1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fenomeni i vetëvrasjes në Shqipëri

11 Shtator 2010

Ekspertët shikojnë si shkak thelbësor prishjen e kohezionit social, në kushtet e një dinamike shumë të përshpejtuar të ndryshimeve sociale që kanë ndodhur e ndodhin në Shqipëri.

Prof. Dr. Theodhori Karaj
Prof. Dr. Theodhori KarajFotografi: DW

“E fejojnë me mblesëri, vetëhelmohet!”, shkruante me gërma të mëdha në fillim të kësaj jave njëra prej gazetave kryesore që botohet në Tiranë. Artikulli i referohej rastit fatkeq të një vajze 22 vjeçare nga qyteti i Fierit që kishte konsumuar me dëshirën e saj një substancë të rrezikshme që i mori dhe jetën. Lajme dhe raportime për raste të vetvrasjeve ndesh thuajse çdo ditë dhe gjeografia e tyre është nga zona të ndryshme të vendit, si nga qëndrat urbane, nga komunitetet që jetojnë në hapësirat rurale, apo dhe nga ato familje që janë vendosur në dy dekadat e fundit në pjesët periferike të qyteteve kryesore të vendit. Me rreth 340 raste në vit fenomeni i vetevrasjeve mbetet ende problematik për shoqërinë shqiptare. Këtyre u shtohen edhe ato raste kur vetëvrasja mbetet në tentativë, kur për një rrethanë a një tjetër, autori arrin të mbijetojë.

Lidhjet sociale janë dobësuar

Dekani i fakultetit të Shkencave Sociale pranë Universitetit të Tiranës, prof. dr. Theodhori Karaj, vlerëson si arësye thelbësore që i çon njerëzit drejt këtij akti të rëndë prishjen e kohezionit social, në kushtet e një dinamike shumë të përshpejtuar të ndryshimeve sociale që kanë ndodhur e ndodhin në Shqipëri. Lidhjet sociale janë dobësuar, nuk vihet re suporti social që ka ekzistuar vite më parë, por edhe lidhjet familjare nuk janë aq të forta, thotë prof. dr Karaj për DW.

“Sot njerëzit janë veçuar nga njeri – tjetri edhe si pasjojë e konkurencës, e ambicieve në kuadër të ekonomisë së tregut. Në këto kushte kur është dobësuar kohezioni social, ose suporti social, si dhe kohezioni familjar ose suporti familjar atëhere individët janë më të ekspozuar ndaj situatave depresive dhe në këto kushte ata ndjehen më të vetmuar, pa mbështetje e pa shpresë. Dhe kjo është një nga shkaqet kryesore të vetëvrasjeve.”

Dr. Artan BitriFotografi: DW

Përhapja e konsumit të drogave dhe alkolit

Mjeku patolog në njërën prej poliklinikave kryesore publike në Tiranë, dr. Artan Bitri e vlerëson fenomenin nga pikëmamja shëndetësore. Duke vënë si shkak kryesor depresionin tek njerëzit që zgjedhin vetëndëshkimin, dr. Bitri tregon dhe faktorë të tjerë.

“Mund të përmendim drogën, alkolin, por dhe problemet social-ekonomike, të cilat më parë nuk kanë qënë kaq të shprehura. Aktualisht droga dhe alkoli janë bërë shkaqe madhore që çojnë në depresion. Nëse nuk kontrollohen përdoruesit e drogës e ata të alkolit, atëhere normalisht rastet do të rriten. Duke shtuar dhe ato raste që kanë si shkak kushtet social- ekonomike, atëhere depresioni do të bëhet goxha problematik në vitet në vazhdim”.

Prof.dr Theodhori Karaj, duke vështruar mbi statistikat e përhapjes së fenomenit thotë se vetëvrasjet më shumë kryen nga femrat në raport me meshkujt, ndërkohë që mosha më e prekur është ajo e adoleshencës

Menaxhimi i konfliktit mes brezave

“Një arësye madhore se përse ky fenomen ndodh më shumë tek adoleshentët është fakti se prindërit nuk e kuptojnë këtë moshë dhe nuk arrijnë ti menaxhojnë në mënyrën e duhur konfliktet mes brezit të ri dhe brezit më të vjetër. Si pasojë adoleshenti është në një moshë delikate dhe e bën aktin e vetëvrasjeve edhe thjesht për t'u hakmarrë ose për të lënduar prindërit që nuk e kanë kuptuar atë”, thotë prof.dr. Karaj.

Duke mbetur tek ky argument ai kujton raste të vajzave adoleshente, të cilat për shkaqe dashurore, për pengesa nga prindërit, ose kur këta të fundit e çmojnë fëmijën si pronë të tyre, kanë përfunduar në vetëvrasje. Ai thotë se për këtë fenomen duhet folur dhe diskutuar më shumë në komunitet.

“Po të shikosh historitë personale të atyre që janë vetëvrarë, në një pjesë të mirë gjen argumente bindëse se familjarët, të afërmit e shoqëria mund ta kishin evituar vetëgjykimin fatal”, thotë për DW Theodhori Karaj, dekan i fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Aida Cama