Festa e Ramazanit një sfidë për myslimanët në Gjermani
20 Korrik 2012Kush ka mundësi merr më mirë pushimet, dhe e kalon Ramazanin në vende, ku shumica e banorëve janë myslimanë. Por, si ia bëjnë myslimanët që punojnë në punë të rënda këtu në Gjermani? Dhe pas çfarë moshe duhet të agjërojnë fëmijët dhe të rinjtë?
Sfida e agjërimit
Lava Mustafa: "Unë kam agjëruar shpesh dhe kjo nuk është shumë e vështirë. Agjërimi është pjesë e traditës sonë."
Umm Aziz: "Unë e kam shumë të vështirë të mos pi kafenë e mëngjesit. Ajo është për mua shumë e rëndësishme."
Haider Omar: "Ka mundësi që të tjerët arrijnë t`ia dalin, por unë jam pak i dobët. Unë nuk agjëroj dot."
Ali Chucri: "Muaji i Ramazanit është për myslimanët muaji më i rëndësishëm i vitit. Për mua nuk mund të ndodhë që të mos agjëroj."
Që me fillimin e zbardhjes së ditës deri në mbëmje nuk duhet ngrënë, 18 orë në ditë, gjatë gjithë muajit. Ky është realiteti i mbajtjes së Ramazanit për myslimanët që jetojnë në Gjermani, i cili filloi ditën e premte (20.07.2012) në mëngjes në orën 3.34. Muaji më i bukur i vitit, të cilin "Sultani“ e zgjodhi mes muajve të kalendarit hënor mysliman, por njëkohësisht edhe një periudhë kohe me sfida të mëdha. Nën temperatura të larta të motit, luftë me etjen. Lodhja dhe dobësia e vështirësojnë ditën. Duhanxhinjtë nuk pijnë cigare ditën, deri sa në darkë agjerimi në vend që të prishet me hurma prishet me një cigare. Dhe detyrimet e përditshme, të cilat shumica e myslimanëve nuk mund të mos i realizojnë. Umm Aziz është 33 vjeçe dhe jeton prej 15 vjetësh në Gjermani. Vitet e para ajo e ka mbajtur Ramazanin edhe këtu. Por sa më shumë kohë bëhet këtu, aq më i vështirë i bëhet agjerimi. "Sivjet do jetë shumë e vështirë. Unë duhet të merrem me gjithçka, të kujdesem për fëmijët që të shkojnë në kohën e duhur në shkollë, të shkoj në punë, të bëj pazarin. Shpesh unë vij pasdite në punë, në restorant, ku duhet të përgatis gjellët për darkë, për prishjen e agjërimit. Klientët tanë janë kryesisht arabë, ata kanë agjëruar gjatë ditës dhe vijnë këtu në darkë të hanë. Unë shpresoj që të mund ta mbaj agjërimin deri në fund të muajit."
Vitet e fundit nuk ka ndodhur kështu. Por sivjet Umm Aziz do ta mbajë Ramazanin, për shkak të fëmijëve. Nëse ajo nuk është në gjendje ta mbajë, atëherë do të ndihet keq, kur në fund të Ramazanit të gjithë myslimanët të festojnë festën e ëmbëlsirave dhe bashkë me të edhe triumfin mbi egon personale.
Haider Omar punon që prej një viti në gastronomi. Ai ka një restorant në Këln dhe këtë vit nuk do ta mbajë Ramazanin. "Mua më duhet t'i provoj gjellët, nuk mund t`ia lë këtë punë punonjësve të mi. Prandaj nuk mund të mbaj Ramazan."
Skarra dhe furra japin temperatura të larta, të cilat mund të bëhen të papërballueshme në varësi të motit. Kështu që etja rritet. Kjo është një nga më të këqijat e heqjes dorë nga shijet tokësore: "Unë kam agjëruar për vite me radhë. Por unë pi duhan, që do të thotë se të heq dorë nga ushqimi dhe pija nuk është problem i madh për mua, por të mos pi cigare e kam shumë të vështirë. Kur thyhet agjerimi pi fillimisht një cigare. Pastaj ha dhe pi."
Mungesa e masës së agjëruesve
Në vendet jomyslimane si Gjermania, mungon diçka shumë e rëndësishme, vala e besimtarëve të agjërojnë bashkarisht, gjë që ekziston në vendet myslimane dhe të ndihmon kundër motit të nxehtë në shkretëtirë, kundër joshjeve të përditshme. Kur të gjithë agjërojnë atëherë dyqanet janë të mbyllura dhe asnjë njeri nuk ha ose pi në rrugë, kjo e lehtëson shumë agjerimin. Prandaj në kohën e verës myslimanët gjermanë shkojnë ta kalojnë Ramazanin në vendet e origjinës. Kush ka mundësi, shkon atje.
Edhe nëse muaji i Ramazanit është një nga shtyllat kryesore të fesë islame, feja ofron mundësitë për të bërë përjashtime për njerëzit me situata të caktuara jete, thotë imami Erol Pürlü nga Lidhja e qendrave kulturore myslimane (VIKZ) në Këln: "Në fenë islame ekziston një parim, që atë çka njeriu nuk është në gjendje që ta bëjë, nuk ia kërkon as Zotit që ta bëjë. Në Kuran p.sh. udhëtarët dhe të sëmurët përjashtohen nga agjërimi. Po ashtu ekzistojnë rregulla përjashtim për nënat me fëmijët në gji, për gratë shtatzëna dhe të sëmurët kronikë."
Të sëmurët kronikë kanë mundësinë që duke u dhënë dhurata të varfërve ta shlyejnë mosmbajtjen e agjërimit. Besimtarët e përjashtuar nga agjërimi, p.sh. gratë që kanë menstruacione, mund t`i shpërndajnë ditët që nuk kanë agjëruar, gjatë gjithë pjesës tjetër të vitit. Për fëmijët dhe të rinjtë ka rregulla speciale: "Për agjerimin është i rëndësishëm pjekuria fetare. Kjo mund të arrihet me 13, 14 apo 15 vjeç, varet nga rasti. Dijetarët myslimanë e kanë vendosur pjekurinë fetare bashkë me pubertetin. Megjithatë fëmijët mund të fillojnë që më parë me agjërimin."
Sipas pikëpamjeve fetare agjërimi është kryesisht një "aktivitet në shërbim të Zotit", thotë Imam Pürlü. Në surën e dytë të Kuranit çdo myslimani i kërkohet të agjerojë në muajin e Ramazanit. Përveç kësaj ekzistojnë edhe aspekte të vetëkontrollit, të mëshirës për të uriturit në vendet e varfëra të botës si dhe arsye shëndetësore, si p.sh. pastrimi i trupit. Arratisjen nga e përditshmja një muaj të tërë, afrimin me Zotin apo Allahun, përqendrimin në gjëra të rëndësishme dhe dhënien e kuptimit pozitiv bashkëjetesës me njëri - tjetrin, janë po aq të rëndësishme sa thjesht heqja dorë nga ushqimi dhe pija, thonë besimtarët. Sa më intensivisht të arrihet kjo, aq më shumë kënaqësi jep festa përfundimtare.