FAZ: Evropa Lindore dhe fundi i Luftës para 70 vjetësh
9 Maj 2015Rusët dhe fqinjët e tyre i kanë të përbashkëta përvojat negative historike: ata ishin viktima si të Hitlerit, ashtu edhe të Stalinit. Lufta asgjësuese gjermane në Lindje ishte e drejtuar kundër polakëve, ukrainasve, bjellorusëve dhe rusëve; terrori i pushtetit sovjetik i preku të gjithë popujt në fushën e ndikimit. Por një kuptim i përbashkët për këtë të kaluar nuk është zhvilluar - përkundrazi: historia e shekullit të 20-të rëndon fort mbi të tashmen e Evropës Lindore. Dhe kjo nuk ndodh tamam që kur Lufta e Dytë Botërore i shërben në propagandën ruse justifikimit të luftës në Ukrainë. Po do të ishim të pasaktë, po t'ia jepnim fajin për këtë vetëm Presidentit rus Putin dhe propagandistëve të tij. Meqenëse Bashkimi Sovjetik, megjithë ideologjinë e tij internacionaliste perceptohej gjithmonë si shtet rus, pesha e historisë sovjetike për rusët rëndon më fort se sa për "popujt e tjerë sovjetikë". Paradoksi, që Stalini sot është në sytë e shumë rusëve një figurë historike pozitive, megjithëse ai urdhëroi vrasjen e rusëve të panumërt, është rezultat i thyerjeve historike, që kanë lënë gjurmë të thella në historitë individuale të shumë familjeve ruse.
Terrori i viteve '30 i preku vërtet të gjithë popujt e Bashkimit Sovjetik, por ai eci krahas integrimit të një nacionalizmi rusomadh nga Stalini në ideologjinë komuniste. Në republikat sovjetike joruse, për shembull në Ukrainë, u zhduk në mënyrë të qëllimshme elita e sapokrijuar nacionale kulturore dhe intelektuale. Sot kjo e lehtëson trajtimin e tmerreve, sepse të gjithë mund ta shohin veten si viktima kolektive dhe t'ia hedhin fajin Moskës. Kjo ndihmon që të spostohet në sfond një fenomen, i cili ishte karakteristik kudo për stalinizmin: në një sistem, i cili bazohej në ngritjen e kallëzimit në detyrë të qytetarëve, dorasit dhe viktimat shpesh ishin pjesë të së njëjtës familje, madje shumë ishin të dyja këto në një person.
Ai që dëshiron të merret në Rusi me trajtimin e stalinizmit, ai nuk ka në dispozicion një strategji nacionale shfajësimi dhe prandaj arrin shpesh në këtë pikë të dhimbshme, tek e cila familjet mund të shkatërrohen edhe pas shumë brezave. Droja për t'u përballur me këtë histori është e kuptueshme; megjithatë, përvojat që "Memorial" - e vetmja organizatë në Rusi, që përpiqet për një dokument sistematik të krimeve të Stalinit - ka me viktimat dhe pasardhësit e tyre, tregojnë se kjo do të ishte rruga e pajtimit të Rusisë me veten.
Por një lëndë për një narrativë historike të përshtatshme për masat, për vetësigurimin e një kombi kjo nuk është. Atë e gjen në "Luftën e madhe atdhetare" si tregim të mbrojtjes heroike kundër një agresori të pamëshirshëm. Brutaliteti i fushatës asgjësuese gjermane nuk u la rusëve (as ukrainasve dhe as bjellorusëve) alternativë tjetër, se të luftonin për Stalinin, pavarësisht nëse e urrenin atë apo e nderonin. Fitorja mbi gjermanët i bashkoi me të vërtetë rusët. Edhe përtej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (për të cilin kjo fitore ishte i vetmi burim i legjitimimit) fitorja u bë një kapëse, e cila e mban tok shoqërinë me shumë kontradikta ruse.
Prandaj, çdo qeveri ruse është e detyruar që "Ditës së fitores", 9 majit dhe kujtimit të luftës t'i kushtojë rëndësi të madhe. Njëkohësisht, rusët presin me të drejtë, që Evropa, para së gjithash Gjermania t'i përkujtojë me nderim viktimat dhe të vlerësojë kontributin e Ushtrisë së Kuqe në mposhtjen e nacionalsocializmit, siç bëri Presidenti Federal i Gjermanisë, Gauck.
Plagët që hapën terrori i Hitlerit dhe i Stalinit janë kaq të thella, sa mund të shërohen vetëm ngadalë. Një proces i tillë gjithmonë është edhe i dhimbshëm, siç tregon historia e pajtimit të Gjermanisë me fqinjët e saj. Përballja e hapur me historinë ka bërë që Gjermania të ketë sot marrëdhënie të mira me të gjitha fqinjët - gjë që përballë krimeve të kryera nga gjermanët midis viteve 1939 dhe 1945, edhe 70 vjet pas Luftës së Dytë Botërore duket gati si mrekulli. Përkundrazi, në Lindje të Evropës, kontradiktat midis Rusisë dhe fqinjëve të saj, të cilët dikur kanë qenë viktima të nacionalsocialistëve janë thelluar, sepse Putini e instrumentalizon të kaluarën për politikën e tij agresive.
Në vend që të theksohet e përbashkëta e përvojave historike, Moska shpif për ata që kujtojnë anët e errëta të zhvillimit të luftës nga sovjetikët, si për shembull dëbimin e popujve të tërë në emër të gjoja bashkëpunimit me gjermanët, pra si kolaboracionistë. Baltët dhe polakët, të cilët në zgjerimin e sundimit të Stalinit mbi të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore nuk qenë në gjendje të shikonin çlirim, akuzohen se janë simpatizantë të fashistëve. Vënia propagandistike e shenjës së barazimit të separatistëve prorusë në Ukrainën Lindore me rezistencën kundër pushtimit gjerman është deri tani pika kulmore e këtij trajtimi cinik të historisë. Ajo flet për përçmim për të gjitha viktimat e dhunës totalitare, edhe për rusët - dhe krijon konflikte të reja, të rrezikshme për të gjithë Evropën.
„©" "Frankfurter Allgemeine Zeitung"