1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

FDP: fundi i një epoke

Monika Griebler/Eliana Xhani23 Shtator 2013

Asnjë parti tjetër gjermane nuk ka qenë aq gjatë në pushtet sa FDP. Por tani kjo mbaroi, FDP nuk hyn në Bundestag.

Anëtarë të FDP të zhgënjyer nga rezultatetFotografi: picture-alliance/dpa

Një rënie kaq e thellë, kaq e dhimbshme. Është "ora më e hidhur për FDP", tha Christian Lindner i liberalëve gjermanë (FDP), pasi u publikuan rezultatet e para. Rezultati zyrtar: 4,8 për qind. Një humbje prej rreth 10 për qind. Për herë të parë që prej vitit 1949, partia e tij nuk merr asnjë vend në Bundestag.

Lindner, kryetar i FDP-së në landin Nordrhein-Westfalen, zakonisht një orator elokuent dhe që rrezaton vetëbesim, e përballoi me vështirësi dhe shprehje të ngurta intervistën e parë në televizion të dielën në mbrëmje (22.09.). Kjo është fytyra e zhgënjimit.

Para së gjithash sepse në zgjedhjet e kaluara parlamentare 2009, FDP kishte shënuar rezultatin e saj më të mirë: 14,6 për qind. Po tani? Një rënie e pashembullt, nga rezultat rekord në humbje rekord.

"Ishte fatura për politikën e bërë prej FDP-së", thotë politologu Ulrich von Alemann. "Liberalët kanë bërë gabime në politikën, programin dhe fushatën e tyre elektorale por edhe në zgjedhjen e personave drejtues."

Fillimi i rënies

Katër vjet zgjat një legjislaturë në Gjemani, për FDP-në këto ishin katër vite ngjitjeje dhe rënieje. Rënia filloi direkt para zgjedhjeve: nën trysninë e liberalëve dhe kristiansocialëve (CSU), qeveria vendosi të ulë TVSH-në për fjetjet në hotel. Thuajse në të njëjtën kohë u bë publik një donacion milionësh i një sipërmarrje hotelesh për FDP-në. "FDP u perceptua menjëherë si parti klienteliste, si parti interesash, që synon t'ua bëjë jetën më të lehtë taksapaguesve të mëdhenj", thotë Alemann.

Koalicioni FDP - CDU - CSU i takon së kaluarësFotografi: picture-alliance/dpa

Kësaj iu shtuan edhe zënkat në gjirin e partisë: Guido Westerwelle-s, iu desh të jepte dorëheqjen në 2011 nga postet e zv/kancelarit dhe kryetarit të partisë, ndër të tjera për shkak të vlerave në rënie të popullaritetit. Por edhe nën drejtimin e kryetarit të ri të partisë Philipp Rösler, tendenca e rënies vazhdoi. Pikën më të ulët partia e arriti në 2012 në zgjedhjet për parlamentin e landit të Zarës: 1,2 për qind, rezultati më i dobët i liberalëve në një land perëndimor që prej themelimit të partisë.

Rezultate të mira pati para së gjithash kur kandidatët në nivel landi u distancuan nga partia në rang federate: Christian Lindner për shembull në Nordrhein-Westfalen, i cili mori 8,6 për qind në zgjedhjet për parlamentin e landit. Ose Wolfgang Kubicki në veri të Gjermanisë në Schleswig-Holstein me 8,2 për qind.

Dikur partner klasik qeverisës

Lindner-in dhe Kubicki-n i ndihmoi profili i tyre, gjë që mungonte në nivel federate. Për ministrin e Jashtëm Guido Westerwelle ka kritika se është rritur në post. "Por në politikën e jashtme nuk mund të thuash se Westerwelle ka arritur këtë apo atë", kritikon politologu von Alemann.

Guido Westerwelle nga FDP, ministër i Jashtëm i GjermanisëFotografi: picture-alliance/dpa

Megjithatë FDP ka përvojë në qeverisje. Asnjë parti tjetër në Gjermani nuk ka qenë aq gjatë e përfshirë në qeverisje sa ajo: para 64 vjetësh në Republikën Federale u mbajtën zgjedhjet e para. FDP ka qenë që atëherë gjithsej 52 vjet në qeveri. Edhe vetë partia e Kancelares Merkel, Unioni Kristiandemokrat-Kristiansocial (CDU/CSU), në total ka vetëm 44 vjet qeverisje.

Nga 1969 deri 1998 liberalët kanë qeverisur pa ndërprerje me partnerë të ndryshëm: fillimisht me socialdemokratët (SPD) dhe pastaj me Unionin (CDU/CSU). Asnjë parti nuk ka qenë më gjatë pa ndërprerje në pushtet. Por FDP ishte vazhdimisht partneri i vogël.

Fajtore është edhe AfD

Dhe kjo u bë pjesë e problemit: "Forca e Merkelit u kthye në dënimin e FDP-së. Për përmasat e humbjes kanë përgjegjësi në radhë të parë Kancelarja dhe Unioni", thotë von Alemann. Suksesi elektoral në 2009 u bazua para së gjithash tek zgjedhësit që ndryshojnë. Ata ishin të zhgënjyer nga ish-koalicioni i madh mes konservatorëve dhe socialdemokratëve, veçanërisht nga CDU. Tani ata kanë gjetur tjetër destinacion.

Por që FDP nuk kaloi pragun për të hyrë në Bundestag, sipas mendimit të politigolut, u kushtëzua nga dikush tjetër: "Pa partinë 'Alternativa për Gjermaninë' (AfD), FDP do të kishte hyrë me siguri në Parlament."

Sinjale për daljen e mundshme të FDP-së u dhanë që në sondazhet para zgjedhjeve: herë 4 për qind, herë 6 për qind, gjithnjë rezultat i ngushtë. Dhe pastaj një javë para zgjedhjeve për Bundestagun, qytetarët në Bavari nuk i dhanë FDP-së votat e mjaftueshme për të hyrë në parlamentin e landit. Aktualisht FDP është e përfaqësuar në vetëm tetë nga 16 parlamentet e landeve dhe vetëm në një land merr pjesë në qeveri.

Anëtarë të partisë FDP të zhgënjyerFotografi: picture-alliance/dpa

Si do të vazhdohet më tej?

Koha për të dhënë lamtumirën? Jo, thotë politologu Ulrich von Alemann: "FDP është këmbëngulëse. FDP ka një histori të madhe. Ajo ka mbajtës mandatesh kudo, edhe në komuna. Ajo ka rrënjë solide në shoqëri, në opinion dhe për këtë arsye ky nuk është fundi i FDP-së."

Por krahët e ndryshëm të partisë duhet të lidhen përsëri qartë dhe besueshëm me njëri-tjetrin. Njeriu i duhur për këtë është ndoshta Christian Lindner, ish sekretari i përgjithshëm. Humbja është kaq e thellë, tha ai të dielën në mbrëmje (22.09.): "Nga nesër FDP duhet të rikonceptohet."

Rindërtimi do të jetë i mundimshëm, por për këtë liberalët do të kenë katër vjet kohë, deri në zgjedhjet e ardhshme për Bundestagun.