Fitorja e Frontit Nacional në Francë dobëson socialistët
26 Maj 2014Në rang evropian partia konservatore Evropiane Popullore (EPP), me kandidatin e saj kryesor Jean-Claude Juncker, del forca më e madhe politike. Blloku i partive konservatore EVP fitoi 28.2 përqind, por rezultati është shumë më i ulët se në vitin 2009. Atëherë konservatorët në BE patën fituar 35.8 për qind të votave. Pak pas rezultatit aktual zgjedhor të PPE është partia e Socialistëve Evropianë (PES). Socialdemokratët arritën të fitojnë 24.6 për qind në të gjithë Evropën.
I dukshëm është suksesi i partive të krahut të djathtë në zgjedhjet evropiane. Gjithsej ata arrijnë në 18 për qind të votave. Të bën përshtypje sidomos suksesi i populistëve të djathtë në Francë. Atje Fronti Nacional (FN) i së djathtës ekstreme nën drejtimin e Marine Le Pen fitoi 26 për qind. Socialistët në pushtet me presidentin François Hollande fituan vetëm 14 për qind, duke pësuar një humbje të rëndë. Ata dolën në vendin e tretë pas UMP konservatore me 20.7.
Partia Fronti National do të jetë partia më e fortë franceze në parlamentin Evropian. Pas shpalljes së rezultatit Marine Le Pen u shpreh e vetëdijshme për fitoren dhe pushtetin.
"Ne mund të jemi të sigurtë në vetvete. Koalicionit të atyre, që nuk besojnë te Franca, popullsia i ka treguar se nuk do më, që të qeveriset nga jashtë", tha kryetarja e FN, duke aluduar për ndikimin shumë të madh, sipas bindjes së saj, të BE-së në politikën franceze. "Populli ynë kërkon një politikë të francezëve, nga francezët dhe për francezët." Ajo kërkoi menjëherë edhe konsekuenca në politikën e brendshme. Presidentit Hollande pas një refuzimi të tillë nga zgjedhësit nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të shpërndajë parlamentin, tha Le Pen. "Nuk është e pranueshme që Kuvendi Kombëtar të përfaqësojë popullin në mënyrë kaq joreprezentative."
Tërmet politik në Francë
Përfaqësuesit e socialistëve, si dhe të UMP-së, reaguan të shokuar. Kryeministri Manuel Valls foli për "një shok, një tërmet". Rezultati tregon, se sa shumë është rritur euroskepticizmi te francezët, tha ai. Që para nëntë vjetësh, kur kanë votuar kundër marrëvëeshjes kushtetuese evropiane, francezët janë bërë gjithnjë e më të kujdesshëm përsa i përket Europës.
Jean-Francois Cope, kreu i UMP-së, e ktheu menjëherë rezultatin kundër socialistëve.Triumfi i FN ishte "një shprehje e zemërimit të madh kundër politikave të presidentit Hollande". Por edhe për partinë e tij rezultati ka qenë një "zhgënjim të madh", tha ai.
Çfarë ka çuar në forcimin e Frontit Nacional?
Disa rrethana njëkohësisht kanë çuar në suksesin e FN, shkruan gazeta Libération në komentin e saj: çështja e identitetit kombëtar, fuqia e tepërt e "Brukselit", frika nga të huajt dhe emigrantët, si dhe ndikimi i euros. Por mbi të gjitha partia ka përfituar nga dobësia e dy partive të mëdha. "Si një tumor FN e merr forcën e saj nga politikat jopopullore të qeverisë socialiste dhe të presidentit. Por ajo ka përfituar edhe nga e djathta inerte, e cila luhatet sa andej këndej, ndërmjet kursit republikan dhe tundimeve për të rënë në ekstremizëm dhe që tronditet nga skandale të shumta."
FN është veçanërisht popullore në mesin e të rinjve francezë: Sipas institutit demoskopik Ipsos-Steria kjo parti ka marrë 30% të votave nga votuesit nën 35 vjeç. Relativisht pak vota ka fituar nga francezët mbi moshën 60-vjeçare. Vetëm një e pesta e tyre ka votuar për FN. Mbi të gjitha kjo partia është e suksesshme tek elektorati klasik socialist. 43 për qind e punëtorëve dhe 38 e nëpunësve i dhanë votën partisë Fronti Nacional. Se sa dramatike është rritja e këtij grupi, e tregon krahasimi me socialistët. Ata morën nga punëtorët vetëm 8 dhe nga nëpunësit vetëm 16 për qind të votave.