Pranimi i Kosovës në FIFA
1 Tetor 2012
Shtyhet për më 14 dhjetor vendimi i komiteti ekzekutiv të Federatës Botërore të Futbollit, për njohjen e plotë të Federatës së Futbollit të Kosovës. Javën e kaluar figura të shquara të futbollit kishin kërkuar nga UEFA dhe FIFA që ta lejonin Kosovën që të zhvillonte ndeshje miqësore. Një peticion përkatës e kishin nënshkruar krahas futbollistes së kombëtares gjermane, Fatmire Bajramaj edhe Xhardan Shaqiri që luan në ekipin e Bajernit të Mynihut dhe Granit Xhaka që luan me ekipin e Borusia Mënhengladbahut. Edhe dy lojtarët zvicerianë janë me origjinë nga Kosova. "Ne mbështesim plotësisht të drejtën që në futbollin ndërkombëtar të angazhohen lojtarë dhe klube nga Kosova", thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë, e cila u nënshkrua edhe nga futbollisti Lorik Cana që luan me ekipin e Lacio-s dhe Velon Behrami që luan në Romë.
Sipas kreut të FIFA-s, Sepp Blatter, diskutimet për këtë vendim do të shtrohen më 14 dhjetor, në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të FIFA, që do të mbahet në Tokio, pasi sipas tij, duhet pak më shumë kohë për të qartësuar të gjitha modalitetet për ndeshjet miqësore.
Bëhet e ditur sipas medieve se në këtë takim FIFA do të diskutojë edhe për përpilimin e një rregulloreje të jashtëzakonshme, përmes së cilës do t'u mundësohej të gjithë futbollistëve me origjinë nga Kosova që kanë luajtur apo luajnë me përfaqësuese të huaja, që në të ardhmen e afërt të përfaqësojnë Kosovën. Kosova, e cila prej vitit 2008 ka shpallur pavarësinë e saj nga Serbia, nuk është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara, sepse Serbia e bllokon një gjë të tillë, ashtu sikurse edhe anëtarësimin e Kosovës në Federatën Botërore të Futbollit, (FIFA).