1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

061111 Euro-Krise Goldreserven

7 Nëntor 2011

Qeveria federale gjermane ka kthyer mbrapsht njoftimet, sipas të cilave shpëtimi i euros ka mbërritur deri tek rezervat në ar të Bankës Federale.

Fotografi: picture-alliance/dpa

Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung» njoftonte se presidenti amerikan Barack Obama, presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe kryeministri britanik David Cameron patën propozuar në takimin e G-20 në Kanë të plotësojnë nevojat e paketës për shpëtimin e euros me një pjesë të rezervave në ar dhe deviza. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, hodhi poshtë këto njoftime: "Nuk ka asnjë shkak për të spekulluar me rezervat e arit të Republikës Federale Gjermane. Këto rezerva nuk kanë qenë aspak temë e takimit të G-20 në Kanë."

Shefi i bankës Deutsche Bank, Josef Ackermann, foli për rritjen e forcës financiare të fondeve të shpëtimit. Por, paralajmëroi njëkohësisht për rreziqet, që ekzistojnë, nëse përdoren për këtë rezervat e arit të Bankës Federale. Shefi i Bankës Gjermane kujtoi përparësitë, që ka zgjidhja me anë të sigurimeve.

"Ne nuk duhet t`i afrohemi Bankës Federale ose bankave të tjera vetëm nëpërmjet rrugëve indirekte, por duhet të kërkojmë edhe mundësi të tjera. Ne kemi folur për përparësitë e zgjidhjes nëpërmjet sigurimeve, ajo mund të zbatohet tani, kjo do të rriste në mënyrë të ndjeshme paketën e ndihmës."

Autor:dpa/Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica