Festohen krishtlindjet ortodokse në Kosovë
7 Janar 2008Manastiri i Deçanit, i cili është një ndërthurje e traditave kulturore mesjetare bizantine dhe perëndimore, falë njerëzve vullnetmirë të këtij rajoni që nga ndërtimi I tij, në shekullin XIII-të, është ruajtur i paprekur. “Dhe ne jemi këtu që këto vlera edhe të vazhdojnë të mbesin të tilla, sepse Manastiri i Deçanit është pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Kosovës. Po aq e rëndësishme është edhe për bashkësinë ndërkombëtare, që të punojë për ruajtjen e kësaj trashëgimie, sepse të gjithë jemi këtu që kjo pasuri të ruhet dhe që këtu të mund të jetohet” - thotë shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Tim Guldiman, i cili ishte prezent në liturgjine e mëngjesit, sikur edhe përfaqësues të Zyrës Britanike, në Kosovë.
Brenda mureve të veshura me afreske të ruajtura mirë dhe në mesin e dhjetra besimtarëve, e gjejmë edhe Zdravkon, i cili bashkë me të dy fëmijët e tij ka ardhur nga Serbica për të kremtuar Krishtlindjet në Manastirin e Deçanit. Ndërsa, porosia e tij për shqiptarët është “që shqiptarët dhe serbët të jetojnë në paqe me të gjithë popujt, sepse kjo është edhe porosia e Krishtlindjeve!"
Peshkopi i Manastirit të Deçanit Teodosije Sibaliç, sikurse krerë të tjerë të kishës ortodokse në botë, bëri thirrje te të gjitha autoritetet vendore e ndërkombëtare që të respektojnë tërësinë e Serbisë, dhe siç u shpreh, “të mos grabisin pronën e saj, Kosovën, e cila është djepi i Serbisë dhe zemra e popullit serb".
Ndërsa, zëdhënësi i manstirit, Sava Janjiç, me rastin e Krishtlindjeve uroi “harmoni në mes popullit të Kosovës dhe zgjidhje problemesh në mënyrë paqësore”.