Filmi gjerman shfaqet në Kosovë
29 Maj 2006
Nën organizimin e zyrës gjermane, rrjetit gjerman Network Film dhe kompanisë kosovare Concodia Pictures, në Kosovë filloi java e filmit gjerman. Kjo është hera e dytë që filmat më të sukseshëm gjeman u prezantohen publikut kosovar në kinemanë e vetme të kryeqytetit ABC.
Janë gjithsej 26 filma të zhanreve të ndryshme që do të shfaqen, ndërsa organizatorët veçuan, filmat si, "Fundosja", "Kundër murit", dhe "Vitet e majme kanë marrë fund". Do të ketë 13 filma të gjatë artistik, dy filma për fëmijë dhe 11 filma të metrazhit të shkurtër.
Matias Lutenberg, është sekretar i parë i zyrës ndërlidhëse gjermane në Kosovë. "Ne bazohemi në atë që me shtrirjen e gjerë e gjuhës gjermane në Kosovë si dhe marrëdhëniet e ngushta të Gjermanisë me Kosovën, t’i dhurojmë javës filmike gjermane një vëmendje të posaçme. Këtë projekt do ta vazhdojmë edhe gjatë viteve të ardhshme në mënyrë që të thellojmë bashkëpunimin ndërmjet artistëve gjerman të filmit dhe atyre kosovar", tha Matias Lutenberg. Ai tha se shpreson se java gjermane e filmit në Kosovë të jetë e sukseshme në mënyrë që edhe në të ardhmën të vazhdohet me projekte të tilla dhe filmat kosovar tu prezantohen edhe publikut gjerman.
Zyra ndërlidhëse gjermane në Kosovë, ndërkaq, pos organizimit të javës së filmit gjerman, që bëhet për herë të dytë në Kosovë ndërmerr edhe aktivitete tjera në fushën e kulturës dhe arsimit. Ndër më të veçantat janë ogranizimet e kurseve të gjuhës gjermane që sipas sekretarit të parë të zyrës ndërlidhëse, Matias Lutenberg, është edhe qëllimi kryesor që gjuha gjermane të jetë sa më e pranishme tek të rinjët kosovarë.