1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillimi i ri i qeverisë gjermane?

27 Gusht 2026

Kancelari gjerman Friedrich Merz po përpiqet të përhapë optimizëm. A ka ardhur më në fund e shumëpritura "vjeshta e reformave"?

Neuhardenberg 2026 | Konferenca për shtyp e Merz, Klingbeil & Dobrindt
Merz, Klingbeil dhe DobrindtFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Pas seancës së qeverisë gjermane, e cila zgjati gati dy ditë në ndërtesën e qeverisë në kështjellën Neuhardenberg në Brandenburg, jo shumë larg Berlinit, Kancelari Friedrich Merz (CDU) nuk e fshehu kënaqësinë e tij.

"Gjermania e së nesërmes është optimiste dhe plot vetëbesim" - tha Merz. Më pas pasoi një mesazh tipik i Kancelarit: "Duhet të dalim nga kjo klimë pakënaqësie".

Sipas mendimit të tij, qeveria po heq pengesat e vjetra dhe po krijon hapësirë ​​për ndryshim.

Sinjale rimëkëmbjeje

Merz foli për "sinjale të një fillimi të ri". Si shembull, ai përmendi të ashtuquajturin "indeks të klimës së biznesit", i cili u rrit për herë të katërt radhazi gjatë muajit gusht dhe çuditërisht tregoi përmirësimin e fuqishëm të kushteve ekonomike. Ai gjithashtu theksoi se ekonomia gjermane po rritet për të tretin tremujor radhazi.

"Tre vjet recesion kanë mbetur pas, dhe tani po rritemi përsëri" - tha Kancelari.

Merz ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale, të cilën e përshkruan si "revolucioni i katërt industrial".

Kur Merz, ministri i Ekonomisë Lars Klingbeil (SPD) dhe ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt (CSU) dolën para shtypit në fund të takimit, theksuan në unison atmosferën e mirë dhe bashkëpunimin brenda qeverisë.

Merz flet për një atmosferë të mirë gjatë bisedimeveFotografi: Kay Nietfeld/dpa/picture alliance

Madje Merz tha i buzëqeshur se takimi i mbrëmjes së kaluar zgjati më shumë, sepse një nga pjesëmarrësit po festonte ditëlindjen.

Fotografitë e orëve të mëngjesit kontribuan gjithashtu në pamjen e një koalicioni qeverisës gjerman harmonik: ministrat e SPD-së Lars Klingbeil dhe Carsten Schneider ngisnin biçikleta, ndërsa ministrat e CDU-së Johann Wadephul dhe Carsten Linnemann bënë vrap rreth kështjellës. Imazhi mediatik i një qeverie aktive dhe të gatshme.

Reforma e sistemit të pensioneve, këtë vit?

Merz dhe Klingbeil theksuan se përgjegjësia e rëndësishme tani kalon te grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD në Bundestag. Kancelari tha se takimi i qeverisë duhet t'u japë shtysë si parlamentit, ashtu edhe qytetarëve.

"Ne kemi nisur reforma të mëdha dhe do t'i zbatojmë ato" - tha Merz.

Kur Bundestagu të rikthehet në punë me kapacitete të plota të hënën, më 7 shtator, pas zgjedhjeve në landin e Saksoni-Anhaltit, qeveria dëshiron që ligjet kryesore mbi të ardhmen e sistemit të pensioneve dhe mbrojtjes sociale t'i miratojë këtë vit.

Në të njëjtën kohë, ministri Dobrindt këmbënguli në miratimin e shpejtë të ligjeve të reja të sigurisë.

Dronët nga Leipzig - ndër temat kryesore

Një nga temat qendrore të takimit ishin ngjarjet e fundit në aeroportin e Leipzig/Halle.

Në fillim të seancës, Merzmori pjesë në prezantimin e një startup-i që zhvillon teknologji për dronë. Ai madje mbajti në duar një nga pajisjet. 

Arsyeja: incidentet që kanë tërhequr shumë vëmendjen e publikut në javët e fundit. Natën mes 4 dhe 5 gushtit, një dron i ngarkuar me eksploziv u gjet në afërsi të një aeroplani transporti ukrainas në aeroportin e Leipzigut.

Më vonë, u shfaqën informacione rreth ekzistencës së mundshme të dronëve të tjerë. Gazeta "Süddeutsche Zeitung" dhe transmetuesit publikë NDR dhe WDR raportuan zbulimin e një droni tjetër me eksplozivë pranë aeroportit, i cili luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen logjistike për Ukrainën.

Autorët do të "paguajnë çmimin"

Merz tha se rasti tregoi "se po përballemi me kërcënime shumë konkrete".

"Autorët e sulmeve hibride do të "paguajnë çmimin" - tha Kancelari. Ai shtoi se qeveria, së bashku me shërbimet e sigurisë, po punojnë intensivisht për të përcaktuar përgjegjësinë për incidentin dhe njoftoi se së shpejti do të publikohen informacione të reja.

Merz: Autorët do të paguajnë çmiminFotografi: dts-Agentur/picture alliance

Putin u përmend vetëm një herë

Gjatë fjalimit gati 50-minutësh, emri i Presidentit rus Vladimir Putin u përmend vetëm një herë. Kjo u bë nga Zëvendëskancelari Lars Klingbeil, teksa foli për investimet në siguri.

"Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mbrojtur veten nga Putin dhe të gjithë ata që duan të sulmojnë vendin tonë" - tha ai.

Merz dhe Dobrindt ishin dukshëm më të kujdesshëm. Ministri i Brendshëm foli për kërcënimet hibride, sabotimin dhe spiunazhin që vijnë nga "fuqitë e huaja", por nuk përmendi drejtpërdrejt asnjë shtet.

Ndryshimi i klimës dhe mosmarrëveshja me landet

Sfidat klimatike pas një vere jashtëzakonisht të nxehtë, ishin gjithashtu temë diskutimesh.

Merz pranoi se periudhat e nxehtësisë ekstreme do të ndodhin më shpesh në të ardhmen. Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi se Gjermanisë nuk i mungojnë as programet dhe as paratë për mbrojtje nga pasojat e ndryshimeve klimatike.

Sipas mendimit të tij, përgjegjësia për mbrojtjen e spitaleve, azileve të pleqve dhe shkollave nga temperaturat ekstreme u takon kryesisht landeve.

Ai kujtoi se për këtë qëllim, brenda kuadrit të fondit të posaçëm të miratuar në fillim të vitit 2025, janë ndarë 100 miliardë euro.

Megjithatë, disa lande besojnë se qeveria federale duhet të përfshihet më shumë financiarisht në këto projekte.

Në vjeshtë do të ketë shumë punë

Shefja e re e kabinetit të Kancelarit, Nina Warken, vlerësoi se qeveria po përballet me një periudhë shumë të vështirë. "Do të jetë një vjeshtë shumë e ngjeshur" - i tha ajo ARD-së.

Ajo shtoi gjithashtu se është optimiste. Vendimet e para konkrete të kabinetit priten në seancën qeveritare që do të mbahet javën e ardhshme.

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW