1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fitorja e Vuçiqit - kaos në opozitë

3 Prill 2017

Në fillim të qershorit Aleksandar Vuçiq do të ndërrojë zyrën - nga kryeministria në presidencë. Po çfarë do të thotë fitorja e furishme me 55 % të votave? Dhe cila është rëndësia e 16% të Jankoviqit?

Serbien Prsäidentenwahl Aleksandar Vucic wird mit Musik bejubelt
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/D. Vojinovic

Jashtë festohej me fishekzjarrë, ndërsa brenda me muzikë dhe - Milloran Dodikun! Në këtë atmosferë dhe me rreth dy miliona vota "në xhep", Vuçiqi doli para gazetarëve dhe tha se këto zgjedhje nuk ishin fare të lehta. Por me rëndësi është që "fitorja ishte e pastër si loti". Vuçiq festoi fitoren e tij, por foli me tone të qeta. Natyrisht që nuk munguan as tonet e himnit "Marsh na Drinu". Vuçiq nuk harroi të falënderojë edhe Presidentin Putin apo Kancelaren Merkel dhe shumë të tjerë.

Twitteri dhe Vuçiqi

Vuçiq dhe DodikFotografi: Reuters/A. Bronic

Hartuesit e sondazheve kishin të drejtë - Vuçiqi fitoi në raundin e parë. Por ato kanë dështuar në prognozat për "shoqëruesit e tij". Vendin e dytë e zuri Sasha Jankoviq, pastaj Beli Preletaçeviq dhe Vuk Jeremiq, i cili pas një rezultati shumë të dobët, me siguri që mbrëmë ka qenë një prej personave më të dëshpëruar në Serbi. Vojisllav Sheshel, Boshko Obradoviq dhe Sasha Radulloviq kanë shënuar rezultate shumë më të dobëta se sa kanë shpresuar.

„Vuçiqi ka mbështetje të fuqishme, por ka dhe kufizime. Atë nuk e mbështesin pa rezervë popullata urbane dhe gjenerata e re", thotë Erik Gordi, profesor në Kolexhin Universitar në Londër. "Dobësia më e madhe e tij megjithatë është që ai nuk ka mësuar të sillet si burrështetas. Ai ende sillet si një luan i ri i Partisë Radikale Serbe. Liderët e vërtetë nuk merren me pankarta, me mafiat e drogës, grindjet në avionë etj. Ata kërkojnë konsensus rreth çështjeve madhore të shtetit".

Falënderim edhe për Putinin.Fotografi: picture-alliance/dpa/Sputnik/M. Klimentyev

Vuçiqi megjithatë është më i dashuri për masat në Serbi. "Ai njerëzve u sugjeron se jetojnë më mirë se në realitet", thotë për DW, Aleksej Kishjuhas, nga Fakulteti Filosofik në Novi Sad. Intelektualët dhe pseudointelektualët duket se nuk po e kuptojnë rëndësinë e jetës reale, sepse janë mbështjellë në fluskën e Twitterit, duke shpresuar se gjërat do të zgjidhen në raundin e dytë.

„Përgjigjen e gjejmë nëse shikojmë lëvizjet demografike", thotë Kishjuhas. "Në masat e gjera ka tendenca të sjelljes autokratike, të paktën tek disa shtresa, ku ka një mosbesim strukturor ndaj demokracisë. Vuçiqi e ka identifikuar me sukses këtë varfëri kulturore të njerëzve në Serbi dhe e ka pasqyruar veten me sukses si një figurë dominante mbi fatin e Serbisë."

Opozita në udhëkryq

Vuçiqi edhe më tej do të sundojë në Serbi - të paktën deri në vitin 2022. Por tani si President. Në fjalimin e tij ai tha se nuk duhen pritur ndryshime të mëdha në politikë. Ditët dhe javët e ardhshme do të vendosë se kush do të jetë "Mirko" i ri - siç ishin Mirko Cvetkoviq në kohën e Boris Tadiqit apo Mirko Marjanoviq nën Millosheviqin (pra kush do të jetë kryeministër i ri.)

Sasha JankoviqFotografi: DW/N. Rujević

Po opozita? Vitin e ardhshëm mbahet beteja për Beogradin, pra zgjedhjet për kryetar bashkie, ku demokratët kanë më shumë shanse se në nivelin e Serbisë. Analistët nuk e përjashtojnë mundësinë që Vuçiqi të organizojë edhe në Beograd zgjedhje të parakohshme me qëllim që të shfrytëzojë momentin.

„Opozita nuk ka ndonjë udhëheqës", thotë Gordi. Sasha Jankoviq ka aktualisht mbështetjen më të madhe. Ai mund të artikulojë interesat e opozitës vetëm nëse tejkalon hijen e vet - pra mbështetjen vetëm tek banorët e qyteteve të mëdha. Ndërsa kandidati kontrovers Beli Preletaçeviq ka mbledhur rreth vete të rinjtë, ndonëse as ata vetë nuk e dinë pse e kanë votuar. Votimi për të është një dëshirë që të refuzohet sistemi i tanishëm, ndonëse ai nuk ka ofruar asgjë, kurrfarë programi të majtë apo djathtë, apo ndonjë revolucion.

"Neofashisti i ri" Vuk JeremiqFotografi: Getty Images/AFP/D. Emmert

Rënia e të djathtës politike

E djathta në Serbi ka shënuar një rënie të madhe - nëse e përjashtojmë vet Vuçiqin si të djathtë. Vuk Jeremiqi ka pasur një fushatë të shtrenjtë dhe shpresonte se do të mbledhë bllokun liberal dhe konservator. Por ai ka dështuar totalisht. Rasti i tij dëshmon se në krahun e djathtë ka një paqartësi të jashtëzakonshme dhe se "njerëzit nuk duan të votojnë për një Tomisllav Nikoliq me diplomë", mendon Kishjuhas.

Edhe Gordi është i ashpër në vlerësimet e tij: „As neofashistët e vjetër si Shesheli, apo të rinj si Obradoviqi, apo imitatorët e neofashistëve si Jeremiqi, nuk kanë gjetur simpati tek zgjedhësit. Shoqëria serbe nuk është e tillë, ndonëse kështu është dukur në kohën e Millosheviqit."