Fenomeni i incestit në Kosovë - Fshehja e fakteve favorizon keqbërësit
18 Janar 2011Në tri vitet e fundit, në Policinë e Kosovës janë raportuar vetëm 4 raste të incestit, thotë Sabrije Kamberi, zyrtare për Informim në Policinë e Kosovës. Në bazë të statistikave, në vitin 2008, në Policinë e Kosoves është raportuar për një rast të incestit, i cili ka rezultuar me vrasje, e që motivi ka qënë keqtrajtim seksual. Në vitin 2009 janë raportuar tri raste të incestit, dy raste janë cilësuar dhunim ndërsa një rast, tentim dhunimi. Ndërsa në vitin 2010 nuk është raportuar asnje rast i incesti, sipas zonjës Kamberi.
Një grua kosovare, në kushte anonimiteti rrëfen për Dojce Vele-n çfarë i ka ndodhur një familjareje të saj. Rasti është njëri nga tri të raportuarat në polici: "Jo, çika nuk ka desht, por tezaku i vet e ka rrejt: "M´ka çu nana me t´mar me fjet te na!", edhe kah e ka pru e ka dhunu n´mal. Por, kur e ka lane shtatzanë, ka dashtë me e çu te mjeku me abortu. Kur s´ka dashtë kjo e ka rreh, se e ka pa veten çka ba. Çika, pas rrahjes e ka lajmeru n´polici dhe ka kallxu se e ka dhunu. Ai po e mban burgun tri vjet për këtë rast, e tezakja i ka lind çikë e ka dhanë për adoptim".
Incesti - i vështirë për trajtim nga ana gjyqësore
Për shkak të mosbashkëpunimit të dëshmitarëve dhe heshtjes së fakteve nga familjarët, incesti mbetet lënda më e vështirë për t´u trajtuar nga gjykatat në Kosovë. Mejdi Dehari, gjyqtar penalist në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i cili ka trajtuar lëndë të incestit, sjell detaje nga përvoja e tij: "Kemi pas një rast ku viktima pas incestit me babain është largu nga shtëpia dhe ka qënë e vështirë sjellja e saj në shqyrtimin gjyqësor. Pas ngritjes së aktakuzës, gjykata nuk ka mundur të mbështesë vendimin vetëm në një deklaratë të një të afërmit të saj, ndërsa ajo pasi është sjellë në gjykatë ka thënë vetëm të kundërtën, sepse ndërkohë ka krijuar familje. Mirëpo, i njëjti person ka provuar të abuzojë edhe me vajzën tjetër, e ajo e ka thënë të vërtetën para Trupit Gjykues, pa ngurrim. Dhe kështu, personi është dënuar mbi katër vjet për tentim dhunimi."
Rezistenca e fortë e familjeve të prekura nga fenomeni ishte pengesë ndaj nismës së akademik Pajazit Nushit për hulumtimin e mirëfilltë të incestit. Naime Sherifi, drejtoreshë e Strehimores për Gruan dhe Fëmijën në Prishtinë, ku me programe të veçanta janë trajtuar tri viktima të incestit, e di se arsyet e kësaj rezistence janë: "Pikë së pari, stigma. E dyta, pikëpyetja ku do të mbetem pas kësaj, a do t´më pranojë rrethi? Dhe e treta, mosbesueshmëria në institucionet e rendit." Drejtoresha Sherifi, e cila ka parë nga afër mohimin e fenomenit nga familjarët e viktimës-Sepse, ata janë më shumë të interesuar ta mbyllin rastin, se është çështje nderi dhe ata përpiqen të mbajnë një moral të rrjeshëm në mënyrë që mos t´iu dal nami i zi".
Një sistem i fortë vlerash - ka efekt parandalues
Nuk ka mjedis kulturor as social pavarësisht nga shkalla e zhvillimit, i cili nuk e ndalon incestin. Ky fenomen ka tërhequr vëmendjen e mendimtarëve që në kohërat e lashta, ndërsa edhe feja ka thënë fjalën e vet lidhur me ndalimin e marrëdhenieve seksuale brenda farefisit deri ne faqen e katërt.
"Ndërsa, eliminimi i fenomenit varet shumë prej zhvillimit të sistemit të vlerave sociale, i cili dikton normat morale që e ndalojnë rreptësisht dukurinë e incestit", thotë Prof.Dr. Pajazit Nushi, sipas të cilit: kryesit e kësaj vepre penale kanë probleme të rënda psiko-patologjike dhe medoemos duhet t´iu nënshtrohen seancave të posacme psiko-terapeutike. Në të kundërtën, zhvillimi i individëve që kanë pësuar apo i janë nënshtruar dukurisë së incestit, nuk mund të jetë normal ndërsa ky anormalitet do të shfaqet gjatë jetës, qofte edhe në moshë të shtyrë në të shumtën me agresivitet të dukshëm.
Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime të ashpëra, varësisht nga pasojat e kësaj vepre penale. Ndërsa, rasti më makabër i incestit në Kosovë mbetet dhunimi dhe ngulfatja e një vogëlusheje 7 vjeçare nga axha i vet, i cili ka përfunduar me dënimin capital: 40 vjet heqje lirie.
Prof. Dr. Pajazit Nushi: "Për këtë arsye në psikologji konsiderohet se formimi i "Mbi-Uni", të njeriut me anë të edukatës familjare e sidomos zhvillimi sistematik i këtyre vlerave është një prej kushteve kryesore të ikjes ose të largimit të individëve nga dukuria e incestit". Edhepse fenomeni i incestit në Kosove dhe rajon është shumë më i shprehur, përpjekjet për hulumtime nuk kanë sjellë rezultate shkencore, ngaqë fenomeni zhvillohet në forma tejet të fshehta.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktoi: Lindita Arapi