Feith mbështet qeverinë e Kosovës në kontrollin mbi gjithë territorin
10 Gusht 2011
Serbët e veriut janë të përqarë rreth marrëveshjes së KFOR-it me qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë dhe heqja e barrikadave është bërë vetëm në drejtim të pikës kufitare Bërnjakë, përderisa barrikada më e madhe në Rudarë, vazhdon të jetë në vendin e njëjtë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e qeverisë ka thënë se nuk ka perspektivë për ata që bllokojnë rrugët në veri.“Qeveria e Republikës së Kosovës do të respektojë me përpikmëri marrëveshjen e arritur, ndërsa ata që nuk e pranojnë realitetin e ri në Kosovë duhet ta kenë të qartë se nuk do të ketë perspektivë për barrikaduesit dhe bllokuesit. Por, do të ketë perspektivë të sigurt rendi, ligji dhe lëvizja e lirë edhe në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës“.
Sekretari shtetëror për Kosovën, Oliver Ivanoviq, ka shprehur keqardhje për ndërprerjen e seancës së strukturave paralele në Leposaviq për heqjen e barrikadave në veri dhe ka shprehur shqetësimin pse seanca është përdorur për grindje ndërpartiake. Sipas tij: “Serbët e Kosovës, për shkak të mospajtimeve me Beogradin, mund të bëhen „shënjestër“ e ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve të Kosovës”.
Nga ana tjetër shefi i Zyrës Civile Ndërkombtare në Kosovë, Piter Feith ka thënë se „pret që marrëveshja e KFOR-it e arritur me Prishtinen dhe Beogradin të realizohet dhe të ruhet qetësia në veri. Feith ka përsëritur se qeveria e Kosovës ka plotësisht të drejt në përpjekjet për të vënë kontrollin mbi territorin e vet“.
Autore: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Esat Ahmeti