1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festimet e Pashkëve në Kosovë

Ajete Beqiraj9 Prill 2007

Besimtarët e krishterë në Kosovë, përkujtojnë Ringjalljen e Krishtit si ngjarje unike në historinë e njerëzimit dhe festën e ngadhnjimit mbi vdekjen e kremtojnë me urimet për një jetë në paqe, begati dhe lumturi

Fëmijë nga Kosova me kryq në dorë, 28 prill 1999,
Fëmijë nga Kosova me kryq në dorë, 28 prill 1999,Fotografi: DW / Aida Cama

Rrezet e diellit, të cilat të dielën përnjëherësh me turmën e besimtarëve u futën përmes portave e mëdha të kishës „Shën Katarina“, në Pejë, ishin simbolikë e ardhjes së dritës për njeriun, me Ringjalljen e Krishtit dhe zbritjen e mesazhit të shumëpritur për çlirim nga mëkati dhe pavdekësi. Muret anësore të kishës që rrethojnë radhët e bankave të mbushura plot, janë të veshura me piktura të udhëtimit të Krishtit drejt Kryqit.

Në ballë të kishës, ikona e virgjëreshës Maria me të birin e poshtë saj, altari i mbuluar me lule dhe qirinj; lumturi dhe dritë, për të cilën lutet kjo turmë besimtarësh! Rruga për tek altari është e hapur, e në ballë të saj, udhëheqësi shpirtëror i turmës, Don Lorenc Sopi, vjen me fjalët e Zotit: „Me të vërtet, ende nuk kishin kuptuar për shkrimin e shenjt, se Ai duhej të ngjallej së vdekuri“ Në mëngjesin e së dielës, gratë kanë vizituar varrin ku sipas besimit të krishterë ato shohin gurin e rrokullisur dhe përkujtojnë ringjalljen e Krishtit. „Kjo ngjarje është një mister i Zotit. Një mister i ngjalljes së Krishtit, i cili na siguron të gjithë neve se pas vdekjes lind jeta, prej errësirës shpërthen drita”.

Mesha me këngë kishtare, lutje, lexim të fjalëve të Zotit e gjunjëzim para tij, nga besimtarë në moshë të thyer e deri në fëmijë, përfundon me shtrëngim duarsh dhe me fjalën e Jezu Krishtit: „Paqe për ju“! Në radhën e besimtarëve janë edhe tre italianë nga Bergamo, që sa po bëjnë kryë me gishtrinjtë e lagur në ujin e bekuar. Larg nga Italia katolike, ata thonë se e kremtja e Pashkëve në Kosovë ofron ndjenjë të njëjtë! Virginia Rota, thotë se këto rite sa janë të ndryshme aq janë të bukura dhe popujt tonë, në këtë pikë bashkohen. Përderisa, Jakomo Angeloni, thotë se përveç meshës dhe riteve, i kane bërë përshtypje edhe përkushtimi dhe finesa e besimtarëve shqiptarë. Besimtarët drejtohen shkojnë te prifti për përgëzime.

Një motër nderi ua ofron fëmijëve shportën me çokollata plot. Por, kjo ndodh vetëm një herë në vit-në festën e Pashkëve, sikur ankohet Ermira. Origjina e festës së Pashkëve është judaiko e krishterë, kur Zoti zgjodhi Moisiun si udhëheqës për çlirimin e popullit të Izraelit nga skllavëria e Egjiptit. Mrekullia e Moisiut me ndarjen e Detit të Kuq dhe ngrënja e darkës së fitores nga izraelitët, njihet me emrin Pashkë. Ringjallja e Krishtit përkon me të njëjtën ditë. „Na i kremtojme dy festa, edhe ikjne nga Egjipti edhe daljen e Krishtit nga varri“-thotë motra Marie, e cila vjen me rrëfimin e njëjtë.

Në meshën dy orëshe të së shtunës mbrëma, u bekua edhe ushqimi I cili do të shtrohej në sofrën e pashkëve. Buka e Bekuar për Ditën e Ringjalljes së Krishtit! „Kjo është simbolikë e Pashkëve të para. Është bukë e veçantë, e cila në Vigjilje të Pashkëve bekohet, ndërsa të dielën e hamë të gjithë. Ndërsa, vetë e Pashkëve me të ciolat shërbehen mysafirët; e kuqja është pika e gjakut të Krishtit, ndërsa veza sinjifikon jetë. Pra, zogu shpërthen lëvozhgën, që don të thotë, Krishti del prej varrit“.

Tashmë, besimtarët largohen nga konaku i udhëheqësit shpirtëror don Lorenc Sopi, për të vazhduar të kremten e Pashkëve në atmosferen familjare, e cila do të vazhdojë edhe të hënën. Ndër ta janë edhe italianët e shoqatës humanitare “Caritas”, prej të cilëve shkëputet David Markageli me një urim të sinqertë për festën e Pashkëve: „Në këtë vend me shumë vështirësi, do të dëshiroja që këtij populli të shumëvuajtur t’I uroj ditë më të mira, unitet, paqe dhe afrim me njëri-tjetrin“.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW