Fillojnë furnizimet e para të rregullta me dronë
21 Shkurt 2024Në Lüdenscheid, landi i Rinit Verior- Vestfalisë ka filluar nga puna linja e parë e fluturimeve të Gjermanisë me dronë, për qëllime logjistike. Kjo u njoftua nga dy kompanitë e përfshira, Third Element Aviation dhe Koerschulte Group.
Është hera e parë në Gjermani që Zyra Federale e Aviacionit jep një licencë për këtë lloj linje të fluturimeve të planifikuara komerciale dhe plotësisht të automatizuara me dron.
Siç njoftuan kompanitë e përfshira, Zyra Federale e Aviacionit e dha autorizimin pas dy vjetësh fluturimesh testuese. Licenca për një shërbim plotësisht të automatizuar të fluturimit të planifikuar komercial për dronët shënon kështu një premierë në Gjermani.
Dronët e transportit, të zhvilluar posaçërisht për këtë qëllim, fillimisht do të dërgojnë deri në 80 pako në ditë për klientët e një kompanie të Lüdenscheidit, që furnizon pjesë për industri dhe tregti. Një dron i vetëm mund të mbajë deri në 6.5 kilogramë.
Kompania Koerschulte fillimisht furnizon sipërmarrjet në qytetin e Lüdenscheid-it në Rinin Verior- Vestfalisë. Prodhuesi i dronëve dëshiron të nisë më vonë shërbimin e furnizimit nga ajro edhe në rajone të tjera.
aud (ag)