1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ferr flakësh në Greqi

Niko Anagnosti27 Gusht 2007

Numri i viktimave rritet në 62 vetë. Gjatë natës së sotme zjarret kanë kërcënuar fshatra të tjerë të Peloponezit.

"Shkatërrime biblike" i cilësuan mediat greke dëmetFotografi: AP

Vetëm me fjalët "Ferri i Dantes" dhe "shkatërrime biblike", siç përcillej dhe nga reporterët grekë, mund të përshkruhet edhe nata e tretë e zjarreve të shumta në zonën e Peloponezit që duket se do të shuhen vetëm kur të djegin gjithçka ose kur të kapin bregun e detit.

Lista makabre e viktimave arriti cakun e 62 vetëve dhe e vetmja gjë e sigurt është se mund të rritet dhe më tepër ashtu si furia e boforëve apo ndryshimi i drejtimit të erës, që kur nuk shkaktojnë vatra të reja rindezin ato të shuarat më parë. Avionët e tipit Kanader dhe helikopterët të stacionuar në tokë janë në pritje të agimit të ditës së sotme për t'u hedhur sërish në betejën më flakët. Për gjithë natën zjarret kanë kërcënuar fshatra të tjera të Peloponezit, banorët e të cilëve braktisen shtepitë dhe u evakuan nga helikopterët Super Puma.

Greqia, që nuk arrin të numërojë plagët me mbi 600 shtëpi të djegura dhe katastrofen e paparë ekonomike dhe ekologjike, u gdhi dhe me makthin e djegjes së trevës historike të Olimpisë të lashtë, që flakët për gjithë natën e mbajten të rrethuar 3 km larg saj, pra larg Stadiumit, Muzeut dhe Akademisë, të cilat kishin kaluan proven e madhe të pasdites së djeshme duke ngjallur interesimin e reportereve nga gjithë bota. " U bë përpjekje e madhe, me interesimin e vetë kryeministrit Karamanlis" thotë ministri i Kulturës Vullgaraqis.

Djepin e kërcënuar të qyteterimit të lashtë e vizitoi mbremë vonë edhe kryetari i opozitës socialiste, zëdhenësi i sëcilës, Janis Ragusis, i cili më parë ishte tejet kritik ndaj qeverisë. "Sot tragjedia e zjarreve kërcënon jetën edhe të qytetarëve të tjerë por po shkatërron edhe Olimpinë e lashtë, që simbolizon historinë por edhe kulturën tonë në qyteterimin botëror" tha zëdhenësi duke i bërë apel qeverisë "që të mbrojë qytetarët dhe historinë".

Por përmasat e tragjedisë krijojnë terren për opcionin e një plani të organizuar, që u përforcua dhe më tepër mbremë me informacionet për mundësinë e ridjegjes së periferisë së Athinës ku dolën patrullat ushtarake. "Mund të themi së bëhet fjalë për një kërcënim asimetrik" pohoi edhe ministri i Rendit Polidhoras për të shkaktuar reagimin e menjëhershëm të opozitës së majtë. "Nuk është ora për teori komplotesh" tha kryetari i saj Allavanos duke paralajmëruar kryeministrin që të mos bëjë gabimin e ish-kryeministrit spanjoll Athnar që inkriminimin e kundërshtarëve për sulmet terroriste në Madrit e pagoi me humbjen e pushtetit.

Kjo jep edhe stigmën e ballafaqimit elektoral që do të pasojë shuarjen e zjarreve. Administrimi i kësaj krize të paparë do të jetë një sfidë e madhe për të gjithë politikanët, por në radhë të parë për qeverinë dhe kreun e saj, Karamanlisin, që me 200 milionë euro të ofruara dhe masat e shumta për të nesërmen dhe shërimin e plagëve mbetet të shihet në se do të përsërit apo jo shembullin e ish- kancelarit gjerman Shrender që katastrofën e përmbytjeve të vendit të tij e ktheu në një fitore elektorale.