1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Filmi i ri mbi Gerhard Richter, zbulon sekretet e piktorit gjerman

15 Shtator 2011

Piktori gjerman Gerhard Richter është konsideruar prej kohësh si një prej artistëve bashkëkohorë më të njohur në botë. Një film dokumentar mbi të, ofron një këndvështrim të rrallë të artistit në studio.

Skenë nga filmi "Gerhard Richter Painting" nga Corinna Belz.
Skenë nga filmi "Gerhard Richter Painting" nga Corinna Belz.Fotografi: Piffl Medien

"Në njëfarë mënyre pikturat bëjnë atë që duan” deklaron Gerhard Richter në një prej skenave të filmit të ri dokumentar "Gerhard Richter Painting" të regjisores Corinna Belz. Shansi është një pjesë e madhe e proçesit krijues të artistit 79 vjeçar gjerman, por metoda e tij e punës është gjithmonë e njëjtë. Pikturat e tij janë rezultat i një procesi të gjatë dhe të kujdesshëm.

Peneli i artistit - skenë nga filmi...Fotografi: Piffl Medien

Artisti gjatë punës

Richter aplikon ngjyrat mbi pëlhurë, në një mënyrë ashtu siç bëjnë muratorët me një ndërtesë apo një mur. Ndonjëherë Richter përdor furçën e zakonshme, por më të shumtën e rasteve ai punon me një penel druri të veçantë. Regjisorja Corinna Belz e ka filmuar artistin në intervale të ndryshme jo të rregullta gjatë një periudhe prej disa muajsh, në punimet e tij në studiot në Köln, ku ai përgatitej për disa ekspozita në Köln, Londër dhe Nju Jork.

Krijimtaria e Richter, dallohet nga të tjerët lehtësisht, edhe pse prezenca e kameras gjatë filmimeve dukej si një eksperiment për artistin gjerman.

Pikturë e verdhë - skenë nga filmi...Fotografi: Piffl Medien

Përveç punës në studio, filmi gjithashtu eksploron lidhjen mes historisë personale të Richterit, që u rrit në pjesën lindore dhe në një klimë komuniste, dhe fjalorit të tij stilistik, që ndërthuret mes abstraktit të pastër dhe një lloj realizmi fotografik. Pasi pati një eksperiencë të keqe me artin propagandistik nazist të regjimit, si dhe më pas atë të ish-Republikës Demokratike gjermane, Richter u zhgënjye disi nga piktura.

Dritaret e Katedrales së Kölnit, të konceptuara nga Gerhard Richter.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Karriera në Perëndim

Filmi tregon se si, pak para ngritjes së murit të Berlinit në vitin 1961, ai u largua nga qyteti i Dresdenit, bashkë me gruan dhe vetëm një valixhe, për të kaluar në pjesën perëndimore. Aty, ai studioi Akademinë e Arteve në Dusseldorf, nën udhëheqjen e Karl Otto Gotz, dhe nisi bashkëpunime me artistë si Sigmar Polke dhe Georg Baselitz.

Richter nuk do të kthehej në Gjermaninë Lindore për të paktën 20 vitet e ardhshme. Në gjermaninë Perëndimore ai krijoi një reputacion si një prej artistëve me më shumë influencë. Edhe në shumë vende të botës, punimet e tij u ekspozuan në galeri dhe muzeume, ndërsa kishte koleksionistë që paguan miliona, për të përvetësuar një punë të Richterit. Në vitin 2007, Kisha Katolike i dha porosi artistit që aktualisht jeton në Köln: të dizenjonte një model të ri dritaresh për Katedralen e qytetit të Kölnit.

Autor: Sabine Oelze / Aurel Boriçi

Redaktoi: E. Xhani

Kaloje seksionin tjetër Kryeartikujt e DW

Kryeartikujt e DW

Kaloje seksionin tjetër Më shumë zhvillime nga DW