1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fati i disave nuk do të zbardhet kurrë! Të pagjeturit në Kosovë 12 vjet pas luftës

28 Prill 2011

1.813 persona konsiderohen në Kosovë të pagjetur. Për fatin e tyre nuk dihet asgjë. Qindra mbetje mortore vazhdojnë të mbesin pa identifikuar në morgun e Prishtinës. Ndërkohë që ka dyshime për identifikime të gabuara.

Kosovo Vermisste Personen
Pamje simbolikeFotografi: DW

Sabit Vishajt nga fshati Beleg, nga forcat serbe i vranë nëntë anëtarë të familjes, gjashtë prej të cilëve dhe më tej rezultojnë të pagjetur. „Axhallarët dhe djemt e axhës, prej moshës 3 deri në 60-70 vjeçare m´janë vra në Masakrën e Belegut. Tre prej tyre janë gjetur, kurse gjashtë të tjerë ende figurojnë të zhdukur. I kemi dhënë të gjitha informatat që na janë kërkuar. Edhe mostrat e ADN-së i kemi dhënë. Kemi bashkëpunu me institucionet vendore, me EULEKS-in vetëm të zbardhet fati i tyre. Por, pa rezultat…“.

Dyshim për identifikime të gabuara

Ky lloj bashkëpunimi, jo edhe aq i lehtë për familjet e të pagjeturve, nuk haset përherë. Djegja e mbetjeve mortore, vështirëson procesin e identifikimit. Dr. Arsim Gergjaliu, ekspert për mjekësinë ligjore në Prishtinë ngre dyshimin për identifikime të gabuara për të varrosurit menjëherë pas luftës pa analiza të ADN-së. “Është punu me metoda klasike dhe zakonisht Tribunali i Hagës ka marrë një aktivist të fshatit dhe vetëm ai ka pas qasje aty. Ndërsa, në momentin kur i kanë hap, kufomat kanë qënë edhe të kalbëzuara. Kështu që, shumica prej tyre jane varros, mos të them edhe me hamendje, që më vonë ka rezultuar se janë krejt gabim...Ndërkohe jan ndërtu shumë përmendore të shtrejta. Por, shumica prej tyre le te jenë të vetëdijshëm se aty mund të mos i kenë të afërmit e vet. Sepse, ata 2000 njerëz janë varros pa kurrfarë analize të AND-së, pa kurrfarë autopsie ligjore dhe në një test që kemi ba në komunën e Mitrovicës, prej 12 rasteve që i kemi hap, katër kanë dalë gabim“, thotë dr.Gërgjaliu.

Banorët e Kosovës duan drejtësiFotografi: DW

Fati i disa të pagjeturve nuk do të zbardhet kurrë

Ndërsa dyshimi i përdorimit të furrnaltave për djegjen e trupave jep të kuptosh se enigma e fatit të disa të pagjeturve nuk do të zbardhet kurrë, thotë z.Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë, sipas të cilit, termi “i zhdukur” duhet pasur parasysh: „Sepse, dyshojmë se janë përdorur furrnaltat, duke fillu prej Ferronikelit në Drenas, në Trepçë, në Maqkaticë, madje ka zëra dhe informacione se edhe Kollubara është përdor. Sepse, njerëzit janë vra ose kidnapu edhe janë percjell me kamion, siç ka ndodh rasti në liqenin e Peruqacit, pastaj në Batajnicë…Dhe, në raste të tilla sigurisht se s´mund të kërkojmë gjurmë dhe mund të flasim për të zhdukur“.

Kosova ende nuk ka Ligj për të Pagjeturit

Në Kosovë problemi i të pagjeturve po mbetet gjithnjë e më në hije dhe mundësia për të qetësuar shpirtrat e familjarëve po zbehet përditë, thotë Haki Kasumi, kryetar i Këshillit Koordinues të Asosiacioneve për Persona të Pagjetur. „Gjendja e familjarëve, të cilët tash 12 vite jetojnë në ankth është më e rëndë se e çdo qytetari tjetër. Këta familjarë, në shekullin e 21, të presin 12 vjet për një informatë që është e drejtë elementare njerëzore, është padrejtësia më e madhe. Zhdukja e njerëzve është një prej krimeve ma t´rënda kundër njerëzimit!”, thotë z.Kasumi, sipas të cilit, kërkesa 11 vjeçare që institucionet vendore të shërbehen me një listë të konsoliduar, të cilën mekanizmat ndërkombëtar në Kosovë e kanë, nuk është përfillur.

Haki Kasumi, kryetar i Këshillit Koordinues të Asosiacioneve për Persona të PagjeturFotografi: DW/B. Shehu

Ndërsa, kërkesa për Ligjin për të Pagjeturit, ka hasur në vesh të shurdhër, krition Haki Kasumi. “Kosova ka nevojë për një ligj për të zhdukurit. Qe 11-të vjet ne përsërisim kërkesën e njëjtë dhe ai shtyhet e prolongohet. Ky ligj na ka pru shpirtin te goja. Ju lutem, a ka ujë që e lan? Gjyqi i historisë ne do t´na gjykojë rëndë!”

A është e përgatitur Kosova të dëshmoj krimin ndaj popullit të vet?

Ndërsa problemi i të pagjeturve në tavolinën e bisedimeve Kosove-Serbi, shoqatat për persona të pagjetur kanë edhe një brengë tjetër. “Sa qeveria jonë është duke punu dhe sa është e përgatitur që nesër të ballafaqohet me grupin dialogues të Beogradit, forcat e të cilit e kanë ba krimin. Këtë e din krejt bota! Por duhet dëshmuar dhe duhet sjellur njerëz dhe fakte të cilat argumentojnë atë krim”.

Në këtë rrugëtim shumëvjeçar bën pjesë edhe identifikimi i mbi 400 mbetjeve mortore në Morgun e Prishtinës. „Ne nuk kemi qasje të mjaftueshme. Mirëpo, sipas informatave që i kemi, numri i mbetjeve mortore të kompletuara dhe të pakompletuara në Morgun e Prishtinës është rreth 400. Ka edhe të dëmtuara deri në atë shkallë, sa nuk japin mundësi për analizën e ADN-së“, thotë Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë.

Vetëm 10 raste të proceduara nga gjykatat e Kosovës

Mirëpo për këto krime në gjykatat e Kosovës janë proceduar vetëm 10 raste-thotë Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare-Zyra në Prishtinë. „12 vjet kanë kalu prej krimeve masive nga forcat serbe në Kosovë. Por, edhe pse ne i kemi evidentu me emër dhe me mbiemër dhe me rrethanat e vrasjeve dhe zhdukjeve të 13 mijë e 300 personave në Kosovë, gjyqësori i Kosovës deri më tani i ka proceduar dhe janë dënuar me dënim të prerë, vetëm dhjetë raste.

Pllakat para parlamentit të KosovësFotografi: DW/B. Shehu

Hulumtimi i varrezave të reja është një sfidë tjetër për Kosovën këtë e kupton më së miri dr.Gërgjaliu, i cili flet nga përvoja: "Sa i përket gjetjes dhe hapjes së varrezave, ka pasur kamuflime nga pala serbe, si lëvizje të njerëzve, krijime të varrezave dhe mbi të kanë hedhur mbeturina të veturave të vjetra. Ndërsa, ka edhe eshtra të njerëzve që kanë rënë në përiudha të tjera”.

EULEX premton mbështetje në zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Prej fillimit të bashkëpunimit EULEX-Ministri e Drejtësisë, janë gjetur dhe identifikuar mbi 200 persona, më të fundit prej të cilëve ishin 18 anëtarë të familjes Krasniqi nga Malisheva. Të martën (26 prill) zëvendësshefi i EULEX-it Andy Sparks, në një komunikatë për media lëshuar me rastin e Ditës Kombëtare të të Pagjeturve, premtoi mbështetjen e mëtejshme të të gjithë mekanizmave në Kosovë për të zbardhur fatin e mbi 1800 personave të pagjetur. Përderisa, familjari i të pagjeturve Sabit Zukaj, bën thirrje tek të gjithë mekanizmat relevante për më shumë angazhim në zbardhjen e fatit të të dashurve të tyre: „Ju kisha lut sidomos këtyre prijësve tanë që punojnë për shtet të cilët janë ulur mbi gjakun e tyre, të mos harrojnë për asnjë çast se ku janë ulur...”.

Sipas Komisionit Qeveritar për persona të Pagjetur, në Kosovë rezultojnë edhe 1813 persona të pagjetur, të cilët nga forcat serbe u masakruan, u vranë dhe u zhdukën pa gjurmë.

Autor: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Lindita Arapi

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW