1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Femrat police në Shqipëri - tashmë diçka e zakontë

25 Shkurt 2010
Shumë femra në Shqipëri punojnë në radhët e policisë
Shumë femra në Shqipëri punojnë në radhët e policisëFotografi: DW

Për cilindo drejtues automjeti që lëviz në pjesën e fillimit të aksit rrugor Tiranë- Elbasan, nuk mund të mos ketë rënë në sy Arta, një 36 vjeçare, me uniformën e policisë së qarkullimit rrugor. Duke qënë me shërbim në njërin prej segmenteve më të ngarkuar të hyrje –daljes në Tiranë, ajo është mjaft dinamike gjatë turnit të shërbimit. I duhet të normalizojë ngarkesën dhe bllokimin në trafik, të këshillojë drejtuesit që janë të pavëmendshëm, të gjobisë, ose t'u marrë licensën atyre që shkelin rëndë rregulloren e qarkulllimit, të bëjë sinjale me duar, të japë info dhe të orientojë shoferët e huaj që vijnë për herë të parë në Tiranë etj., etj.

Arta Shurbi është me origjinë nga Mirdita. Ka 8 vjet që është punonjëse policie në kryeqytet dhe tashmë është e vetmja nga brezi i saj që bën këtë punë në sektorin e qarkullimit rrugor. Ajo thotë për DW, se edhe po t'i duhej të vendoste dhe të zgjidhte sërish një profesion, ky do të ishte përsëri policimi.

“Është mënyra më e mirë të jesh në shërbim të komunitetit. Ndihesh me të vërtetë shumë mirë. Ndihesh shumë komode në punën që bën dhe të vjen mirë kur shikon se ndihmon komunitetin”.

Por punonjësi i qarkullimit në një vend si Shqipëria has në vështirësi të shumta . Aq më tepër kur këtë rol e merr një femër. Arta thotë se e ka kaluar fazën e fillimit plot stres dhe të panjohura, kur shikohej dhe perceptohej me çudi, nënvlerësim, e pse jo dhe me shpoti nga drejtuesit e automjeteve.

“Për drejtuesit e automjeve meshkuj nuk është se puna ka shkuar në acarim të madh, sepse ata kanë hasur korrektësinë dhe seriozitetin tim, dhe kuptohet që në shumë pak sekonda duhet të tërhiqen. Gjatë 8 viteve të mia të punës nuk kam patur asnjëherë probleme me shoferët meshkuj”

Arta Shurbi flet për DWFotografi: DW

Po me drejtueset e automjeteve femra?

“Shiko, të gjithë thotë se ato janë më të rregullta. Unë jam vetë femër dhe nuk i paragjykoj, nuk jam maskiliste, por ama ato janë shumë problematike. Nuk është se kam patur ndonjë debat. Por janë shumë pak të kujdesshme. Mbase kanë shumë punë, stresi, familja, por unë shikoj mjaft të meta tek ato”.

Në Shqipëri aktualisht janë me uniformën e policisë rreth 700 femra. Ky numër është diku tek 8 përqind të numrit të përgjithshëm të uniformave blu. Ato punojnë në qarkullimin rrugor, te patrullat e gatshme të policisë, në togat e shoqërimit të të ndaluarve, në administratën policore etj.

Nadire Korbi i ka kaluar 6 vitet si punonjëse e policisë. Ajo është nga Burreli, por fillimet e shërbimit i ka patur në komisariatin e policisë së Kukësit, në verilindje të vendit. Konkretisht në strukturat e luftës kundër trafiqeve, meqënëse ishte në një zonë kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kemi patur mjaft raste të femrave të trafikuara, jam marrë natën dhe ditën me to. Por unë punën në polici e kam nisur me dëshirë ndaj dhe kjo punë nuk më dukej aspak e bezdisshme”.

Nadirja tregon për DW se dhe bashkëshorti i saj është po punonjës policie. “Kjo na ka vendosur në kushte që e kuptojmë më mirë njeri-tjetrin, kuptojmë lodhjen dhe stresin, por dhe kënaqësinnë e punës. E kemi mbaruar shkollën e policisë të dy, ai punon në pikën e kalimit kufitar në Morinë. Ndërsa unë tek drejtoria e policisë. Ndoshta dhe kjo ka të bëjë që jemi të dy në një profesion dhe merremi vesh”.

Silvana Binjaku është punonjëse policie prej rreth 5 viteve në komisariatin e Elbasanit. Ajo thotë për DW-në se rekrutimi i femrave në polici krijon një atmosferë më të favorshme në komunikimin dhe raportet me komunitetin.

“Sa më shumë femra të ketë dhe ambjenti behët më i këndshëm, bëhet më i butë, dhe kjo është e vërtetë”.

Silvana mendon se sjellja e femrës zbut në një farë mënyre dhe komunikimin me njerëzit në rrugë, në ambjentet publike, apo private.

Nadirja kujton se nuk kanë munguar dhe raste të reagimeve të ashpra ndaj saj nga njerëzit, veçanërisht nga meshkujt, të cilët kanë bërë shkelje të ligjit, ose nuk e kanë respektuar atë.

“Ka qëlluar që qytetari nuk ka qënë i kënaqur me punën time, sepse nuk është i mirëinformuar me punët e policisë. Mund të ketë mbetur i pakënaqur nga unë. Dhe ka ndodhur që dhe na kanë fyer, por kemi bërë sikur nuk i kemi dëgjuar…”.

Brikena Berisha është nga Durrësi. Ajo ka mbaruar shkollën e mesme dhe sapo ka vendosur të hyjë në radhët e policisë. Po kryen një kurs formimi bazë për policimin në Tiranë dhe pas disa javësh do të jetë në terren duke kryer detyrat e ngarkuara. Brikena është e vetëdijshme se po i hyn një profesioni të vështirë dhe mbi të gjitha, që ende paragjykohet në shoqërinë shqiptare.”Ka vëshitësi, pasi përballesh me opinionin e shoqërisë shqiptare që e konsideroj ende si një shoqëri maskiliste. Mendojnë se një femër nuk është mirë në polici, nuk përshtatet e ka vështirësi, por dëshira duhet të jetë mbi të gjitha, të ecim përpara me vullnet e punë”.

Janë këto vajza dhe gra që përballen përditë me zbatimin e rregullit dhe të ligjit. Por dhe të thyejnë një tabu e mentalitet në komunitet, si dhe vetë marrëdhëniet që kanë me kolegët e tyre. Duke u dhënë strukturave të policisë më shumë ndjesi njerëzore, për të garantuar të dy aspektet e detyrës: rend e siguri, por dhe zbatim të të drejtave e lirive të qytetarëve.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi