Konservatorët fitues të zgjedhjeve parlamentare në Gjermani
22 Shtator 2013Gjermania zgjodhi sot parlamentin e ri. 61,8 milionë vetë ishin ftuar të përcaktonin me votën e tyre përbërjen e Bundestagut të ri, ndër ta tre milionë votues, që votonin për herë të parë.
Sipas të dhënave paraprake CDU ka fituar 41,7% të votave, rreth tetë për qind më tepër se në vitin 2009. SPD fitoi 25,6% të votave, pra 2-3% vota më tepër se në vitin 2009. Të Gjelbrit kanë humbur 2,4% të votave në krahasim me vitin 2009 duke fituar vetëm 8,4% të votave. Partia liberale, FDP, ka humbur rreth 10% në krahasim me vitin 2009 dhe me 4,7% të votave me sa duket nuk do të arrijnë të hyjnë në parlamentin e ri. Partia e Majta ka humbur 3,4% në krahasim me vitin 2009 dhe ka marrë 8,5% të votave. Kurse partia më e re, e cila kandidoi për herë të parë në këto zgjedhje Alternativa për Gjermaninë (AfD)duket se ka fituar 4,8% të votave.
Sipas këtyre përllogaritjeve CDU dhe CSU pritet të kenë në parlament 296 deputetë, SPD 182, E Majta 61 dhe Të Gjelbrit 59. Kështu Bashkimi CDU/CSU duket se ka arritur shumicën absolute dhe mund të qeveriste i vetëm. Nëse kjo do të ndodhë, nuk dihet ende.
Në këtë mënyrë në Gjermani mund të ketë sërish një koalicion të madh mes CDU/CSU dhe SPD-së. Teorikisht është i mundur edhe një koalicion mes CDU/CSU dhe ekologjistëve. Nga ana tjetër në rast se SPD, bashkohet në koalicion me Të Majtën dhe ekologjistët, ajo ka gjithashtu një shumicë në parlament.
Pjesëmarrja në votime ishte me 73% rreth 3 % më të lartë se në vitin 2009.