1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fermerët e pakënaqur gjermanë planifikojnë protesta të reja

20 Janar 2024

Miratimi i buxhetit ndal krizën buxhetore, por jo fermerët. A do t'i imitojnë ata jelekverdhët francezë, pyet Auron Dodi

Bauernproteste – Berlin
Fotografi: Monika Skolimowska/dpa/picture alliance

Miratimi të enjten (18.01.) i buxhetit të shtetit nga Komisioni vendimtar i Buxhetit i Bundestagut i dha fund krizës buxhetore në Gjermani. Tani është vetëm hap formal miratimi i buxhetit nga i gjithë Bundestagu Gjerman, më e vonta në fillim të shkurtit. Buxheti i ri i shtetit ka një vëllim prej 476,8 miliardë eurosh. Borxhet e reja kufizohen në 39 miliardë euro, shumë që respekton frenën kushtetuese të borxhit (0,35% e PBB). 

Kompromisi i arritur lehtëson planifikimet e kompanive për vitin e ri. Me të, Gjermania lë pas vetes një krizë të shkaktuar nga mosrespektimi i kushtetutës. Pasi kriza buxhetore gjermane nuk u shkaktua, sepse qeverisë gjermane i mungonin vërtet paratë. Por sepse qeveria i kishte bërë planet fillestare buxhetore për këtë vit mbështetur në para, që nuk lejohej t'i përdorte: në kredi të marra për pandeminë e Covid-19 (60 miliardë euro), të cilat nuk qenë shfrytëzuar. 

Fotografi: Nadja Wohlleben/REUTERS

Konsumatorët i presin çmime më të larta

Por në 15 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese Federale gjermane gjykoi se veprimet e qeverisë në këtë drejtim ishin anashkalim i frenës së borxhit kushtetues. Edhe ndryshimi i destinacionit të kredive u shpall i papranueshëm. Për buxhetin e 2024-ës tani mungonin 17 miliardë euro, të paracaktuara (e të premtuara) nga tri partitë për objektiva përkatëse kombëtare.

Pas vendimit të Kushtetueses, qeverisë tripartiake gjermane iu desh rreth një muaj (13.12.2023) që të arrinte një kompromis për buxhetin. Kompromisi u arrit me shkurtime të buxhetit, me zhvendosje fondesh dhe me të ardhura më të larta. Por shkurtimet kryesisht të subvencioneve, edhe në Fondin për Klimën dhe Transformimin (FKT), shkaktuan diskutime të zjarrta, të cilat u desh të sqarohen në Komisionin e Buxhetit.

Buxheti i ri parashikon disa masa financiare që pritet të sjellin më shumë para në arkën e shtetit. Konsumatorët i presin ndër të tjera çmime më të larta për biletat e avionit, ku do të rritet taksa. Si dhe çmime më të larta për ngrohjen, për gazin dhe karburantin, pasi do të rritet çmimi i dioksidit të karbonit. 

Protesta të reja të fermerëve në prag

Por disa organizata fermerësh janë shprehur të zhgënjyer nga buxheti i ridiskutuar dhe miratuar në Komisionin e Buxhetit. “Fermerët tanë janë të zhgënjyer që nuk janë dëgjuar" deklaroi presidenti i Shoqatës së Fermerëve, Joachim Rukwied,  dhe paralajmëroi protesta të reja "përsëri nga java tjetër".

Fotografi: Jochen Eckel/picture alliance

Fermerët janë të pakënaqur, sepse me buxhetin e ri qeveria iu përmbajt shkurtimeve të subvencioneve edhe për ta, megjithë kërkesat e fermerëve për t'i tërhequr krejt shkurtimet. Ata duan që qeveria të lërë gjithçka si deri tani dhe t'u kthejë fshatarëve 21,48 cent për litër naftë.

Si kontekst: pas vendimit të Kushtetueses dhe vështirësive buxhetore pasuese të krijuara, qeveria gjermane tha se do të vendosë një taksë për automjetet bujqësore. Më tej ajo vendosi t'i japë fund lehtësimit tatimor për naftën bujqësore. Kjo shkaktoi protesta të fermerëve në mes të dhjetorit. 

Fermerët bllokuan me traktorë, akset kryesore rrugore të disa qyteteve gjermane dhe të Berlinit. Qeveria hoqi dorë atëherë nga taksa për automjetet bujqësore, dhe e zbuti masën e dytë. Berlini vendosi që lehtësimi tatimor aktual për naftën bujqësore të mos eleminohet menjëherë, por gradualisht, deri në vitin 2026. 

Por zbutja e masës nuk i zbuti aspak fermerët. Në 8 janar ata shpallën një "javë veprimi". Mijëra fermerë bllokuan me traktorë autostradat dhe mbajtën manifestime në të gjithë Gjermaninë. Në manifestimin më të madh, në Berlin, morën pjesë sipas policisë, 8500 vetë, ndërsa sipas organizatorëve 30.000 vetë.  

Fotografi: Maurizio Gambarini/FUNKE Foto Services/IMAGO

Paralelizmat me protestat e jelekverdhëve në Francë

E përbashkëta me protestat e jelekverdhëve në Francë është se shkëndijën për nisjen e protestave e dha vetëm një masë e qeverisë: taksa mbi naftën e automjeteve bujqësore. Edhe në Gjermani, në rrugë, fermerët gjermanë i nxorri shpallja e heqjes së subvencioneve për naftën bujqësore. 

Por situata në Gjermani dallohet nga situata e viteve 2018/2019 në Francë. Protestat në Francë drejtoheshin kundër mungesës së një programi të përgjithshëm social, për të shoqëruar tatimet e reja. Si dhe kundër dështimit të qeverive të mëparshme franceze, për të luftuar pabarazinë sociale në rritje në vend.

Në Gjermani, deri tani, nuk ka kërkesa të përgjithshme, që të përfshijnë shumë sektorë. Kërkesa që t‘i vënë pikëpyetje të gjithë modelit social të Gjermanisë. Megjithatë: mundësia që kërkesat e protestuesve të zgjerohen, ekziston.  

Protestuesit thanë se kanë dalë në rrugë jo vetëm kundër taksës për naftën e automjeteve bujqësore. Por edhe për shkak të "gjithnjë e më shumë rregullave dhe kushtëzimeve", që synohet ta bëjnë më ekologjike bujqësinë dhe të sigurojnë kujdes më të mirë për kafshët. Mjaft fermerë e ndiejnë veten para kërkesave arbitrare. Ankohen se duhet të kalojnë tepër shumë kohë me mbushjen e formularëve. 
 
Gjendja aktuale e fermerëve: shumë e mirë
 
Është fakt interesant se situata ekonomike e fermerëve gjermanë aktualisht është shumë e mirë, sipas informacioneve të tyre. Sipas të dhënave të DW, fermerët kanë përfituar shumë nga rritja e çmimeve të ushqimeve në Gjermani. Revista e sektorit bujqësor, “agrarheute”, shkruan për “fitime rekord” në vitin financiar 2022/23. Shoqata Gjermane e Fermerëve theksoi vetëm pak kohë më parë se rezultatet e fermave janë në nivelet më të larta historike. Në raportin vjetor, të Shoqatës së Fermerëve shkruhet se "pas shumë vitesh dobësi, situata ekonomike e fermave është përmirësuar ndjeshëm në dy vitet e fundit".  

Njohës të gjendjes tërheqin megjithatë vëmendjen se struktura u bujqësisë në Gjermani është shumë heterogjene dhe se nuk kanë përfituar të gjithë nga ngritja e çmimeve të ushqimeve.

Fermerët gjermanë kanë shqetësimin e së ardhmes. Nga fati i një ferme varet jeta e familjeve të tëra të fermerëve. Ata ndihen nën presion: nga  vështirësia për të konkurruar me produkte të vendeve të tjera evropiane dhe me shtete të tjera, megjithë subvencionimin e madh nga shteti gjerman. 

Fotografi: Sebastian Gollnow/dpa/picture alliance

Mbështetja për protestat e fermerëve në popull
 
Tërheq më tej vëmendjen fakti se 81 përqind e gjermanëve tregojnë mirëkuptim për protestat e fermerëve. Kjo rezultoi në një sondazh të fundit të Institutit Demoskopik Forsa. Një shpjegim për këtë mbështetje duhet kërkuar jo te gjendja aktuale e vështirë e fermerëve. Por te mbështetja e frikës për të ardhmen nga shumë gjermanë, e një frike për atë që mund t'i presë gjermanët në të ardhmen. Mirëkuptimi për fermerët është i madh te zgjedhësit e të gjitha partive. Por kryesojnë me 98 përqind mirëkuptim zgjedhësit e partisë ultra të djathtë AfD. 

Qëndrimi i qeverisë ndaj situatës  

Kur Gjermaninë e kërcënonte vjet një dimër i ftohtë, për shkak të ndërprerjes së gazit rus, qeveria miratoi një paketë subvencionuese prej 200 miliardë eurosh. Tani mundësitë janë më të kufizuara. Grupet parlamentare të partive në pushtet, SPD, të Gjelbrit dhe FDP vendosën dje (18.01.) një mocion për rezolutë, me të cilën deri në pushimet e verës do të miratohet një paketë masash lehtësuese për fermerët. Por fermerët i shohin me skepticizëm këto hapa.

E rëndësishme për reagimin do të jetë se a do të zgjerohen protestat dhe se kush do të bashkohet me fermerët. Kancelari Olaf Scholz ka paralajmëruar që fermerët të ruhen nga depërtimi i ekstremistëve në radhët e tyre. Mjaft ekstremistë të djathtë kanë qenë pjesë e protestave të fundit. Kjo u vu re në pankarta kërcënuese për anëtarët e qeverisë dhe në mbajtjen e simboleve si litari. Protestues të zemëruar bllokuan një traget me ministrin e Ekonomisë, Robert Habeck, që kthehej nga pushimet me familjen, akt që u dënua nga establishmenti politik. 

Fermerët thonë në deklarata se nuk kanë të përbashkëta me ekstremistët. Ata thonë se për ndryshimet e qeverive në Gjermani mbështesin rrugën e zgjedhjeve.   

Po edhe nëse duket se tendencat e radikalizimit dhe për protesta masive e trondisin modelin ekzistues, thuajse perfekt, të demokracisë konsensuale në Gjermani: Gjermania ruan stabilitetin e përgjithshëm, megjithë një situatë në zhvillim.