1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Festivali Evropian i Këngës dhe të drejtat në Azerbajxhan

Roman Goncharenko / E. Xhani15 Maj 2012

Në Azerbajxhan zhvillohet finalja e Festivalit Evropian të Këngës. Aktivistët për të drejtat e njeriut duan të tërheqin vëmendjen ndaj deficiteve në demokraci në vendin e pasur me naftë buzë detit Kaspik.

Salla e Eurovisionit në Baku.
Fotografi: picture-alliance/dpa/gmp

I ngarkuari i qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut Markus Löning është i indinjuar: "Rasti i fundit tronditës, që kam përjetuar është ai i një gazetareje, të cilën e njihja, mbi të cilën është ushtruar trysni."
Gruaja quhet Khadija Ismailova. Gazetarja e njohur azerbajxhanase provoi vetë se çdo të thotë të hulumtosh për artikuj kritikë ndaj qeverisë në Baku.

Markus Löning - deficite serioze!Fotografi: DW

Në fillim të marsit 2012 Ismailova mori një letër anonime. Ajo përbante foto intime të gazetares dhe shokut të saj, të cilat mesa duket ishin marrë me një kamera të fshehtë të banesën e saj. Në letër kishte edhe një mesazh: "Kuçkë sillu mirë, ndryshe do të përhapet nami i keq." Reporterja megjithatë i vazhdoi hulumtimet dhe e publikoi letrën kërcënuese. Një javë më vonë në internet u publikuan video të gazetares, të cilat cënojnë sferën e saj private. Markus Löning: "Dhe kur iu drejtuan prokurorisë me lutjen që rasti të ndiqej, kjo nuk ndodhi. Këto metoda janë thjesht të papranueshme".

"Këndo për demokracinë!"

Janë raste si ky që denoncohen nga aktivistët për të drejtat e njeriut në prag të festivalit të sivjetshëm evropian të këngës "Eurovision Song Contest" në 26 Maj në Baku. Për këtë arsye ogranizata për të drejtat e njeriut "Reporterë pa Kufij" organizon konferenca për shtyp si ajo para pak javësh në Berlin. Rasul Xhafarov, një aktivist azerbajxhanas ishte një nga të ftuarit. Bashkë me aktivistë të tjerë Xhafarov inicioi në vitin 2011 fushatën "Këndo për demokracinë". Më t-shirts dhe pllakate Xhafarov kërkon të tërheqë vëmendjen e Evropës për gjendjen në Azerbajxhan: "Ne kemi vendosur ta përdorim këtë si një mundësi për përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në Azerbajxhan. Për ne dhe për shumë njerëz në Evropë nuk është vetëm një aktivitet kulturor por edhe një mundësi për të respektuar liritë dhe të drejtat e të tjerëve.“


Dhjetëra të burgosur politikë

Reporterët pa Kufij paralajmërojnë për gjendjen e rëndë


Rasti i gazetares Ismailova është vetëm një nga shembujt e kohëve të fundit, thotë Hugh Williamson, drejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore në organizatën "Human Rights Watch". Në Azerbajxhan gjenden aktualisht të burgosur gjashtë gazetarë, më shumë se një vit më parë. Williamson i përshkruan kështu mënyrat e presionit të drejtësisë azerbajxhanase ndaj përfaqësuesve të shtypit: "Për shembull një gazetari i cili punon për mediet iraniane iu kërkua të paraqitet në një rajon policie. Atje iu desh të hiqte xhaketën. Më pas u dërgua në një tjetër dhomë. Kur u kthye në xhepat e xhaketës së tij gjeti një sasi të vogël droge."

Por aktivistët për të drejtat e njeriut nuk kritikojnë vetëm kufizimet e lirisë së shtypit. Organizatat joqeveritare thonë se në burgjet azerbajxhanse gjenden ende dhjetëra të burgosur politikë. Liria e tubimit është mjaft e kufizuar prej vitesh, tregon Lejla Alijeva, drejtore e Qendrës për Studime Kombëtare dhe Ndërkombëtare në Baku: "Çdo përpjekje për protestë dhe çdo mobilizim proteste shtypen nga qeveria".

Kritikë e pamjaftueshme nga Perëndimi

Hugh WilliamsonFotografi: Raum11/Jan Michalko

Në vend të përmirësimit të situatës në prag të festivalit evropian të këngës, aktivistët për të drejtat e njeriut konstatojnë përkeqësim. Por ata shpresojnë që trysnia të japë fryte. Gjatë vizitës me ministrin e Jashtëm gjerman Westerwelle në mars, politikani liberal gjerman Markus Löning konstatoi se presidenti autoritar Ilham Alijev e ndien qartë trysninë ndërkombëtare. Löning ishte shprehur në mënyrë kritike për situatën e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan dhe menjëherë u sulmua ashpër verbalisht nga ministri i Jashtëm azerbajxhanas Elmar Mammadjarov. Të ngarkuarit të qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut nuk i takon të luajë rolin e kujdestarit, u shpreh diplomati azerbajxhanas. Vetë ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle nuk shprehu kritikë të hapur ndaj qeverisë në Baku, më të cilën Berlini ka marrëdhënie të mira ekonomike.
Perëndimi nguron të kritikojë shkeljet e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan, mendon politologia Lejla Alijeva. Me sa duket marrëdhëniet ekonomike kanë përparësi.
Rezervat e mëdha të naftës e bëjnë Azerbajxhanin një partner tregtar tejet tërheqës. Kjo është arsyeja përse si Evropa ashtu edhe SHBA shprehin vetëm kritikë me zë të ulët, thotë ekspertja.

Aktivistët për të drejtat e njeriut kërkojnë që qeveritë perëndimore t'i kujtojnë më fort se deri tani Azerbajxhanit detyrimet e tij për shembull kundrejt Këshillit të Evropës. Kjo vlen edhe për 46 vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtata e Njeriut në Strassburg, thotë Markus Löning. Në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për ankesa të azerbajxhanasve për shkelje të lirisë së shtypit apo dhunë të tepruar policore, thotë politikani gjerman. Deri tani Baku nuk ka zbatuar asnjë nga këto vendime.