Festohet Festa e Bajramit në Gjermani
24 Tetor 2006
Në Afganistan dhe Marok kjo festë quhet Eid, për turqit dhe evropiano-jugorët - Bajram. Në vende të tjera arabe, kjo festë quhet Saum, ashtu siç qëndron e shkruar edhe në Kuran. Por si e festojnë myslimanët në Gjermani festën e Bajramit?
Hyseni ka agjëruar 30 ditë me rradhë. 25-vjeçari ka lindur në Gjermani, por prindërit e tij vijnë nga Turqia. Familja e tij i kushton rëndësi të veçantë traditave fetare, pjesë e të cilave është padyshim edhe muaji i Ramazanit. Të gjithë besimtarët myslimanë agjërojnë gjatë këtij muaji, çka do të thotë që ata nuk hanë, nuk pinë alkohol, nuk pinë cigare dhe nuk kanë kontakte seksuale.
Por duke filluar nga dita e hënë, Hyseni dhe shumica e myslimanëve kanë filluar të festojnë Bajramin.
"Unë shkova që me mëngjes në xhami dhe u fala. Më pas takova të tjerët, u përshëndetëm dhe i uruam njëri-tjetrit fat e mbarësi. Pastaj shkova tek gruaja dhe fëmijët e mi. Së bashku vizituam prindërit e gruas e më pas prindërit e mi. Këtë ditë u afruam sërish me njëri-tjetrin dhe festuam me familjet dhe të afërmit, sepse është një ditë e veçantë."
Myslimanët që jetojnë e punojnë në Gjermani, e kanë pak më të vështirë që t´i vizitojnë të gjithë të afërmit e tyre me nge, tregon Hyseni:
"Në fakt kjo festë zgjat 3 ditë. Por meqënëse jetojmë në një vend europian, e kemi pak më të vështirë, sepse nuk marrim dot kaq shumë gjatë pushim nga puna."
Shumë komunitete myslimane në Gjermani organizuan për festën e Bajramit aktivitete festive, ku morrën pjesë besimtarë që faleshin e festonin së bashku. Në fakt festa ngjan me festimin e krishtlindjeve për komunitetin e krishterë, tregon Selim Eliziot, antar i këshillit drejtues të xhamisë Bonner Moschee e.V:
"Ne organizuam ndër të tjera një festë për fëmijët, dekoruam dhomat dhe vumë tullumbace, lojëra dhe dhurata për fëmijët, që të festojnë e të përjetojnë një ditë të bukur. Por gjatë ditëve të ardhshem do të organizojmë edhe disa festa të tjera, sepse të hënën njerëzit erdhën vetëm për t´u falur këtu. Më pas ata nxituan për të vizituar familjet e të afërmit, ashtu siç është zakon. Por në të ardhmen do të festojmë sërish së bashku."
Për fëmijët festa e Bajramit apo Festa e Sheqerit, është ngjarja më e bukur e vitit. Xhihan, një djalë 10-vjeçar, i cili ka lindur gjithashtu në Gjermani, gëzohet se prindërit e lejuan të rrijë në shtëpi me rastin e festës së Bajramit:
"Ne festojmë Festën e Sheqerit, pra kemi ngrënë shumë gjëra të ëmbla. Veshëm gjëra të rjea dhe të bukura dhe u kënaqëm gjithë ditën."