1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Sport

FIFA ka hapur procesin kundër Xhakës dhe Shaqirit,

25 Qershor 2018

FIFA hap proces: Xhaka, Shaqiri dhe Lihteshtajner rrezikohen të dënohen duke u ndaluar të luajnë

Russland WM 2018 l Serbien vs Schweiz 1:2 - Granit Xhaka und Xherdan Shaqiri beim Torjubel
Fotografi: picture-alliance/dpa/L. Gillieron

Ka rrezik që Xhaka, Shaqiri dhe Lihteshtajner të dënohen duke u ndaluar të luajnë, shkruan gazeta zvicerane “Neue Zurcher Zeitung”. Zviceranët shpresojnë të marrin dënime më të buta, për imitimin e shqiponjës dykrenare në ndeshjen me Serbinë. “Do të ishte goditje e rëndë për ne”, thotë Peter Gillieron, president i Ligës zvicerane të futbollit. Ai la të kuptohet se nuk pret të ndodhë skenari më i keq. FIFA bëri të ditur të shtunën në mbrëmje, se do të zhvillojë hetime lidhur me gjestet e lojtarëve. Ditën e diel  u hap procesi edhe kundër Stephan Lihtenshtajnerit.

“Nëse gjesti i shqiponjës dykrenare vlerësohet si deklaratë politike, atëherë FIFA do të ngarkohet në të ardhmen me procese të komplikuara,” citon gazata të ketë thënë Gillieron. “Por FIFA mund ta vlerësojë gjestin si provokim”. Kush provokon tifozët gjatë ndeshjes dënohet me ndalimin e lojës në të paktën dy ndeshje dhe me gjobë minimumi prej 5 mijë franka.

Fotografi: Reuters/F. Bensch

FIFA ka filluar hetimet edhe kundër Ligës serbe të futbollit. Trajneri Mladen Krstajic pati thënë ditën e shtunë për arbitrin Felix Brych: “Unë do e dërgoj atë në Hagë, që t’i bëhet procesi, siç na është bërë edhe neve procesi.” Po ashtu do të hetohen “trazirat e tifozëve” në stadium si dhe “banderolat politike dhe ofenduese” të tifozëve serbë, shkruan Stephan Ramming Togliatti për gazetën "Neue Zurcher Zeitung të Zvicrës".

Në Gjermani gazeta "Suddeutsche Zeitung" merret me historinë e një diskutimi që dukej sikur ishte mbyllur, por që ka plasur sërish. Thomas Schifferle e fillon shkrimin me mesazhin e lëshuar nga Granit Xhaka në instagram: „We did it bro @shaqirixherdan”. Po, ata ia dolën mbanë, ai dhe Shaqiri, bro-ja i tij, vëllai për zemër. Ata e çuan Zvicrën në fitore me golat  e tyre për 1:1 dhe 2:1. Por veç kësaj ata bënë edhe diçka tjetër. Dhe kjo është kthyer tani në problem.

Fotografi: Reuters/R. Moraes

Golat e tyre janë vepra të vogla arti si gjuajta në distancë e Xhakës në minutën e 52, ashtu edhe sulmi i Shaqirit pak para fundit. Dhe ato janë me vlera sepse Zvicra ndodhet tani në çerekfinale, në të njëjtin nivel me Brazilin, në  Grupin E. Në momentin e lumturisë së madhe ata ndiejnë vetëm një gjë, emocione. Por ata mendojnë edhe për origjinën e tyre. Shaqiri ka lindur në Gjilan, prindërit e Xhakës vijnë nga Prishtina. Dhe të dy bënë gjestin e vogël, që ka efektin e madh: I mbajnë duart para gjoksit, kryqëzojnë gishtat e mëdhenj, hapin pëllëmbët - duke bërë shqiponjën me dy krerë, simbolin e shqiptarëve….Serbët u ndien të provokuar. .. Por edhe ata nuk i lanë të qetë zviceranët gjatë lojës, duke përdorur jo vetëm fishkëllimat. Gjatë 20 minutave të para u dëgjua shumë shpesh të thuhej: “vriti shqiptarët”, duke përdorur fjalën “siptara”, një fyerje raciste.

FIFA ka hapur procesin kundër Xhakës dhe Shaqirit, por edhe kundër tifozëve serbë dhe trajnerit serb, Mladen Krstajic, shkruan "Suddeutsche Zeitung".