USAID-in për implementimin e projektit 7 milionësh për bartjen e këtyre familjeve në një mjedis më të shëndoshë pothuajse është arritur dhe pas ndërtimit të 88 shtëpive të reja në Mahallën e Romëve, aty i kemi kemi vendosur poaq familje. Mbesin edhe 39 familje në kampin Osterode, të cilat pritet të trajtohen deri në korrik të këtij viti. Ndërsa, komponenta e integrimit dhe infrastruktura do të mundësojë gjetjen e burimeve dhe gjenerimin e të ardhurave, që në këto familje të mund të jetojnë normalisht”.
Pritet organizimi i festivalit në Mëhallën e Romëve
Ndërsa, organizimi i një festivali në Mëhallën e Romëve do të jetë një mundësi për nxjerrjen në pah të kulturës dhe traditës se këtyre komuniteteve, thotë Kjartan Bjornson, shef operativ pranë Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian.
“Ne kemi ide që të krijojmë një festival të Mahallës Rome dhe do t´na pëlqente t´i inkurajojme këto komunitete të marrin më shumë përgjegjësi dhe të organizohen vetë, në mënyrë që t´iu tregojnë komuniteteve të tjera se cila është kultura dhe tradita e tyre. Se, edhe pse ka shumë stigma dhe komuniteti nuk është i lehtë si fqinj, ata kanë edhe të mira poashtu, siç janë muzika, vallëzimi, ushqimi dhe ndoshta edhe pakëz raki, çfarë parapëlqehet shumë në Ballkan. Dhe, ne shpresojmë se ideja e një festivali të tillë do të përmirësojë imazhin e tyre dhe do t´jetë mundësi për hapje vendpunimesh”.
Kampet “Çesmin Llug” dhe “Osterode” janë formuar ne vitin 1999, si zgjidhje e përkohshme për afro 150 familje të komuniteteve RAE. Bartja e 38 familjeve të kampit Oserode janë pjesë e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian. Ndërsa, me largimin e 39 familjeve në korrik të këtij viti përfundimisht do të mbyllen këto dy kampe të cilat janë quajtur “pikë e zezë për Kosovën dhe turp për Evropën e shekullit 21”.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Auron Dodi