1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fillon vaksinimi i popullatës në Maqedoninë e Veriut

18 Shkurt 2021

Pas një viti qëkurse u konstatua rasti i parë i koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën (17.02.) filloi vaksinimi i qytetarëve.

Nordmazedonien Skopje | Coronavirus | Erste Impfung
Fotografi: Petr Stojanovski/DW

4.680 dozat e vaksinës nga kompania Pfizer/BioNtech janë dhuruar si donacion humanitar nga Serbia. Kjo ka mundësuar për Maqedoninë e Veriut fillimin e vaksinimit. Punonjësit shëndetësor, që morën vaksinën të parët menjëherë pas vaksinimit deklaruan se ndjehen mirë. "E pranova vaksinën dhe ndjehem mirë. Apeloj tek të gjithë qytetarët që të mos kenë dyshime, sepse kjo është mënyra e vetme për t'u përballur me këtë pandemi. Sot pranuam dozën e parë, pas 21 ditëve do të marrim edhe dozën e dytë. Imuniteti arrihet për 2 deri 3 javë”, ka deklaruar Ana Anastasovska kryeinfermiere në Klinikën Infektive.

"E pranova vaksinën dhe po ndjehem mrekullueshëm. Ju bëj thirrje të gjithëve që të vaksinohen. Sigurisht që ndjehemi më të sigurtë dhe shpresojmë se dalngadalë do të kthehemi në normalitet”, thotë Dobrinka Naumova, mjeke specialiste në Klinikën e Infektivit në Shkup.

Vaksinat e para i kanë marrë punonjësit e spitalit modular të Klinikës së Infektivit në Shkup, ndërsa pas arritjes së dozave të porositura nga prodhuesi kinez Sinopharm, do të vaksinohen edhe punonjësit e tjerë. Pas tri javësh personat e vaksinuar do të marrin dozën e dytë, ndërsa sipas specialistes, Naumova imunitetin të vaksinuarit pritet ta arrijnë jo më gjatë se një muaj nga marrja e dozës së dytë.

Filipçe: Vaksinat janë të sigurta pa marë parasysh prodhuesin

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut Venko Filipçe nuk u vaksinua, pasi tha se përparësi do t'i japë personelit mjekësor që ndodhet në vijën e parë të frontit në përballje me virusin vdekjeprurës.

Fotografi: Petr Stojanovski/DW

"Ne do të fillojmë edhe një fushatë për ngritjen e ndërgjegjes, pasi është shumë me rëndësi që qytetarët të jenë të vetëdijshëm dhe të kuptojnë rëndësinë e vaksinimit. Ato janë shumë të sigurta, pa marrë parasysh se për cilin prodhues bëhet fjalë. Kjo është mënyra e vetme që ne të ndryshojmë pamjen e pandemisë, që të përballojmë këtë gjendje të rëndë dhe ngadalë të kthehemi në gjendjen normale, jo vetëm ne por të gjitha vendet e botës. Sistemi po funksionon mirë, shpresoj se do të arrijmë imunizimin e popullatës”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.

Vaksinimi për momentin po zhvillohet vetëm në Shkup, ndërsa më vonë vaksinat do të shpërndahen edhe në qytete të tjera. Maqedonia e Veriut ka arritur marrëveshje me prodhuesin kinez Sinopharm për blerjen e 200 mijë vaksinave, të cilat pritet të arrijnë deri në fund të muajit ndërsa në proces janë procedurat për arritjen e marrëveshjeve edhe me kompani të tjera. Përparësi do të kenë vaksinat e prodhuara në shtetet e BE-së, por Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe nuk e ka përjashtuar mundësinë edhe të vaksinave të tjera, përfshirë edhe atë ruse.

A do të arrihet imunizimi kolektiv?

Për të siguruar imunizim kolektiv është e nevojshme që rreth 70% e popullatës të vaksinohen. Nga Instituti i Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se në rast se 500 mijë qytetarë vaksinohen, atëherë gjendja epidemiologjike do të përmirësohet ndjeshëm duke marrë parasysh edhe faktin se rreth 100 mijë qytetarë të infektuar në të kaluarën tashmë kanë imunitet natyror.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani me COVID-19 janë diagnostikuar mbi 97 mijë persona, prej tyre 3.003 persona e kanë humbur jetën, më shumë se 88 mijë janë shëruar ndërsa raste aktive janë 6.152 persona.

 

Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut